Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve 1990-1992, profesor Çetta e nxori nga tradita iliro-arbërore-shqiptare

November 29, 2022
min lexim

I nderuar z. Përparim Rama, kryetar i kryeqytetit të Kosovës, familjarë të profesor Anton Çettës, familjarë të presidentit Rugova, e nderuar ish-presidente znj. Atifete Jahjaga, i nderuar ish-president z. Ilir Meta, të nderuar përfaqësues politikë, profesorë universiteti, intelektualë, përfaqësues te mediave dhe të gjithë ju të pranishëm!

Ju përshëndes dhe shpreh respektin tim të thellë për praninë tuaj sot këtu, me rastin e përurimit të shtatores së atdhetarit, humanistit, intelektualit dhe vizionarit largpamës Prof. Anton Çetta.

Historia nuk i ka caktuar shpeshherë një vend të veçantë përjetësimit të personaliteteve në shtatoren prej bronzi, por personalitetet që me punën dhe veprën e tyre përjetësohen në shtatore, padyshim që lënë pas një trashëgimi të pashlyer për brezat që e kujtojnë me admirim siç po bëjmë edhe ne me këtë inaugurim sot.

Zbulimi i shtatores sot përkon me ditën më të madhe të historisë sonë, ditë që shënon dy herë çlirimin e Shqipërisë, në vitet 1443 dhe 1912, dhe dy herë e shoqëruar me ngritjen e flamurit kuqezi si simbol i çlirimit. Prandaj, kjo shtatore nuk është ngritur me kritere partiake apo politike, por ka një bazë të gjerë intelektuale të bazuar në bindjen e fortë njerëzore se vepra e profesor Çettës mbart vlera që nderojnë çdo shqiptar kudo dhe kushdo që është.

Profesor Çetta nxori disa breza profesorësh dhe studiuesish të gjuhës dhe letërsisë shqipe; është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve në fushën e letërsisë popullore, por edhe i disa vëllimeve të letërsisë për fëmijë dhe të rritur, vëllime këto që paraqesin njëkohësisht një bazë solide për identitetin dhe traditën gjuhësore të zhvilluar në Kosovë dhe pjesët periferike të saj.

Prof. Çetta në shkencë u bë i njohur në studimin e thesarit popullor, përkatësisht studimin e folklorit dhe të etnografisë. Në këtë kontekst ai thoshte shpesh se “kultura popullore nuk është si një tempull i lashtësisë greke, që mbështetet në shtatë apo në tetë kolona, por një kala e ndërtuar me mijëra gurë, në të cilën kujtoj se edhe unë e kam venë një gur, sado të vogël.” Pra, për Prof. Çettën, populli ynë është bartës i traditës sonë të lashtë, krijues i identitetit tonë, me fjalë të tjera “Populli është arkivi, muzeu dhe biblioteka jonë,” pasi që institucionet e përmendura nën sundimin e huaj shumë kohë më parë ishin grabitur dhe bartur në vende të huaja.

Profesor Çetta ishte pikërisht aty ku duhej dhe me atë që i duhej në momentet më vendimtare që po kalonte shoqëria jonë në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Si një intelektual i nivelit të lartë, ai arriti të kuptonte se çfarë kishte më shumë nevojë populli në momente të caktuara. Kur shqiptarët kishin nevojë të paraqiteshin para botës me vlerat e tyre, profesor Çetta e bëri të mundur këtë duke nxjerrë traditën iliro-arbërore-shqiptare nga institucioni individualist i odave dhe duke e bërë atë pjesë të trashëgimisë kombëtare të paraqitur në formën e studimeve dhe librave. Pra, paraqet një vlerë që duhet kuptuar gjithashtu. Pastaj, në fazën tjetër të formësimit dhe avancimit kombëtar e intelektual të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, Prof. Çetta kuptoj se atyre u duhej bashkim dhe pajtim për t’i rezistuar dhe kundërshtuar më lehtë periudhës së shtypjes serbe.

Kështu lindi Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve në vitet 1990-1992, të cilën profesor Çetta e nxori nga tradita iliro-arbërore-shqiptare, por duke i dhënë vrull dhe entuziazëm të ri këtij fenomeni socio-historik. Forca dhe shtysa që mori Lëvizja për pajtimin e gjaqeve në nivel të Kosovës e kishte burimin tek profesor Çetta. Tradita e faljes së gjakut u hoq nga populli dhe u kthye në një valë të madhe tronditëse kundër fenomenit të gjakmarrjes. Masivizimi dhe inercia e krijuar e bënë këtë proces të faleshin edhe gjaqet që dukeshin të pafalshëm deri atëherë. Për këtë masivitet flet edhe fakti që në vitin 1990 në tubimin e “Verrave të Llukës”, për herë të parë në historinë e shqiptarëve u mblodhën në një vend mbi 500 mijë njerëz. Nga distanca e sotme mund të gjykohet me siguri se kjo ngjarje mund të futet në radhën e kuvendeve më të njohura nga historia jonë, si Kuvendi i Lezhës, ai i Prizrenit, i Drenicës dhe ai i Pejës, Besa-Besë!

Image

Pamje nga ceremonia e zbulimit të shtatores së Prof. Anton Çettës. Profesor Drançolli duke e lexuar fjalën e tij

 

Në vijim të rrugëtimit historik të Prof. Anton Çettës, vërejmë se në historinë e re të Kosovës, trinia e Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës dhe Anton Çetës përbën një frymëzim të qëndresës paqësore, e cila po dilte dhe po i prezantonte shqiptarët në dritën më të mirë të mundshme e që ishte kërkesë e asaj kohe për të vazhduar me qëndresën e mëvonshme të UÇK-së me në krye Adem Jasharin, komandant legjendar, dhe luftën e pashmangshme çlirimtare si imperativ i kohës.

Duke ndjekur veprimtarinë e profesor Çettës, mund të kuptojmë lehtësisht se ai e dinte saktësisht se cila lëvizje, cilës kohë i duhej në momente të caktuara. Kështu, profesor Çettën e gjejmë në të gjitha proceset që kalon Kosova derisa na la me respekt dhe krenari. Këto pak fjalë për veprën e tij madhështore na bëjnë krenarë kur sot e shohim të ngritur shtatoren e tij, e cila do të mbetet këtu përballë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës në shenjë kujtimi për njeriun e madh të një populli të vogël që din t’i nderojë dhe respektojë heronjtë e vetë.

 

Ps. Fjala e mbajtur me rastin e ceremonisë së zbulimit të shtatores së Prof. Anton Çettës (28/XI/2022)

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Hungaria pret zhbllokimin e fondeve të BE-së

Story i radhës

“Injorantëve u jepet shumë kohë në TV”, Bledi Salaj ka një mesazh dhe për Arbana Osmanin

Të fundit nga

Përshtypjet e para, rëndësia në çift

E dimë që përshtypjet e para mund të na mashtrojnë, por a është kështu gjithmonë? Sa mund të mbështetemi në intuitën tonë apo duhet ta njohim plotësisht një person përpara se të

Përse macet flenë dy të tretat e jetës?

Jeta e maceve shtëpiake përbëhet nga katër aktivitete – loja, gjuetia, ngrënia dhe gjumi. Pasi kanë prejardhjen nga macet e egra, kjo në ambient të hapur ka plotësisht kuptim, sepse janë grabitqare
ShkoLartë