VMRO-DPMNE nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese thonë nga LSDM. Zëdhënësja e kësaj partie Bogdanka Kuzeska bëri të ditur se në bazë të rrethanave të reja në skenën politike, Kovaçevski për nesër ka thirrur bordin ekzekutiv dhe qendror të LSDM që të bisedojnë se si do të vazhdojnë bisedimet me VMRO-DPMNE.
“Informacioni për thirrje të bordit qendror dhe ekzekutiv nga ana e kryetarit të LSDM-së dhe kryeministrit Dimitar Kovaçëvski është e vërtetë. Ashtu siç thashë në konferencën për media se pas takimit të djeshëm ka rrethana të reja skenën politike dhe pikërisht këtë të reja janë arsye për thirrje të bordit qendror dhe ekzekutiv dhe sigurisht që temë do të jetë mënyra dhe forma me të cilën më tutje do të vazhdojnë negociatat me VMRO-DPMNE-në’- deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Partneri tjetër i koalicionit qeverisës Arben Taravari tha se nuk është me rëndësi se cili propozim i Kovaçevskit apo Mickoskit është më i pranueshëm. Sipas kreut të ASh-së më me rëndësi është që të votohen ndryshimet kushtetuese.
“Për ne me rëndësi është që VMRO-DPMNE tashmë jep sinjale pozitive se janë të gatshëm për t’i votuar ndryshimet kushtetuese, një punë që ne e kemi thënë qysh para një muaji ose dy se në fund VMRO përsëri do t’i voton ndryshimet kushtetuese. Nuk është me rëndësi më propozimi, për ne si parti politike me rëndësi është agjenda, ndërsa agjenda dhe rruga e vetme e Maqedonisë është rruga drejt BE-së pa marrë parasysh kombinimet dhe opsionet që ofrohen ne jemi aty për të mbështetur dhe për ta ndihmuar rrugën e RMV-së drejt fillimit të negociatave me BE-në.”- deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Euroambasadori Dejvid Gir në “Click plus” tha se Maqedonia gjendet para një momenti të tillë që në diplomaci dhe në politikë nuk lëshohet. Në pyetjen se çka do të ndodhë me vendin nëse ndryshimet kushtetuese dështojnë, Gir theksoi se Maqedonia do të ketë humbur rastin, të cilin të tjerët do ta shfrytëzojnë.
“Duke ecur përpara, do të përfitoni nga momenti dhe do të përfitoni nga mundësitë që ju janë paraqitur për të avancuar në rrugën drejt BE-së dhe duke u fokusuar në reformat madhore që duhet të bëjë shteti. Po sikur shteti të mos e ndërmarrë atë hap dhe të vendosë të mos bëj ndryshimet kushtetuese? Atëherë procesi do të ngecë, skriningu do të ndalet dhe negociatat nuk do të përparojnë. Do të thotë që ju e keni humbur shansin, por disa të tjerë në kohë do të ecin përpara dhe shfrytëzojnë momentin dhe do të anëtarësohen në BE”- tha Dejvid Gir, Euroambasador.
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski edhe sot përsëriti qëndrimin se është e pranueshme që partia e tij të jetë pjesë e Qeverisë, pa BDI-në në të dhe me kushtin që ndryshimet kushtetuese të miratohen vetëm pasi të kenë përfunduar bisedimet për anëtarësim në BE.
“Nëse me të vërtetë Europa na do kaq shumë, do të dojë që ky proces të zhvillohet shpejtë, të shkojmë në korsi të shpejtë, të negociojmë, të bëhemi vend anëtare e BE-së dhe ashtu atëherë duhet ta hapim Kushtetutën sepse para anëtarësimit secili vend e hap Kushtetutën dhe atëherë mund të flasim që këto ndryshime kushtetuese të jenë efektive”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i vendit rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut.
Burimi: TV21