Amir Rrahmani është bërë lider i ri i Napolit falë paraqitjeve impresionuese të sezonit të kaluar, por edhe të atij aktual.
Futbollisti i Kosovës po shfaq siguri dhe e ka stabilizuar mbrojtjen e ekipit italian, duke bërë që të mos ndihet fare largimi i Kalidou Koulibalyt.
E përfaqësuesi i Kosovës e ka befasuar tej mase legjendën e Milanit, Alessandro Costacurta.
Ish-qendërmbrojtësi italian thotë se Rrahmani bashkë me Kim po e përbëjnë një mbrojtje për t’ua pasur lakmi.
Napoli prin në Serie A dhe në grupin e tij në Ligën e Kampionëve dhe merita të mëdha ka ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe Veronës.
“Napoli është një simfoni perfektë. Ata të sulmojnë në të gjitha anët, luajnë mirë me topa të gjatë dhe të shkurtër. Është e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme se çfarë ekipi ka ndërtuar trajneri Luciano Spalletti. Për mua, dy qendërmbrojtësit (Rrahmani e Kim) janë befasia më e madhe e këtij Napoli. Por, ata po luajnë mjaft, mjaft mirë”, u shpreh Costacurta për “Sky Sport”.
Rrahmani është absolut edhe në Kombëtaren e Kosovës, duke e udhëhequr me sukses mbrojtjen e saj.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, 28 vjeçari ka mundësi të transferohet në një klub edhe më të madh evropian.