Lojtari shqiptar: Ëndërr debutimi në “Santiago Bernabeu”

min lexim

Myrto Uzuni është prezantuar sot përpara tifozëve të Granadës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, u transferua nga Ferencvaros në La Liga për shumën e 4 milionë eurove, teksa ka firmosur deri në vitin 2025 me ekipin spanjoll.

26-vjeçari nga Berati e njeh mirë Granadën. Debutimi i tij ndodhi në “Santiago Bernabeu” kundër Real Madrid, ndeshje ku pati një mundësi të mirë për të shënuar. Gjithsesi, Uzuni beson shumë te vetja dhe është i sigurt se golat dhe asistet nuk do të mungojnë.

“Në fillim dua të falënderoj të gjithë ata që besuan tek unë dhe bënë të mundur që të jem këtu, dhe familjen time që ka besuar gjithmonë tek unë. Jam gati të filloj këtë aventurë dhe të ndihmoj Granadën në realizimin e objektivave.

Kam ardhur në një nga ligat më të mëdha të Evropës. Granadën e njoh, pasi vitin e kaluar u përball me Teutën. Këtu ka luajtur edhe shoku im i ngushtë Rey Manaj, kam marrë shumë informacione për klubin.

Debutimi? Realizova ëndrrën time për të luajtur në ‘Santiago Bernabeu’. Ishte një ndeshje e fortë përballë lojtarëve të mëdhenj. Rëndësi ka që luajtëm një ndeshje të mirë, të vazhdojmë kështu përpara, të luajmë si grup dhe rezultatet pozitive do të vijnë.

Rasti i humbur? Dua të shënoj gjithmonë, por në atë rast isha i pafat. Gjithsesi, unë do të gjej golin në ndeshjet e ardhshme. La Liga është kampionati më i mirë në botë, këtu luhet një futboll teknik dhe ka lojtarë shumë të mirë. Jam gati për këtë aventurë, do të jap më të mirën time.

Besoj gjithmonë te vetja, ky është shkaku pse ndodhem këtu sot. Kam besuar gjithmonë te vetja që prej momentit që nisa të luaj futboll, por trajneri është ai që vendos nëse luaj apo jo. Granada ka lojtarë shumë të mirë, nuk dua ta krahasoj vetën me asnjë, unë kam ardhur këtu të bëj punën time dhe të jap maksimumin tim.

Njerëzit këtu janë të këndshëm, që nga stafi dhe shokët e skuadrës. Ata po më ndihmojnë të përshtatem, njerëzit janë pozitivë dhe ndihem shumë mirë.

Mentaliteti im është i qartë: unë nuk dorëzohem kurrë. Do të luftoj për këtë fanellë, do të jap maksimumin tim dhe të ndihmoj Granadën me gola dhe asiste. Kjo është motoja ime. Trajneri është ndër më të mirët që kam pasur, ai po ndihmon shumë, puna me të do të më përmirësojë”, deklaroi Uzuni.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gratë e këtyre 3 shenjave dinë t’u dhurojnë burrave të tyre një martesë të lumtur

Story i radhës

​Imunizohen mbi 45 mijë nxënës të moshës 12 deri në 18 vjeç

Të fundit nga