Debati për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) është ndër më banalët që është zhvilluar në Kosovë nga viti 1999. Në një përpjekje populiste për të fituar mbështetje dhe vota te pjesa më e goditur e popullatës nga inflacioni i lartë, opozita bëri propozimin, që në esencë në plan afatgjatë dëmton qytetarët e Kosovës. 1000 euro eventualisht të tërhequra sot nga Trusti, janë vlera e 10 000 eurove në vitin 2052, kur një 35 vjeçar pensionohet. Kaq është rritja mesatare në bursat botërore e mjeteve të deponuara (vlera e S&P 500 që është Fondi i 500 kompanive më të mëdha amerikane në vitin 1992 ishte 414 $, ndërsa sot është 4100 $).
Shtrohet pyetja: nëse logjika e tërheqjes së mjeteve nga Trusti bëhet praktikë, kush do të sigurojë ekzistencën e 65 vjeçarëve në vitin e largët 2052? Shtetet serioze nuk bëjnë lojëra të tilla. Në vend të kësaj loje populiste, opozita dhe shoqëria civile do të bënin mirë nëse do të fillonin presionin mbi Qeverinë e Kosovës që edhe ajo të bëjë veprimet që i bëri qeveria e Maqedonisë së Veriut nga fundi i vitit të kaluar. Shkupi ka bërë ngrirjen e çmimeve të produkteve të “shportës” (produktet elementare – mielli, vaji, sheqeri, orizi…)…. Për pasojë, aktualisht dallimi i çmimeve të produkteve të “shportës” ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit është shumë i madh: në Maqedoninë e Veriut orizi – 0.7 euro, në Kosovë – 1.1 euro, vaji 2.15 – 2.85, sheqeri 0.62 – 0.95…..çmimet e produkteve elementare janë rreth 30 % më të ulëta në Maqedoni!
Përse Qeveria e Kosovës tash sa muaj nuk reagon si qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbrojtje të konsumatorëve? Reagimi eventual i opozitës në këtë drejtim do të gjente mbështetje të popullatës, por jo edhe tërheqja kundërproduktive e mjeteve nga Trusti.
Është edhe një çështje tjetër që meriton reagim dhe që ka të bëjë me Trustin, por që as Qeveria dhe as opozita nuk e debatojnë. Në bursat botërore nga fillimi i këtij viti është regjistruar rënie e madhe e aksioneve që rrezikon seriozisht Fondin e Kursimeve Pensionale. S&P 500 ka regjistruar rënie 15%, ndërsa NASDAQ 100 (100 kompanitë më të mëdha amerikane) ka rënie 25%. Ekspertë të njohur botërorë të tregjeve të aksioneve sinjalizojnë se për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së kamatave në SHBA dhe krizës në Ukrainë, vlera e aksioneve në bursat botërore mund të shënoi rënie drastike.
Disa nuk përjashtojnë krizën e vitit 1929 ose atë të vitit 2000, kur bursat humbën ndërmjet 50 deri 80% të vlerës së aksioneve. Në vend të debatit absurd për tërheqje të mjeteve, do të ishte mirë që Qeveria, opozita dhe shoqëria civile të kërkojnë nga përgjegjësit e Trustit që të ndërmarrë masa urgjente që mjetet e deponuara të ruhen dhe mbrohen nga rënia eventuale dramatike.
Kështu do të mbrohej interesi i shtetit dhe qytetarëve dhe jo me lojëra populiste që në fokus kanë votën e popullatës së goditur nga inflacioni i lartë.