Lëvizja botërore Climathon vjen në Shqipëri, shpallen zgjidhjet më të mira për sfidat klimatike të Tiranës

October 31, 2022
min lexim

Për herë të parë Shqipëria mirëpriti lëvizjen botërore themeluar nga Komisioni Evropian dhe mbështetur nga EIT Climate KIC, Climathon Tirana, në data 28-30 Tetor.

Organizuar në mbi 145 qytete dhe 56 shtete dhe si një platformë me misionin për të fuqizuar qytetarët dhe vendimmarrësit të cilët së bashku mund të krijojnë një të ardhme më të mirë, në Shqipëri Climathon Tirana grumbulloi mese 150 të rinj nga Tirana dhe qytete të tjera për tu gjetur zgjidhje 5 sfidave të përcaktuara nga Bashkia Tiranë: Efikasiteti Energjetik, Ruajtja e Ujit, Qytetet e Gjelbra, Mobiliteti i Qëndrueshëm dhe Biodiversiteti.

Një eveniment i cili zgjati për 48 orë, të rinjtë me ndihmën e ekspertëve më të shquar të fushës, zhvilluan zgjidhjet e tyre novatore me në mendje sfidat klimatike.

Monitorimi dhe menaxhimi i mbetjeve përmes sensorëve të vendosur në kosha, riciklimi i plastikës dhe aluminit, menaxhimi i konsumit të ujit dhe menaxhimi i trafikut e si rezultat ulja e emetimit të dioksidit të karbonit(CO2) ishin disa prej ideve më të spikatura të këtij edicioni.

Mbështetur nga partnerë si SlovakAid, Innovation League, UNICEF, Banka Credins, One Telecommunication dhe Universiteti “Marin Barleti,” Climathon Tirana u organizua nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me ICTSlab.

Në këtë aktivitet nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes znj. Edona Bilali, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonominë z. Eduard Shalsi, Nënkryetarja e Bashkisë znj. Keti Luarasi dhe përfaqësues të partnerëve Sllovakë nga Innovation League dhe Bashkia e Bratislavës si Michal Laco, Martin Vesely, Eva Simekova, Marek Lavcak, Simona Talacova dhe Slavo Miroslej.

Kjo ngjarje synon integrimin e Tiranës dhe qytetarëve të saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme përmes rritje të efikasitetit funksional të qytetit.

28 ekipe u regjistruan në këtë edicion ndërsa 11 prej tyre arritën në finalen e Climathon Tirana. Në fund të evenimentit zgjidhjet e prezantuara nga 4 ekipe u shpallën idetë më të mira: Clean City, Trash2Cash, Hack2O dhe HopOn.

Tre vendet e para u shpërblyen me vlera monetare 2500 euro, 1000 euro dhe 500 euro respektivisht ndërsa ekipi i katërt u shpërblye pajisje elektronike sponsorizuar nga One Telecommunication dhe ALBtelecom.

Climathon Tirana 2022

Edicioni i parë i Climathon Tirana filloi ditën e Premte më 28 Tetor në orën 18:00 pranë Kampusit të Universitetit “Marin Barleti” në Selitë me pjesëmarrjen e bashkëthemeluesit të ICTSmedia dhe ICTSlab z. Kushtrim Shala dhe Drejtoreshës së Mjedisit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm pranë Bashkisë Tiranë znj. Julinda Dhame, dhe përfaqësues të partnerëve të Climathon Tirana të cilët përshëndetën pjesëmarrësit.

Dita e dytë nisi me mentorim 1n1 dhe punë në grup ndërsa e gjithë vëmendja ishte drejt vlerësimit të ideve me mbështetjen e ekipit organizativ, mentorëve dhe partnerëve si: Aulona GjokutaJoni BabociMartin Vesely, Sibel PipaSaimir KristoErvin ShehajMichal LacoVerdi NorjaKaterina MarkuAndreas Yngve RugovaGazmend ZeneliAmir Esmaeilakhtar, Dhurata Thanasi DaneriRavik MimaOlta VejsiuRudina Murati dhe Eva Simekova.

Dita e tretë erdhi me prezantimet finale dhe shpalljen e fituesve nga juria e përbërë nga: Drejtori i Projekteve Strategjike dhe Investimeve të huaja në Bashkinë Tiranë z. Genci Kojdheli, përfaqësuesja e UNICEF Albania znj. Edina Kozma, z. Joni Baboci, Associate Partner në CIVITTA z. Michal Laco, dhe znj. Eranda Shalsi. Katër komisione jurie u angazhuan për të përzgjedhur 11 finalistët e këtij edicioni nga 24 grupe.

Idetë fituese të Climathon Tirana

  1. Clean City

Clean City u shpall projekti fitues i edicionit të parë të Climathon Tirana. Ky projekt fokusohej në monitorimin dhe menaxhimin e mbetjeve nëpërmjet disa sensorëve te instaluar në çdo kosh, nga ku arrihej të monitorohej sasia e mbeturinave brenda koshave.

E gjithë situata monitorohet nëpërmjet komunikimit 4G, ku përveç sasisë së mbeturinave në kosh, ky produkt ofron dhe matjen e nivelit të CO2 që emetohet nga koshat. Për të ofruar një menaxhim më të mire logjistik dhe efikas, makinat që grumbullojnë mbetjet do kenë mundësinë që nëpërmjet aplikacionit të krijuar gjatë kësaj fundjave të gjejnë rrugën më të shkurtër drejt koshave të tejmbushur. Implementimi i këtij produkti do i sjell qytetit të Tiranës një ambient më të pastër dhe të gjelbër, një shpërndarje më të saktë të koshave të mbeturinave dhe jo më pak e rëndësishmja, të dhëna rreth emetimeve që koshat e mbeturinave lëshojnë në ajër.

  1. Trash2Cash

Vendi i dytë i këtij edicioni shkoj për Trash2Cash, me fokus ndaj riciklimit të plastikës dhe aluminit që shpërblen çdo individ i cili ndihmon në këtë proces. Çdo individ që do angazhohet në menaxhimin e plastikës do shpërblehet me disa pike që më pas mund të përdoren në biznese të ndryshme për të përfituar produkte me ulje. I gjithë ky aktivitet kryhet nëpërmjet një aplikacioni i cili mat çdo kontribut që ju sillni në menaxhimin e plastikës dhe riciklimin e saj. Ky produkt do jetë end-to-end që do të thotë se do kujdeset për çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit nga individët tek bizneset dhe në fund në kompani riciklimi.

Nëpërmjet këtij aplikacioni, qytetarët e Tiranës do jenë më të motivuar për riciklimin e plastikës dhe grumbullimin e saj në koshat përkatës për të ndihmuar procesin. I gjithë ky proces në afatgjatë do sjelli një kulturë të re dhe ndërgjegjësim drejt rëndësisë së menaxhimit të mbetjeve plastike.

  1. Hack2O

Në vendin e tretë u rëndit projekti me fokus ndaj ruajtjes së ujit, Hack2O. Ky projekt do ndihmojë në menaxhimin e konsumit të ujit nëpërmjet analizës së të dhënave, monitorimit ditor të përdorimit të ujit dhe njoftimit të konsumit jo normal të ujit.

Ky aplikacion synon të nxisë qytetarët të bëjnë pagesat mujore të tarifave të ujit në kohë duke ofruar një përqindje të sasisë totale mbrapsht në mënyrë që të rrisim ndërgjegjësimin ndaj rëndësisë së ruajtjes së ujit. Ky produkt do ofrojë mundësinë e njoftimit sa herë ju harroni ujin hapur e cila në afatgjatë do ndihmoj në uljen e konsumit të ujit dhe shpenzimeve të individëve. Implementimi i këtij aplikacioni parashikon një ulje të sasisë së humbjes në rrjet me 10%, fasha orare më të gjata të furnizimit me ujë në zonat në nevojë dhe jo më pak e rëndësishmja ndërgjegjësim kundrejt ruajtjes së ujit.

  1. HopOn

Climathon Tirana në fillim parashikonte vetëm 3 ekipe fituese, por partnerët tanë të One Telecommunication dhe ALBtelecom vendosën të ofronin 5 pajisje elektronike për vendin e 4-t në të cilin u rëndit projekti HopOn. Ky projekt krijon mundësinë e që persona me destinacione të njëjta të ndajnë të njëjtin mjet transporti. Ky aplikacion mundëson që individët e interesuar të regjistrohen dhe të ndajnë me komunitetin nevojën e tyre. Duke qenë se Tirana vuan nga një trafik i rënduar i cili përkthehet në emetime të larta të CO2 ky aplikacion do ndihmojë në lehtësimin e trafikut i cili në mënyrë direkte do ndikoj në uljen e sasisë së CO2 në ajër.

Implementimi i këtij aplikacion do ndikojë në përmirësimin e disa faktorëve si: më pak trafik, më pak gazra të emetuar, udhëtime më të shpejta që përkthehen si minuta të kursyer dhe gjithashtu ndërgjegjësim se si të jemi më efikas në përdorimin e mjeteve tradicionale me lëndë djegëse.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Forumi ministror BE-Ballkani Perëndimor mbahet në Tiranë më 3 e 4 nëntor

Story i radhës

3 gjëra për të mbajtur mend kur prekni fundin

Të fundit nga

ShkoLartë