Diplomati britanik nga qendra gjeopolitike në Universitetin Cambridge, Timothy Less, në një intervistë dhënë për tëvë1 nuk e ka përjashtuar mundësinë që presidenti rus, Vladimir Putin të përdorë armë nukleare.
Rusia po shkon drejt një katastrofe. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka filluar ta humbas mbështetjen e qytetarëve rus e madje edhe të bashkëpartiakëve të tij.
Kështu ka deklaruar Timothy Less nga qendra për gjeopolitikë në Universitetin e Cambridge.
Less, fillimisht ka treguar arsyet se pse Putini e ndërmori aksionin ushtarak ndaj Ukrainës.
“Jam i sigurt se motivimi i tij për pushtimin e Ukrainës në radhë të parë ishte ndjenja e tij se Rusia është një fuqi në rënie dhe se misioni i tij historik është të ndalojë këtë rënie duke bllokuar përparimin e NATO-s dhe SHBA-së në Ukrainë. Frika e tij do të jetë se Rusia nuk do të mbijetojë, të paktën në formën e saj aktuale, kështu që humbja për të nuk është një opsion. Nuk duket se rusët e zakonshëm duan vërtetë ta bëjnë këtë luftë, duke pasur parasysh protestat kundër mobilizimit dhe largimin e më shumë se një çerek-milion burrave në javët e fundit”, u shpreh Less.
Diplomati britanik nuk e ka përjashtuar mundësinë që Putini të përdorë edhe armë bërthamore në këtë luftë.
Por, sipas Less, në rast se Putin e ndërmerr një veprim të tillë, kjo do të nënkuptonte fundin për të.
“SHBA-ja e ka paralajmëruar Rusinë se ajo do të përballet me pasoja katastrofike nëse përdor armë bërthamore. Rusia gjithashtu mund të humbasë aleatët e saj ndërkombëtarë të mbetur si Kina, India dhe Turqia, të cilët ka të ngjarë t’i bashkohen regjimit të sanksioneve. Prandaj, është e mundur të imagjinohet një skenar në të cilin Putin urdhëron përdorimin e armëve taktike bërthamore dhe gjeneralët e tij refuzojnë të binden, duke shkaktuar largimin e tij nga pushteti dhe përfundimin e luftës”, shtoi ai.
Vladimir Putin, që kur ka filluar me agresionin ushtarak në Ukrainë, në vazhdimësi e ka përmendur fuqinë bërthamore të Rusisë.
Rusia vlerësohet të ketë rreth 5,977 koka bërthamore, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë. 34 më shumë se e gjithë Aleanca Veri-Atlantike (NATO).