“Lufta është vazhdim i politikës me mjete të dhunës”, frazë kjo e njohur qysh prej kohërave të moçme. Ajo është një nga mjetet për realizimin e synimeve, ambicieve, politikave. E politikat janë të shumëllojshme, nga më të ndryshmet. Por dominon ajo ekonomike. Jo vetëm tash, por gjatë gjithë historisë njerëzore kështu ka qenë. Qysh kur filloi ndarja, uzurpimi i pronës, i rrjedhës së ujit në shoqëritë e para bujqësore. Madje edhe më përpara.
Ndërkohë që ndiqej e qëllohej preja, qëlloheshin edhe gjahtarët nga një grup tjetër me më pak fat në gjah. Si në rastin e parë, si në të dytin, konflikti shpërthente pasi pala tjetër refuzohej në pronë dhe gjah. Pra, dështonte politika e fillonte lufta. Dhe ngadhënjyesit fitonin çdo gjë, e dështuesit humbnin çdo gjë, duke përshirë dhe lirinë, nëse shpëtonin nga vdekja e nuk arrinin të arratiseshin. Kështu filloi ndarja e shoqërisë në klasa: të nënshtruarit dhe nënshtruesit; skllevërit dhe skllavopronarët. Për pasoj lindi shteti. Duket se shteti lindi nga lufta. Por nuk është kështu. Sepse luftë kishte edhe në kohën e gjahut, pra bujqësisë, por shtet nuk kishte. Dhe shteti lindi në shoqëritë agrare, kur nevoja për të punuar dhe ujitur tokën, për të korrur e mbledhur të mbjellat i detyroi njerëzit në organizim kolektiv.
Ky organizim ishte shteti i parë për njerëzit e barabartë. Ndërkaq ndarja e shoqërisë në klasa erdhi si pasojë e mosmarrëveshjes që shpërtheu për ndarjen e tokës më të mirë bujqësore dhe rrjedhës më të favorshme të lumit. Kjo degjeneroi në luftë e cila përfundonte me fitues e të humbur. Për t’ua falur jetën humbësve, fituesit u ofruan atyre paqen e nënshtrimit në skllevër. E për kujdesin ndaj skllevërve lindi nevoja që ish-bujqit fitues të merrnin rolin e rojeve dhe drejtuesve të skllevërve në punët e rënda bujqësore. Kështu lindi trupa e armatosur-ushtria, si një nga organizmat më të hershëm shtetëror, u përsosën armët, shteti u zgjerua dhe institucionet u shumuan. Ama ushtria nuk ishte institucioni i parë i shtetit, dhe nuk u krijua ekskluzivisht për të bërë luftëra. Në fakt ajo u krijua për të ruajtur paqen e kthyer në fund të një konflikti që lindi kalimthi nga mosmarrëveshja…
Mirë! T’i kthehemi thelbit të temës, ndërmjet luftës dhe politikës.
Ka shumë mjete për të ardhur deri tek qëllimi i kërkuar, por lufta është e fundit. E fundit si opsion. Jo si zgjidhje. Sepse zgjidhja çdo herë ka përfunduar me politikë. Është fjala për zgjidhjet e suksesshme, afatgjata. Jo ato të dështuarat.
Kur dështojnë fjalët, kur dështojnë bisedimet, kur dështojnë marrëveshjet, kur dështon diplomacia, atëherë përdoren armët, fillon dhuna. Pra, shpërthen lufta.
Në secilin rast, të drejtë apo të kamufluar, kërkohen arsyetime në përdorimin e dhunës, në fillimin e konfliktit. Dhe kështu lufta çdo herë mbetet opsioni i fundit. Por jo krejt i fundit.
Vërtetë disa pështjellime kërkojnë shpatën si opsion të vetëm zgjidhjeje, si rasti i Nyjës së Gordianit. Dhe hapen dyert e botës. Dhe festohet në shfrenim, vetëm në tryezë, pa e pasur të mundurin përballë. Ama përfundon i helmuar, fitoret marrin arratinë dhe trofetë bëhen pikë e pesë. Po! Edhe nëse bëhet fjalë për Aleksandrin; edhe nëse bëhet fjalë për mbretin; edhe nëse është në pyetje perandori.
Atëherë!
A mund të arrihen synimet pa luftë? Po, munden!
A mund të arrihen synimet (përfundimtare) pa diplomaci, pa politikë? Jo pra, nuk munden!
A mund të bëhet lufta e mos të arrihen qëllimet? Po, mundet!
A mund të bëhet politikë e të mos arrihen qëllimet? Po, sigurisht se mundet!
Duken të gjitha relative. Dhe në fakt ashtu janë. Sidomos në kohën moderne. Ama ndërthurjet nuk janë pa rol. Sidomos renditja ka shumë rëndësi.
Dhe opsioni i politikës del se është vija e parë më e qëlluara e një fronti për fitore, e një dronti për fron. E duhet t’i paraprijë në të gjitha rastet luftes. Qoftë edhe duke e shmangur këtë të fundit. Ndërsa lufta nuk guxon t’i paraprijë politikes. Të paktën si rregull, jo si përjashtim.
Sa luftëra janë bërë, të mëdha e të vogla, të shkurtra e të gjata, të grupeve të mëdha kundër atyre të vogla e të papërfillshme, por që kanë dështuar në rastet finale, pikërisht për mungesë të diplomacisë e politikës! Madje fitoret kanë ndërruar kah e rrjedhë, ashtu sikundër dhe humbjet!
Sigurisht se mund të arrihen qëllimet pa luftë. Mund të arrihen qëllimet edhe me luftë. Por s’mund të ketë luftë të sukseshme pa politikë.
Historia ka regjistruar pambarimisht luftëra të fituara që kanë përfunduar me humbje. Kjo përkthehet me “beteja të fituara e luftëra të humbura”. Siç shihet, lufta përkufizohet në një kuptim të ngushtë: “betejë”. Ndërkaq lufta e vërtetë merr konotacion të gjerë: “diplomaci”, “politikë”.
Beteja bëhen edhe në tavolinë. Sepse të gjitha luftërat, herdokur, përfundojnë në tavolinë. Madje beteja shumë të ashpra. Por të gjitha për të arritur në fundin e konfliktit, në përfundimin e luftës, në arritjen e marrëveshjes, në zgjidhjen diplomatike, në paqen politike.
Të gjitha luftërat përfundojnë në tavolinë, diplomaci, politikë, paqe. Edhe status quot kanë këtë renditje e përfundim. Pavarësisht se në to mund të ketë lëvizje e kthesa, para e prapa. Edhe ato fundin e kanë politik.
Dhe betejat, në terren e tavolinë, përdoren vetëm sa për të zënë vend më të mirë zigzaket politike. Fillon me politikë dhe mbyllet me politikë. Jo me luftë. Lufta nuk është opsioni i parë, por duket se nuk mbetet as i fundit. I ndërmjetmi po!
Pra, luftërat janë pauza politike për të arritur qëllime po ashtu politike. Dhe jo e kundërta. Politika kurrë nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë pushim e çlodhje ndërmjet luftërave.
…
Prandaj, në rastin e aktualitetit tonë, nuk është e drejtë të thuhet e pretendohet se “këta që e kapën pushkën e çliruam Kosovën”, ndërsa “ata që e kishin lapsin nuk bën gjë”. Pa sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe pa diplomacinë e hollë, lufta do të dështonte dhe çlirimi, liria e pavarësia e Kosovës nuk do të vinin kurrë. Në të gjitha luftërat, para kësaj të fundit, përballë armikut jo edhe shumë të fuqishëm, kemi pasur ushtarë e dëshmorë më të shumtë. Madje, në proporcion me numrin e banorëve për kohën, shumë fish më të shumtë. Ndërkaq, në luftën e fundit, pavarësisht se kemi pasur një armik shumë fish më të fuqishëm, numri i ushtarëve dhe i dëshmorëve ka qenë më i vogël. Në rastin e parë, kemi arritur pak. Në rastin e dytë, kemi arritur konsiderueshëm. Madje shumë konsiderueshëm. Kjo, sepse në rastin e parë diplomacinë e kishim thuajse zero. Ndërkaq, në rastin e dytë diplomacinë e kishim në kulminacion, dhe pararoje të luftës. Madje, në nivel dukshëm më të lartë se sa tash kur po flasim e po shkruajmë për të.
Pra, fillimisht e përfundimisht politikë, dhe eventualisht luftë. Po! Edhe ndonjë pauzë të aty këtushme për rend, ligj, drejtësi, shtet e sovranitet, sa herë që ta ketë kërkuar nevoja për paqe.