Çfarë po ndodh? NATO tregon forcën, avionët luftarakë patrullojnë në Poloni
Avionë luftarakë të NATO-s nga Italia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara kanë treguar forcën gjatë një patrullimi në krahun lindor të Aleancës në Poloni.
Fluturimi është kryer më 12 tetor, por pamjet u publikuan vetëm të enjten nga ana e NATO-s.
Në patrullim morën pjesë avionë italianë Eurofighters, avionë polakë F16 dhe MiG-29, si dhe avionët amerikanë F-22.
Misionet “mburojë” të NATO-s janë rritur ndjeshëm së fundmi, që prej sulmit të Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimeve për shtrirje të konfliktit përtej kufijve të saj.
Përdorimi i dronëve iranianë nga Rusia, zbardhet lëvizja më e fundit nga Britania, Franca dhe Gjermania
Britania, Franca dhe Gjermania i bënë thirrje të premten OKB-së të ndërmarrë një hetim lidhur me akuzat që Rusia ka përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën, duke thënë se Moska ka shkelur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit.
Në një letër të nënshkruar nga të dërguarit e tyre në OKB që e ka siguruar agjencia Reuters, tre vendet mbështesin thirrjen që Ukraina bëri të hënën për një hetim të tillë, duke argumentuar se përdorimi i dronëve shkeli Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në mbështetje të marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015.
Ukraina thotë se Rusia ka përdorur dronë sulmues Shahed-136 të prodhuar nga Irani. Tehrani mohon të ketë dërguar dronë në Rusi dhe Moska ka mohuar që forcat e saj të kenë përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën.
“Ne do të mirëprisnim një hetim nga ekipi i Sekretariatit të OKB-së përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Rezolutës 2231 dhe do të jemi të gatshëm të mbështesim punën e Sekretariatit në kryerjen e hetimeve teknike dhe të paanshme,” shprehen në letër tre vendet, që njihen si grupi E3.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres raporton dy herë në vit në Këshillin e Sigurimit, në qershor dhe dhjetor, mbi zbatimin e rezolutës 2015. Nëse bëhet një vlerësim i përdorimit të dronëve iranianë për sulme në Ukrainë, ai ka të ngjarë të përfshihet në atë raport./VOA
Prag lufte? Rumania merr vendimin urgjent në rast sulmi bërthamor, ja çfarë po përgatit
Luftimet rreth centraleve bërthamore të Ukrainës dhe kërcënimet e Rusisë për përdorim të armëve bërthamore taktike kanë ringjallur frikën bërthamore në Evropë. Kjo është e pranishme veçanërisht në vende si Polonia dhe Rumania, të cilat kufizohen me Ukrainën dhe do të përballeshin me pasoja më të mëdha në rast të një ekspozimi ndaj rrezatimit.
Periudha e paqes që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik u dha një ndjesi sigurie qeverive, duke bërë që ato të mos u kushtonin shumë rëndësi planeve të tyre të mbrojtjes civile. Disa qendra të vjetra strehimi sot cilësohen si muze ose relike të një epoke më të hershme të frikës bërthamore që sot nuk ofrojnë mbrojtje të vërtetë.
Në Rumani, ish-miniera e madhe nëntokësore e kripës, “Salina Turda” tani një pikë turistike, është në listën e qeverisë si një nga objektet që mund të shërbejnë si qendër strehimi.
“Kjo minierë kripe është në kategorinë e hapësirave që mund të përdoren përkohësisht, që nuk janë qendra të duhura strehimi, por që mund të shërbejnë për mbrojtje. Unë përfaqësoj rajonin e Bukureshtit dhe Ilfovit dhe ne nuk kemi këtë lloj hapësire, por kemi hapësira të tjera në pjesën tjetër të vendit si stacionet nëntokësore të trenave”, thotë Lejtnant Koloneli Vasile Daniel, zëdhënës i drejtorisë së Bukureshtit për situatat emergjente.
Pas ndërprerjes së shfrytëzimit, miniera e kripës “Salina Turda” u bë një qendër strehimi kundër sulmeve ajrore për popullsinë e qytetit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Analisti rumun i Forumit të Ekspertëve në Bukuresht, Sorin Ionita nuk mendon se “popullatat në Evropën Lindore kanë frikë të madhe sepse kjo mund të jetë një përvojë shumë hipotetike” duke iu referuar një sulmi të mundshëm me armë bërthamore.
“Një sulm bërthamor, përveç faktit që nuk do të sillte një avantazh të madh ushtarak për Rusinë, për shumë arsye të tjera, nuk ka shumë të ngjarë të ndodhë. Në aspektin politik, përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja të kufizuara dhe do të shkaktonte një nivel më të lartë të përshkallëzimit të luftës”, thotë analisti rumun Sorin Ionita.
Ndërsa Cristian Parvulescu, dekan i fakultetit të shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Rumanisë thotë se sistemi i mbrojtës nga raketat dhe prania e trupave të NATO-s në vend janë faktorë të rëndësishëm për Rumaninë.
“Përveç faktit që Rumania është anëtare e NATO-s dhe më shumë trupa të NATO-s janë dislokuar në vend si masë mbrojtëse, kemi edhe mburojën Deveselu, e cila ka krijuar tensione me Rusinë. Ky sistem i mbrojtjes ajrore mund të interceptojë raketat balistike që mund të lëshohen nga territori rus. Kështu që Rumania është e mbrojtur mirë dhe mund të interceptojë shumicën e raketave balistike, por ky rrezik në të vërtetë nuk ekziston”, thotë ai.
Zëdhënësi i drejtorisë së Bukureshtit për situatat emergjente, Vasile Daniel thotë se koncepti i strehimit në raste të një sulmi bërthamor nuk është i rregulluar me ligj. Ndërsa analisti Sorin Ionita thotë se strehimi i njerëzve në minierën e kripës “Salina Turda” do të ndeshej me shumë probleme praktike sepse nuk janë bërë përgatitjet e duhura për një gjë të tillë. Sipas, tij nuk është mbajtur asnjë stërvitje për strehimin e njerëzve në këto objekte.
Irani nën hetimet e OKB-së – dronët iranianë ndihmojnë rusët në pushtimin e Ukrainës
Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kërkuan sot një hetim të Kombeve të Bashkuara mbi pretendimet se Rusia përdori drone me origjinë iraniane për të sulmuar Ukrainën.
Në një letër të nënshkruar nga të dërguarit e tyre në OKB, grupi i tre shteteve evropiane i njohur si E3 mbështeti thirrjen e Ukrainës për një hetim të tillë, duke argumentuar se përdorimi i dronëve shkeli Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mbështet marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015.
Ukraina pretendon se Rusia përdori municione drone iraniane “shahed-136” që lundrojnë drejt objektivit të tyre përpara se të bien me shpejtësi të lartë dhe të shpërthejnë në përplasje.
Teherani mohon se ka furnizuar me dronë Moskën dhe Rusia mohon që forcat e tij kanë përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën.
“Ne do të mirëpresim hetimin e Sekretariatit të OKB-së përgjegjës për monitorimin e zbatimit të Rezolutës 2231 dhe jemi të gatshëm të mbështesim punën e Sekretariatit në kryerjen e hetimeve të tij teknike dhe të paanshme”, thuhet në letrën e tre vendeve evropiane.
Vihet re se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tradicionalisht raporton dy herë në vit, në qershor dhe dhjetor, në Këshillin e Sigurimit për zbatimin e rezolutës së vitit 2015 dhe çdo vlerësim i dronëve në Ukrainë ka të ngjarë të përfshihet në atë raport.
Udhëhoqi bombardimet ndaj civilëve në Siri, kush është gjenerali mizor që Putin e vuri në krye të luftës në Ukrainë
Gjenerali Sergei Surovikin, që zbaton strategjinë e re ushtarake të presidentit Vladimir Putin në Ukrainë është i njohur për mizorinë e tij në bombardimin e civilëve sirianë nga Rusia.
Ai pati rol në vdekjen e tre protestuesve në Moskë gjatë grushtit të dështuar të shtetit kundër Mikhail Gorbaçovit në vitin 1991 që përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik.
Pa flokë dhe me pamje të egër, gjenerali Surovikin u vu në krye të forcave ruse në Ukrainë në 8 tetor, pasi në këto 8 muaj luftë, Moska është detyruar të bëjë një sërë tërheqjesh kaotike dhe zmbrapsje të tjera.
Presidenti Putin e vuri në krye të forcave të ushtrisë 56- vjeçarin, pas bombardimit të urës strategjike në Gadishullin e Krimesë që e vuri në pozitë të vështirë Kremlinin dhe krijoi probleme logjistike për forcat ruse.
Rusia u përgjigj me breshëri raketash në të gjithë Ukrainën, që zoti Putin tha se kishin për qëllim të rrëzonin infrastrukturën energjitike dhe qendrat e komandës ushtarake ukrainase. Sulme të tilla kanë vazhduar çdo ditë, duke goditur centrale dhe objekte të tjera me raketa dhe dronë të prodhuar nga Irani.
Gjenerali Surovikin ruajti detyrën e shefit të forcave ajrore, një pozicion që mund ta ndihmojë të koordinojë sulmet ajore me ndërhyrjet e tjera.
Gjatë bombardimeve më të fundit, disa blogerë rusë të luftës shpërndanë një deklaratë që i atribuohet atij, ku shprehej synimi për të vijuar sulmet me forcë të pandalshme, për të goditur qeverinë e Kievit deri në dorëzim të saj.
“Nuk dua të sakrifikoj jetët e ushtarëve rusë në një luftë guerile kundër grupeve fanatikë të armatosur nga NATO,” citohej ushtaraku në deklaratën e shpërndarë. “Ne kemi mjaftueshëm mjete teknike për të detyruar Ukrainën të dorëzohet.”
Edhe pse vërtetësia e deklaratës nuk mund të konfirmohet, duket se ajo pasqyron të njëjtën qasje të fortë që zoti Surovikin zbatoi në Siri ku ai mbikqyri shkatërrimin e qyteteve të tëra për të zhdukur rezistencën rebele pa i kushtuar shumë vëmendje popullsisë civile. Ky bombardim pa dallim, u dënua nga grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe disa media e kanë quajtur atë “Gjeneral Armagedoni”.
Presidenti Putin i dha gjeneralit Surovikin medaljen më të lartë të vendit, atë të Heroit të Rusisë, në vitin 2017 dhe e gradoi atë si gjeneral të përgjiithshëm.
Përkrahësit e Kremlinit vlerësuan emërimin e zotit Surovikin në Ukrainë. Yevgeny Prigozhin, një biznesmen milioner i quajtur “shefi i Putinit” i cili zotëron një kompani që ka marrë kontrata nga ushtria që luan një rol kyç në luftimet në Ukrainë, e vlerësoi atë si “komandantin më të mirë në ushtrinë ruse”.
Por edhe pse përkrahësit e vijës së ashpër prisnin që zoti Surovikin të shtonte raketat mbi Ukrainën, deklaratat e tij të para publike pas emërimit ngjanin më shumë si njohje e dobësive të ushtrisë ruse se sa kërcënime.
Në deklaratat e tij në televizionin shtetëror rus, zoti Surovikin pranoi se forcat ruse në Ukrainën jugore ishin në një “pozitë mjaft të vështirë” përballë kundër sulmeve ukrainase.
Në deklaratat e kujdesshme që zoti Surovinkin u pa t’i lexonte në teleprompter, ai tha se veprimet e mëtejshme në rajon do të varet ecuria e luftimeve. Vëzhguesit e interpretuan deklaratën e tij si një përpjekje për të përgatitur publikun për një tërheqje të mundshme ruse nga qyteti strategjik jugor Kherson në Ukrainën jugore.
Gjenerali Surovikin e filloi karrierën e tij ushtarake në ushtrinë sovjetike në vitet 1980 dhe, si toger i ri, u emërua komandant i njësisë. Më vonë ai u ngrit në postin e shefit të Forcave Ajrore, duke shkaktuar reagime të ndryshme në radhët e tyre, sepse ishte hera e parë që ky post iu dha një oficeri të këmbësorisë.
Ai ishte në qendër të një përplasjeje politike në gusht të vitit 1991, kur udhëheqja e vjetër e Partisë Komuniste organizoi një grusht shteti, duke rrëzuar përkohësisht udhëheqësin e atëhershëm Mikhail Gorbaçov dhe duke dërguar trupa në Moskë për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Gjenerali Surovikin komandoi një nga batalionet e mekanizuara të këmbësorisë që u futën në kryeqytetin rus.
Rezistenca popullore u rrit shpejt dhe në orët e fundit të grushtit të shtetit tre-ditor, protestuesit bllokuan një autokolonë të blinduar të udhëhequr nga gjenerali Surovikin dhe u përpoqën t’u vënë flakën disa prej automjeteve. Në një përleshje kaotike, dy protestues u qëlluan dhe një i tretë u shtyp për vdekje nga një automjet i blinduar.
Menjëherë pas dështimit të grushtit të shtetit gjenerali Surovikin u arrestua. Ai kaloi shtatë muaj në qeli në pritje të një hetimi, por përfundimisht u shpall i pafajshëm dhe madje iu dha grada major pasi hetuesit arritën në përfundimin se ai thjesht po u bindej urdhrave të eprorëve të tij.
Një tjetër moment i vështirë në karrierën e tij erdhi në vitin 1995, kur gjeneral Surovikin u dënua për mbajtje dhe trafik pa leje të armëve të zjarrit ndërsa studionte në një akademi ushtarake. Ai u dënua me një vit burg, por dënimi u anulua shpejt.
Ai u ngrit në mënyrë të qëndrueshme në karrierën e tij ushtarake, duke komanduar njësitë e dislokuara në ish-republikën sovjetike të Taxhikistanit, trupat e dërguara në Çeçeni dhe duke shërbyer në poste të tjera në të gjithë Rusinë.
Ai u emërua komandant i forcave ruse në Siri në vitin 2017 dhe shërbeu për një mandat të dytë atje në vitin 2019, ndërsa Moska u përpoq të mbështeste regjimin e presidentit Bashar Assad në përpjekjet për të rimarrë territorin mes një lufte civile shkatërruese.
Në një raport të vitit 2020, “Human Rights Ëatch” përmendi gjeneralin Surovikin, së bashku me Presidentin Putin, Presidentin sirian al-Asad dhe figura të tjera si përgjegjës për shkelje të të drejtave njeriut gjatë ofensivës siriane të viteve 2019-2020 në provincën e Idlibit.
Sipas mediave ruse, ai me sa duket ka një temperament që nuk është pëlqyer nga vartësit e tij. Një oficer që ka shërbyer nën komandën e gjeneralit Surovikin u ankua tek prokurorët se gjenerali e kishte rrahur pasi ishte zemëruar për mënyrën se si ai votoi në zgjedhjet parlamentare. Një tjetër vartës thuhet se ka qëlluar veten për shkak të një konflikti me gjeneralin Surovikin. Hetuesit nuk gjetën shkelje në asnjërin prej këtyre rasteve.
Historia e tij në Siri mund të ketë qenë një faktor që ka ndihmuar në emërimin e tij si komandant i forcave ruse në Ukrainë, ndërsa Presidenti Putin ka marrë vendime për të intensifikuar aksionet dhe për të përmbysur një seri humbjesh të mëdha në fushën e betejes.
Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për shtimin e sulmeve në Ukrainë, e vlerësoi zotin Surovik si “një gjeneral të vërtetë dhe një luftëtar, me përvojë të mirë, largpamës dhe të fuqishëm që i jep përparësi patriotizmit, nderit dhe dinjitetit”.
“Grupi i bashkuar i forcave (në Ukrainë) është tani në duar të sigurta,” tha zoti Kadyrov, i cili ka mbështetjen e Kremlinit, duke shprehur besimin se ai do ta “përmirësojë situatën në terren”.
Lukashenko ‘shuplakë’ Putinit, merr vendimin e papritur
“Bjellorusia nuk planifikon të shkojë në luftë me askënd, vendi nuk ka nevojë për luftë.”
Kështu u shpreh presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko gjatë një inspektimi të produkteve ushtarako-industriale në rajonin e Brest.
“Ne nuk do të shkojmë askund sot. Nuk ka luftë tani. Nuk kemi nevojë për të,” tha Lukashenko.
Lexo edhe: LIVE: A do ta sulmojë edhe Bjellorusia Ukrainën? Irani del me thirrjen urgjente për shtetasit e tij
Lukashenko hodhi poshtë edhe një herë informacionin e përhapur në rrjetet sociale se Bjellorusia po kryen një mobilizim të fshehtë.
“Duhet të qetësohemi. Të gjithë duhet të bëjmë biznesin tonë nëse duam të mos kemi luftë,” theksoi ai.
Burimi: GAZETA.MK