Liqeni i Badovcit, është padyshim njëri ndër bukuritë e shumta natyrore që ka Kosova.
Ky liqen gjendet vetëm pak kilometra larg Prishtinës. Është një vend i qetë, e i rrethuar me male.
Disa preferojnë ta vizitojnë këtë liqe për të kaluar fundjavën me familjen apo shoqërinë, por disa të tjerë edhe për të peshkuar.
Liqeni i Badovcit është i pasur me lloje të ndryshme peshqish.
Bekim Graina çdo javë vjen nga Prishtina për të peshkuar këtu.
Që nga paslufta, Graina thotë se merret me peshkim. Mirëpo, e veçanta e këtij peshkatari, është se ka vetëm një lloj peshku që e peshkon, e ai është Krapi.
Graina: Jam i dashuruar në Krapin
“Më së shpeshti e vizitojë liqenin e Badovcit , sepse ndihem shumë mirë këtu edhe peshk ka. Kam filluar duke shtuar nëpër reka. Këtu në Badovc e bëjë peshkimin e Krapit. Këtu vij shumë shpesh dhe kur të vijmë rrimë një deri dy natë, por mund të ndodh deri në katër ditë që qëndrojmë në liqen. Nuk është peshkim i shpejtë, por është peshkim në pritje që duhet me qëndruar ma gjatë për me peshku Krapin. Jam i dashuruar në të sepse e ka fuqinë tërheqjes më të madhe është më atraktiv për peshkim. Shumicën e rasteve vijmë me shokë por edhe me familje”, tha Graina.
Peshkatari tregon se këtë sport e bënë vetëm për hobi.
Ai, thotë se ka leje për peshkim dhe se tash e dy dekada nuk ka peshkuar asnjëherë pa leje.
“Ka raste që nuk zë asnjë, por ka raste që mund t’i kap tre e katër, varësisht se si ushqehen peshqit. I kemi shtagat e peshkimit hedhim ushqim dhe presim nëse mund të kapim diçka dhe pastaj ecim prapë në shtëpi. Në peshkim më pëlqen qetësia, boll punojmë këtu nuk na pengon askush dhe relaksohemi”, tha ai.
Ai kujton momentin e veçantë të jetës së tij para tetë viteve kur kishte arritur ta kapte peshkun më të madh, që kishte peshuar 14 kilogram dhe ishte lloj Krapi.
“Peshkun më të madh e kam 14 kilogram e gjysmë dhe është Krap. E kam lëshuar dhe kjo ka ndodhur para tetë viteve. Ndërsa në këtë vit kam kapur vetëm një peshk dy kilogram”, përfundoi ai.
Liqeni i Badovcit ka rreth 20 lloje të peshqve
Për Arbresh.info, kryetari i Federatës së Peshkatarëve në nivel të Kosovës, Milaim Vitia, tregon se ky liqen ka plotë 20 lloje të peshkut.
Sipas tij, ekzistojnë disa lloje të peshqve që peshojnë deri në 200 kilogram. Por, këta peshq, sipas tij, nuk lejohen të kapen.
Vitia, tregon edhe çmimin e anëtarësimit në Federatën e Peshkatarëve të Kosovës.
“Liqeni i Badovcit është e mbushur me ujë në tërësi, ku ka 20 lloje të peshkut. Diku 75 kilogram e kanë zënë me grep peshkatarët, i cili quhet Silur Somi. Mirëpo, janë disa peshqi diku 7-8 peshqi të cilat janë deri në 200 kilogram. Ata janë që nuk kapen gjatësia është diku deri në katër metra e gjysmë pesë. Peshkatarët nëse duan që të anëtarësohen në shoqatë, anëtarësimi është 20 euro”, tha ai.
Po ashtu, ai thotë se për të marrë lejen dhe për tu anëtarësuar në këtë shoqatë, fillimisht të interesuarit duhet të mbajnë një trajnim, të realizojnë disa provime dhe pastaj të certifikohen.
“Që nga paslufta e deri më tash, federata jonë ka pasur diku 2 mijë e 200 peshkatarë, kurse tani janë diku rreth 3 mijë. Për herë të parë jemi pranuar ndërkomtarisht në Evropë që kemi drejtë të bëjmë gara për peshkim. Më herët peshkimin e kanë shkatërruar rrjetat, ku ne jemi duke punuar ditë e natë për ta rregulluar për t’i rikthyer peshqit për me pasur më shumë. I kemi shumë disa liqene të mira në Kosovë. Nuk kemi nevojë me shkuar në Shqipëri në Maqedoni për të peshkuar kur ne kemi gjitha kushtet”./EO
Ai na tregon edhe llojet e peshqve me të cilat është i pasur ky liqe, përfshi peshkun Som, Krapi, Shtuka dhe Deverika.
“Llojet vijnë e shtohen koha e shumimit të peshkut është nga janari deri në muajin e gjashtë është me faza. Por ne më së shumti jemi të përkushtuar tek lloji i peshkut Krapi, peshkimi i të cilit është i ndaluar në muajin qershor”, shton ai.
Për ata të cilët nuk janë të pajisur me lejen e peshkimit, Vitia pohon se mund të marrin një leje ditore, e cila kushton pesë euro.
Sipas kryetari të Shoqatës së Peshkatarëve, peshku që më shumti zihet është “Peshku i bardhë”, “Siluri” dhe “Krapi”.