Një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet sot për të trajtuar krizën e përshkallëzuar humanitare në Ukrainë.
SHBA, Britania, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Shqipëria kërkuan takimin, raportojnë burime diplomatike, pas rritjes së bombardimeve ndaj zonave civile ditët e fundit, shkruan BBC, transmeton “Bota sot”.
SHBA, Britania e Madhe dhe Franca janë të gjitha anëtarë të përhershëm të këshillit së bashku me Rusinë dhe Kinën. Rusia ende mban presidencën e Këshillit të Sigurimit për muajin mars – që do të thotë se përparimi në disa rezoluta është penguar.
Raportohet se po zhvillohen gjithashtu diskutime për të krijuar një rast që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së – e cila përbëhet nga të gjitha shtetet anëtare.
Zelensky pretendon se një numër i madh i rusëve kanë vdekur
Në fjalimin e tij të fundit gjatë natës së mbrëmshme, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky pretendoi se humbjet e Rusisë në Ukrainë ishin më të larta se në luftërat në Siri, Çeçeni dhe Afganistan.
Duke iu drejtuar rusëve në rusisht, Zelensky tha: “Trupat ruse po pësojnë humbje të tilla në Ukrainë, të cilat nuk u shkaktuan as në Siri, as në Çeçeni. Trupat sovjetike nuk pësuan humbje të tilla as në Afganistan.”
Nuk ka gjasa që mesazhi të jetë dëgjuar nga shumë njerëz në Rusi, ku informacioni rreth luftës po kontrollohet fort.
Se si Zelensky arriti në këtë projeksion është e paqartë.
Inteligjenca amerikane vlerëson se më shumë se 7,000 trupa ruse kanë vdekur gjatë pushtimit të Ukrainës.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, rreth 15,000 trupa sovjetike vdiqën në luftën afgane (1979-89), të paktën 13,000 trupa ruse vdiqën në luftërat çeçene dhe numri i të vdekurve rusë në Siri renditet në qindra.
Kryebashkiaku i Melitopol lirohet në këmbim të nëntë rekrutëve rusë
Më herët u raportua se kryebashkiaku i Melitopolit u lirua pasi dyshohet se ishte mbajtur peng nga trupat ruse për më shumë se pesë ditë.
Tani po dalin raporte të reja që thonë se kryebashkiaku Ivan Fedorov është shkëmbyer me nëntë të burgosur rusë.
Duke folur në televizionin ukrainas, një sekretar shtypi i presidentit të Ukrainës tha se rekrutët rusë ishin midis 18 dhe 19 vjeç.
Pas rrëmbimit të Fedorov pesë ditë më parë, banorët e Melitopol dolën për të protestuar kundër rrëmbimit të tij.