Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë njoftuar se më 7 dhe 8 prill janë pranuar dorëheqjet e katër përfaqësuesve të subjektit politik Lista Serbe nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, dhe dorëheqjen nga përfaqësuesi i subjektit politik GI SPO nga komuna e Mitrovicës së Veriut, të cilët ishin emëruar më parë nga KQZ për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në këto komuna.
Pas pranimit të këtyre dorëheqjeve, kryeshefi ekzekutiv i sekretariatet të KQZ-së tha se u kanë dërguar këtyre dy subjekteve politike kërkesën për zëvendësimin e anëtarëve të dorëhequr nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.
Ahmetaj: Kemi pranuar dorëheqjet e anëtarëve të KKZ-ve të përfaqësuesve nga Lista Serbe
“Ndër aktivitetet është edhe dërgimi i ftesës së subjekteve politike për nominimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve për komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Ftesa është dërguar më 3 prill dhe afati për dorëzimin e nominimeve sipas komunave përkatëse është më datën 8 prill që është dita e djeshme dhe ne jemi në përgatitje të dokumenteve dhe listave të anëtarëve të nominuar….. Në lidhje me funksionimin e Komisioneve Komunale Zgjedhore më 7 dhe 8 prill nga zyrtarët ekzekutiv të Komisioneve Komunale Zgjedhore kemi pranuar dorëheqjet e anëtarëve të KKZ-ve të përfaqësuesve nga Lista Serbe në katër komunat dhe përfaqësuesi i KKZ nga GI SPO në komunën e Mitrovicës së Veriut. Lidhur me këtë sekretariati ka dërguar shkresën e dy subjekteve për zëvendësimin e anëtarëve të KKZ-së për këto dy komuna pra shkresa është dërguar sot dhe afati për zëvendësimin e anëtarëve për këto dy komuna është 11 prill deri në ora 16:00”, tha Ahmetaj.
Ndaj këtyre dorëheqjeve ka reaguar edhe anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi.
Kurteshi: Ata zyrtarisht nuk janë tërheq, janë tërheq veç publikisht
“Përfaqësuesit në këto zyre komunale kanë dhënë dorëheqje, subjekti politik nuk ka dërgu njoftim zyrtar kurse ne po u dërgojmë letër përsëri të njëjtit subjekt politik me na dërgu përfaqësues që janë largu me dorëheqje në emër të subjektit politikë…. Ata zyrtarisht nuk janë tërheq, janë tërheq veç publikisht me njoftu Këshillin e Sigurimit se ka probleme”, tha Kurteshi.
Derisa, edhe anëtari i KQZ-së Alban Krasniqi, tha se KQZ-ja vepron bazuar në rregulloren dhe bazuar në komunikimin zyrtar.
Krasniqi: KQZ nuk vepron bazuar në deklarata publike, vepron bazuar në komunikimin zyrtar
“KQZ nuk vepron bazuar në deklarata publike, vepron bazuar në komunikimin zyrtar që e ka me palë në këtë rast me subjektet politike. Rregullorja për Komisionet Komunale Zgjedhore, mënyrën e vendimmarrjes, zëvendësimit e gjitha këto me radhë parashohin procedurë të tillë e cila në rastin e parë një anëtar i KKZS-së jep dorëheqje atë herë kërkohet zëvendësimi me anëtarin e radhës”, tha ai.
Gjatë kësaj mbledhje, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të parë prej 18 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit më 21 prill dhe procedurat tjera deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar.
Poashtu u certifikua lista e votuesve për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.
Kjo listë sipas KQZ-së përmban 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023.
Në mbledhjen e mbajtur më 9 prill KQZ miratoi procedurën për përdorimin e kamerave në vendvotime, proces i planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ.
Sipas procedurës së miratuar nga KQZ, vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër ku do të jetë kabina e votimit si dhe ruajtja e regjistrimeve do të jetë e përkohshme, deri në asgjësimin e materialeve zgjedhore, 60 ditë.
Gjatë procesit të votimit, në ditën e zgjedhjeve, nuk do të bëhet monitorimi i kamerave dhe se qasja në imazhe mund të sigurohet vetëm me vendim të KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana të tjera.