Kontradikta në pretendimet e ushtrisë izraelite në lidhje me sulmin ndaj spitalit në Gaza

“Dëshmitë” e paraqitura nga ushtria izraelite për pretendimin e saj se Spitali Baptist Al-Ahli në Rripin e bllokuar të Gazës u godit nga një raketë e lëshuar nga grupi palestinez Xhihadi Islam, kanë qenë kontradiktore, raporton Anadolu.

Në rrjetin social “X”, ushtria izraelite publikoi “kaseta telefonike” të bisedave që pretendonte se kishin ndodhur midis dy anëtarëve të Hamasit.

Postimi përmban dialogun e dy personave që pretendohet se janë anëtarë të Hamasit, e jo bisedë të anëtarëve të Xhihadit Islam, të cilët ushtria izraelite i akuzon për organizimin e sulmit.

Në bisedë, një “anëtar i Hamasit” i thotë një “pjesëtari të Hamasit”: “…Thuhet se këto raketa i përkasin grupit Xhihadi Islam”. Në dialogun në vazhdim, i njëjti person vazhdon të flasë në formën “thuhet”.

Në kasetat telefonike, përkthimi me shkrim i të cilave u shpërnda nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari në konferencën për shtyp me mediat perëndimore në mëngjes, dëgjohet deklarata: “Qenka hedhur nga varreza pas spitalit”.

Bazuar në këtë, zëdhënësi Hagari ka pohuar se sulmi në të cilin humbën jetën qindra palestinezë është kryer nga Xhihadi Islam nga varreza menjëherë pranë spitalit.

Harta e raketave e ushtrisë izraelite dhe pretendimi i varrezës nuk përputhen

Në një postim në orën 01:40 me kohën lokale, ushtria izraelite pretendoi se një raketë e lëshuar nga grupi Xhihadi Islam nga Rripi i Gazës i bllokuar nuk mundi të arrinte rrezen e saj dhe goditi Spitalin Baptist Al-Ahli në një distancë të shkurtër.

Ushtria izraelite pretendoi se një hartë grafike, për të cilën ajo pretendonte se ishte e bazuar në sistemet e radarëve, vërtetonte rrugët e raketave të lëshuara nga Rripi i Gazës.

Megjithatë, varreza, e cila përmendet se gjendet pikërisht pranë spitalit në “kasetat telefonike” që ndau ushtria, është mjaft larg nga pikat e nisjes së raketave të shënuara në hartë.

Ka kilometra mes varrezës pranë spitalit dhe pikave të nisjes së raketave që duken në hartë.

Pyetja e fuqisë së municionit

Zëdhënësi i ushtrisë Hagari bëri edhe një prezantim vizual në konferencën për shtyp që mbajti mëngjesin e sotëm lidhur me sulmin ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza.

Hagari, i cili ekspozoi fotografi ajrore që u pretendua të tregonin vrimat e shrapnelave në çatinë e spitalit, pohoi se vrimat e hapura në tokën ku kanë rënë bombat në sulmet e tjera të forcave izraelite nuk janë parë në parkingun e spitalit.

Në prezantimin e tij, Hagari tregoi disa fotografi që tregonin se municioni i përdorur nga ushtria izraelite krijonte vrima 9 deri në 13 metra në tokë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse grupi Xhihadi Islam kishte raketë që do të rezultonte me kaq shumë viktima, Hagari sugjeroi se “raketa nuk mundi të përfundonte rrugën e saj dhe për këtë arsye mund të ketë shkaktuar dëme më të mëdha kur karburanti brenda ka marrë flakë”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite pretendoi se Hamasi po bën një luftë mediatike dhe po përpiqet të ekzagjerojë numrin e të vdekurve dhe tha se ata nuk kanë asnjë informacion për viktimat në spital.

Hagari deklaroi se do t’ua prezantojnë “provat dhe detajet e veçanta” që ata kanë zyrtarëve amerikanë gjatë vizitës së presidentit amerikan Joe Biden dhe se ato do t’ua përcjellin edhe vendeve të tjera “mike”.

Pyetja “pse ushtria izraelite priti për të bërë një deklaratë?”

Në konferencën për shtyp, Hagarit iu rikujtua se deklarata e parë e ushtrisë pas sulmit ndaj spitalit ishte se “nuk i kishin të gjitha detajet”.

Një gazetar kujtoi gjithashtu se ushtria izraelite fajësoi fillimisht grupet e armatosura palestineze për vrasjen e gazetares së televizionit Al-Jazeera Shireen Abu Akleh në Jenin vitin e kaluar, por më vonë u desh të tërhiqte deklaratën dhe se situata të ngjashme kishin ndodhur shumë herë. “Pse duhet t’i besojmë ushtrisë izraelite?”, shtroi pyetjen gazetari.

Hagari u përgjigj:

“Në të kaluarën kemi nxituar në nxjerrjen e konkluzioneve nga të dhënat që kishim përpara. Në këtë rast, e kemi shfrytëzuar mirë kohën tonë. Ne donim të kontrollonim çdo gjë dhe të siguroheshim se jemi të besueshëm. E përsëris, u përpoqëm të kontrollonim dhe krahasonim gjithçka për t’u siguruar që nuk do të ishte si në ngjarjet e së kaluarës që përmendët”.

Hagari pretendoi se Hamasi po përpiqet ta portretizojë ngjarjen në një mënyrë që e kthen atë në avantazhin e tij.

AA pyetje ushtrisë izraelite

Korrespondenti i AA-së pyeti zëdhënësin e ushtrisë izraelite Doron Spielman për kontradiktën midis grafikëve dhe audio-regjistrimeve të paraqitura nga ushtria.

Duke u shprehur se do të shqyrtojnë postimin në fjalë, Spielman u shpreh se kjo është një infografikë për t’i shpjeguar publikut incidentin, se nuk është i pandryshueshëm dhe se do t’i rikthehen çështjes.

Spielman tha se është e mundur që personi që përgatiti infografikën ta kishte harruar këtë informacion dhe pohoi se janë “absolutisht të sigurt se Xhihadi Islam e organizoi sulmin dhe Hamasi kreu fushatën mediatike”.

“Izraeli po përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë për masakrën”

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale, tha: “Goditja e një spitali që përmban gra, fëmijë dhe civilë të pafajshëm është shembulli i fundit i sulmeve të Izraelit pa vlerat më themelore njerëzore. I bëj thirrje gjithë njerëzimit të mobilizohet për ta ndaluar këtë brutalitet në Gaza, që është i paprecedentë në histori”.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, të paktën 471 persona kanë humbur jetën në sulmin izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza.

Kombet e Bashkuara (OKB) e dënuan ashpër sulmin dhe bënë thirrje për t’i dhënë fund sulmeve kundër civilëve dhe objekteve shëndetësore.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres deklaroi se e “priti i tmerruar” sulmin ndaj spitalit, që shkaktoi vdekjen e qindra palestinezëve. “E dënoj fuqishëm këtë sulm. Spitalet dhe personeli mjekësor janë nën mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar humanitar”, theksoi ai.

Ministria palestineze e Punëve të Jashtme ka theksuar se Izraeli po përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë për masakrën ndaj spitalit në Rripin e Gazës për të vazhduar luftën pa qenë nën presion ndërkombëtar dhe se ky veprim është një “krim lufte” dhe në të njëjtën kohë “krim kundër njerëzimit”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e dënoi ashpër sulmin, kurse Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi se autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, tha: “Cili i sëmurë mendor do të bombardonte qëllimisht një spital ku ka njerëz të pambrojtur?”.

Kryetari i Komisionit të Bashkimit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, tha: “Bombardimi izraelit i spitalit në Gaza, duke vrarë qindra njerëz, është krim kundër njerëzimit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa”.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) po ashtu e dënoi ashpër sulmin, duke theksuar: “Ne kemi nevojë urgjente për një armëpushim dhe qasje në ndihmat humanitare”.

Shumë mesazhe dënuese iu dërguan Izraelit nga vendet e rajonit në lidhje me sulmin, ndërsa qeveria jordaneze anuloi një samit ku do të merrte pjesë presidenti amerikan Joe Biden.

Arabia Saudite njoftoi se dënon “krimin e neveritshëm” të kryer nga Izraeli në termat më të ashpër. Në deklaratën zyrtare thuhej se “sulmi i egër i Izraelit”, i cili ishte shkelje e qartë e të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare, refuzohet plotësisht.

Udhëheqësi i Kishës Anglikane dhe Udhëheqësi Shpirtëror i Kishës së Anglisë, Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, kujtoi se Spitali Baptist Al-Ahli në Gaza, i cili u godit nga Izraeli, menaxhohet nga Kisha Anglikane. “Kjo është një tronditje dhe humbje e tmerrshme e jetëve të pafajshme. Unë përsëris thirrjet e mia për mbrojtjen e civilëve në këtë luftë shkatërruese”, u shpreh Welby.





Story i mëparshëm

Amazon fillon dërgesa ilaçesh përmes dronëve në SHBA

Story i radhës

Lista Serbe kërkon zgjedhje përmes dorëheqjeve, por s’ka këso vullnet nga kryetarët e komunave

Të fundit nga