Pas grumbullimit tre ditor që pati përgjatë javës që lamë pas, rikthehet sërish në fushën e blertë ekipi kombëtar U-19, për dy miqësoret ndaj Kosovës U-19.Skuadra e drejtuar nga Armando Cungu do të nisë nga kjo e hënë e 21 marsit grumbullimin, teksa tekniku kuqezi ka bërë publike ditën e sotme edhe listën me 22 lojtarët që janë ftuar për këto dy sfida.
Bëhet fjalë për futbollistë të vitlindjes 2004, ku shumica prej tyre janë pjesë e kampionatit të huaj, me 14 prej tyre që aktivizohen në Europë, në klube të tilla si Tottenham Hotspur, Watford FC, S.S.C. Napoli, Torino F.C., NK Maribor, U.C. Sampdoria, etj., ndërsa 8 nga lojtarët e grumbulluar aderojnë në kampionatin shqiptar.
Siç është bërë e ditur edhe më herët nga Departamenti i Komunikimit në FSHF, ekipi Kombëtar U-19 do të zhvillojë dy ndeshje miqësore ndaj Kosovës U-19 më 26 dhe 28 mars në Shqipëri.
Lista
Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Egnatia Arena”, në Rrogozhinë, në ora 15:00 më 26 mars, teksa dy ditë më vonë, në po të njëjtin stadium do të zhvillohet edhe sfida e dytë mes këtyre dy përfaqësueseve në ora 10:00.
Këto janë dy teste shumë të rëndësishme dhe të vlefshme që do t’i shërbejnë jo vetëm skuadrës, por edhe stafit të Kombëtares U-19, për të krijuar ide rreth grupit të skuadrës që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2022-2023, ku kuqezinjtë do të përballen me Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë.Lista
Që nga janari, trajneri Armando Cungu ka pasur mundësinë të zhvillojë disa seleksionime dhe grumbullime me skuadrën që ai drejton, teksa së fundmi skuadra U-19 zhvilloi edhe një miqësore ndaj Dinamos U-21, ku barazoi me rezultatin e bardhë 0-0.