Ligji i ri në Gjeorgji rrezikon raportimin e pavarur në media

min lexim

Gjeorgjia shikohej dikur si një vend i sigurt për gazetarët. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Liam Scott, me hyrjen në fuqi të një ligji të ri, kritikët tonë se liria e shtypit në Gjeorgji është tashmë në rrezik.

Dhjetëra mijëra njerëz dolën këtë vit në rrugët e kryeqytetit të Gjeorgjisë, Tbilisi, për të protestuar kundër një ligji të ri për organizatat që marrin financime nga jashtë.

Por, pa ndonjë rezultat. Me hyrjen e ligjit në fuqi në shtator, organizatave jofitimprurëse dhe mediave që marrin mbi një të pestën e financimit të tyre nga burime të huaja iu duhet të regjistrohen si të ashtuquajtur agjentë të huaj, ose në të kundërt, ndaj tyre fillon inspektimi dhe vendosja e gjobave të rënda.

Mbështetësit e ligjit thonë se ai synon të mbështesë transparencën dhe sovranitetin e Gjeorgjisë.

Por, analistët paralajmërojnë se ky legjislacion mund të përdoret për të heshtur kritikët e qeverisë dhe për ta larguar Gjeorgjinë edhe më shumë nga perëndimi.

“Nëse iu duhet të regjistrohen, kjo do të kufizojë mundësitë e tyre për të raportuar lirisht dhe në mënyrë kritike ndaj autoriteteve. Por, nëse nuk regjistrohen, atëherë mund të rrënohen financiarisht”, i tha Zërit të Amerikës, Gulnoza Said, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Gjeorgjia ishte ndër vendet me më shumë liri brenda ish-Bashkimit Sovjetik. Por, ajo i është afruar më shumë Moskës gjatë viteve të fundit, ndërsa liria vazhdon të përkeqësohet dhe korrupsioni të rritet, thotë zonja Said.

“Gjeorgjia gjendet në një udhëkryq mes Rusisë dhe Perëndimit”, shton ajo.

Disa organizata në Gjeorgji thonë se preferojnë të paguajnë gjobat, sesa të regjistrohen si agjentë të huaj. Ndër to është edhe Fondacioni për Zhvillimin e Mediave, që mbron lirinë e shtypit.

“Është një kohë shumë e komplikuar për institucionet e pavarura në Gjeorgji, por kjo është lufta jonë. Duhet të mbrojmë të drejtat tona dhe duhet të mbrojmë demokracinë në Gjeorgji”, i tha Zërit të Amerikës, Tamar Kintsurashvili, nga Fondacioni për Zhvillimin e Mediave.

Gjeorgjia është vendi më i fundit në rajon që miraton një ligj të stilit rus. Kazakistani dhe Kirkiztani kanë miratuar gjithashtu ligje të ngjashme.

Megjithëse edhe Shtetet e Bashkuara kanë një ligj për regjistrimin e agjentëve të huaj, organizatat për lirinë e mediave thonë se ligji rus është shumë më i gjerë dhe përdoret kundër kritikëve.

Moska ka klasifikuar dhjetëra organizata mediatike si agjentë të huaj. Ndër to, edhe Zërin e Amerikës dhe rrjetin simotër Radio Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL).

“Bëhet më e vështirë, por nuk do të dekurajohemi. Do të vazhdojmë misionin tonë”, thotë Stephen Capus, president i Radios Evropa e Lirë.

Moszbatimi i ligjeve në Rusi pasohet me gjoba të rënda dhe me rrezikun e burgosjes. Kjo është një prej arsyeve përse Radio Evropa e Lirë dhe mediat e tjera i zhvendosën punonjësit e tyre drejt qyteteve të tjera evropiane.

“Vendosëm të qëndrojmë sa më shumë të mundemi, pasi prania në terren është jetike për ne. Dhe preteksti për t’u larguar nga vendi ishin kërcënimet ndaj sigurisë së gazetarëve”, thotë Andrei Shary, drejtor i shërbimit në gjuhën ruse në Radion Evropa e Lirë.

Sulmet ndaj mediave në Rusi, pas fillimit të luftës në Ukrainë, sollën largimin në mërgim të shumë gazetarëve, përfshirë në Gjeorgjinë fqinje.

“Me këtë ligj, Gjeorgjia mund të humbasë statusin e vendit të sigurt për shumë gazetarë kritikë nga vende të tjera. Kjo do të ishte shumë negative”, thotë zonja Said.

Me zgjedhjet parlamentare në tetor, aktivistët për lirinë e shtypit janë të shqetësuar se ligji i ri do të ndikojë tek raportimi në media për zgjedhjet./VOA

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Detaje/ Plagosja e dyfishtë në Tiranë, autori i maskuar me kapele

Story i radhës

I pari i Man Utd flet për të ardhmen e Erik ten Hag

Të fundit nga