Lista Serbe kërkon zgjedhje përmes dorëheqjeve, por s’ka këso vullnet nga kryetarët e komunave

min lexim

Kërkesa e Listës Serbe që të dorëhiqen katër kryetarët shqiptarë në komunat veriore dhe të shkohet në zgjedhje po vlerësohet jo-serioze nga kryetari i Zubin Potokut.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri thotë se partia e lidhur ngushtë me Aleksandar Vuçiqin po tenton të paraqitet si palë konstruktive tek ndërkombëtarët. Edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, kërkesën e Listës Serbe e vlerësojnë të parealizueshme, e madje thonë se vetë serbët nuk janë të interesuar që kjo parti të kthehet në pushtet.

Lista Serbe është e gatshme që edhe kësaj radhe t’i marrë votat e serbëve në katër komunat veriore.

Njëherë serbët i bindën që të largohen nga institucionet e tash po kërkojnë zgjedhje të reja përmes dorëheqjes së katër kryetarëve nga partitë shqiptare.

Për tre kryetarët tjerë nuk dihet qëndrimi, por ai që udhëheqë me Zubin Potokun nuk po i merr seriozisht kërkesat e partisë serbe, nënkryetari i së cilës ishte pjesë e sulmit terrorist në Banjskë.

“Çfarëdo që thotë kjo (Lista Serbe) përpiqet ndoshta, përpiqet kjo (Lista Serbe) por edhe vet Vuçiqi që këta i kanë lidhjet e ngushta në mes vete, përpiqen në një formë e shoh sikur në tryezat ndërkombëtare të shihet se kinse këta paskan diçka konstruktive”, ka thënë Izmir Zeqiri, kryetar i Zubin Potokut.

Zeqiri thotë se pas 24 shtatorit por edhe historikut nga e kaluara duhet të shqyrtohet ligjshmëria e Listës Serbe, ndërkaq për zgjedhje të reja nuk sheh as disponim e as kushte në terren.

Dorëheqjen nga posti i kryetarit, Zeqiri thotë se do ta konsideronte vetëm për interesin e Kosovës dhe pas një dakordimi të të gjitha palëve politike.

Në qoftë se ka interes shtetëror por edhe kontribon për gjendje më të mirë të situatës, edhe shtetit edhe qytetarëve, atëherë neve ne duhet ta japim kontributin tonë, e kam thënë edhe më përpara. Mirëpo jo pse i teket këtu Listës Serbe”, ka deklaruar ai.

Listës Serbe mund t’i teket, por jo edhe Qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, thotë se nuk do të realizohet kërkesa e Listës Serbe që përmes dorëheqjeve të arrihet tek zgjedhjet.

“Kërkesa e tyre nuk mund të realizohet në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht MAPL e ka miratuar një udhëzim administrativ i cili e përcakton dhe e saktëson mënyrën ligjore sesi mund të vije deri te zgjedhjet e reja për kryetar të komunave”, ka deklaruar Arbër Vokrri, zëvendësministër në MAPL.

Vokrri thotë se Lista Serbe duhet të distancohet nga sulmi terrorist në Banjskë. Ndërkaq nga vizitat në komunat veriore thotë se e ka kuptuar se serbët nuk kanë interesim e as vullnet që të rikthehen nën pushtetin kësaj partie.

Story i mëparshëm

Kontradikta në pretendimet e ushtrisë izraelite në lidhje me sulmin ndaj spitalit në Gaza

Story i radhës

Këto janë shenjat e horoskopit që kanë më shumë gjasa të rikthehen me ish-in e tyre

Të fundit nga