Lëvizja Demokratike: Gratë 40% jo vetëm në legjislativ, por edhe në ekzekutiv

Nga viti 1991 e deri më sot, nuk ka pasur asnjë grua në tri pozitat më të larta të organeve shtetërore, kryetare të Kuvendit, të Shtetit apo të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, kjo ishte vërejtja kryesore e grave të LD-së që u mblodhën sonte në Shkup, për të diskutuar si të arrihet në një përfaqësim dinjitoz të tyre në vendmmarrje.

Në panel u tha se Ligji për mundësi të barabarta për gratë në Maqedoni i vitit 2012, nuk po realizohet në praktikë, ndërsa diskriminimi në bazë të gjinisë, sipas tyre është çdo ndryshim, përjashtim ose kufizim i bazuar në gjini, i cili ka për qëllim të pengojë njohjen, realizimin ose ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut bazuar në barazinë e grave dhe burrave në politikë, në fushat ekonomike, sociale, kulturore dhe civile ose në fusha të tjera, u tha në Panel diskutim.

Gratë janë përfaqësuar më mirë këtë vit në nivel botërorë, në Parlamentin Evropian me 39.5 për qind, ndërsa shteti afrikan i Ruandës është më i përparuar se Maqedonia e Veriut, me 61 për qind të përfaqësimit të grave në politikë.

Sipas të dhënave që prezantoi Profesoresha e juridikut Xhihan Ahmed vitet e fundit ka pasur një rritje të përqindjes së deputeteve femra në mbarë botën në përgjithësi. Në nivel botëror, Ruanda ka përqindjen më të lartë të deputeteve femra (61%), e ndjekur nga Kuba dhe Bolivia (53%). Në Parlamentin Evropian, gratë përbëjnë 39.5% të deputeteve.

Deputetja Merita Koxhaxhiku bëri një sublimim të përfaqësimit të grave ndër dekada dhe dha premtimin se gratë nën qeverisjen e Lëvizjes Demokratike do të bëj ndryshimin e madh me përfaqësim 50/50 përqind në të gjitha nivelet e menaxhimit me shtetin

Kaltrina Zekolli, dekane e Fakultetit Juridik të UNT citoi fjalët e Margareth Thaçer e cila ka thënë se ‘secila grua që kupton problemet me të cikat ballafaqohet një shtëpi, dhe i zgjidh ato, e ka shumë më lehte të zgjidh edhe problemet që ka shteti’ duke shtuar se barazia gjinore në jetën publike është një sfidë globale.

Lideri i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti ndërkaq tha se e dimë që në të kaluarën prezenca e femrës në politikë ka qenë shumë e ulët sidomos në kampin shqiptar. “Ligji parasheh që në legjislativ, përkatësisht në parlament dhe në këshillat komunal, 40 për qind të jenë gra. Por si në Kuvend, ashtu edhe në këshillat komunal shihet që prezenca është bukur mirë e ulët. Prandaj, kemi ardhur në përfundim se jo vetëm në legjislativ të jetë 40%, por edhe në ekzekutiv. Pra kjo, nënkupton ministrat, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë, përse jo edhe kryetar komunash. Pra gratë deri më tani kanë demonstruar se dinë të udhëheqin mirë nëpër institucione, janë më pak të korruptueshme. Meqë fuqi politike është ekzekutivi, është ide që vjen nga Lëvizja Demokratike që të ndryshojë edhe ligji për qeverinë dhe aty në mënyrë taksative të shënohet që 40 për qind te jenë ministre, sekretarë shtetëror, drejtorë”, tha Mexhiti.

Nermine Hamidi nga LD tha se deri para se të kyçej në politikë urrente faktin që nuk ka pozicione që gratë i meritojnë gjatë politikbërjes dhe udhëheqësisë.

‘Shpesh herë punoja në projekte të ndryshme dhe ato dëshmonin për diskriminimin e gruas në partitë politike në RMV. Derisa hasa më në fund në gatishmërinë e ideologjisë së LD për të punuar me hapa konkrete në pozicionimin e gruas në vendimmarje, në pozita ekzekutive, në procesin e politikbërjes dhe jo vetëm të marketingut mediatik sipërfaqësor që bëjnë liderët me gratë’ tha Hamidi.

Në Panel diskutim u tha se në vitet 1990, 1994 dhe 1998, përfaqësimi i femrave në Parlament ishte ndërmjet 3 dhe 8 për qind. Kuvendi sot ka 32 për qind deputete gra, por përfaqësimi në qeveri është i ulët, me më pak se 20 përqind ministre gra, ku nuk bëjnë pjesë gratë shqiptare sepse partitë shqiptare nuk i besojnë postet e ministrave asnjë gruaje shqiptare.

Story i mëparshëm

Monica Bellucci, gjithmonë elegante dhe asnjëherë vulgare

Story i radhës

​Alarmi i ri i motit ekstrem është lëshuar në Toskanë

Të fundit nga