Lea Ypi, kërkoni dorëheqje jo vetëm nga Londra, por edhe nga Tirana!

November 5, 2022
min lexim

Deklarata e Suella Bravemanit, sekretares së Brendshme të Shtetit në Britani për shqiptarët, duke i cilësuar “gangsterë”, pa bërë dallimin mes shumicës absolute pozitive dhe kontingjentit negativ apo problematik, logjikshëm e me të drejtë kanë shkaktuar reagime kundërshtuese tek shqiptarët, dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Lea Ypi, shkrimtarja shqiptare që jeton prej vitesh në Londër, në një shkrim të sajin në “Guardian” si shtetase britanike ka kërkuar dorëheqjen e Suella Bravemanit, ndërsa nga qeveria shqiptare ka kërkuar që “të refuzojë bashkëpunimin me të derisa të kërkojë falje publikisht”. Ishte e pritshme dhe e kuptueshme që kryeministri Rama ta “kapte në ajër”, pa rënë në tokë këtë “pëllumb”. Ai e ka shpërndarë vetë apo nëpërmjet ekipit të tij mediatik kryeministror apo përtej godinës kryeministrore shkrimin e Ypit, duke e vlerësuar këndvështrimin e saj si “leximin më të mirë që i bëhet situatës së krijuar nga një bijë e shquar e komunitetit të madh shqiptar në Britani.” Duke vijuar mbështetjen ndaj reagimit të Leas dhe të pjesës së komunitetit shqiptar në Britaninë e madhe, që mbajnë anën e saj dhe të kryeministrit Edi Rama, shprehur në Berlin e në një intervistë në programin “Newsnight” të BBC, gjykoj se këndvështrimi i deklaratës së Bavermanit, të Leas dhe të kryeministrit Rama, mund të zgjerohet, duke i parë të keqen, shkaqet dhe pasojat e tyre jo vetëm në Londër dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në Tiranë, në Shqipëri.

Po e përsëris: deklarata e Braverman, duke mos iu shmangur vullnetshëm apo qëllimshëm përgjithësimit, është vërtetë e padenjë për atë si zyrtare relativisht e lartë, e pasaktë, e papranueshme, e dënueshme…! Por, Lea Ypit dhe asaj pjese të komunitetit shqiptar në Londër, që mbështesin reagimin dhe kërkesën e Leas, kritikën e kryeministrit Edi Rama ndaj znj. Baverman, “mund t’u kujtojmë” se njëherazi duhet të kërkojnë edhe dorëheqjen e vetë Ramës dhe të ministrit të tij të brendshëm, Çuçi…! Këta prej 9 vitesh nuk kanë qenë në gjendje të mbajnë në Shqipëri, domethënë që të ndalojnë përmbytjen e Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Holandës, Britanisë së Madhe… me rreth gjysmë milioni emigrantë, përfshirë edhe një kontigjent qoftë edhe minimal problematik për trafikim dhe kultivim drogërash, trafiqe të tjera të jashtligjshme, kriminalitet…!

Fajësia dhe përgjegjësia janë qartësisht dypalëshe! Po kështu, për objektivitet, barazi dhe drejtësi, edhe ndëshkimi duhet të jetë dypalësh! Logjikshëm Lea dhe dhe ata që e mbështesin në këtë nismë mund të thonë: përse na e kërkoni neve formulimin e dorëheqjes për kryeministrin dhe ministrin e tij të brendshëm. Bëjeni vetë, nga Tirana dhe mbarë Shqipëria, nga Kelmendi në Konispol dhe nga Durrësi në Dibër…? Ndoshta ajo, duke jetuar në Londër, nuk është e informuar se kjo kërkesë, nga opozita, shoqëria civile, media jo të blera nga Rama-qeveria, nga intelektualë të mirënjohur si publicistë dhe në fushat e tyre të profesioneve, është rreth 8 vjeçare apo është “mykur” në Shqipëri. Por, është kuptuar prej shumë vitesh se Edi Rama është nga ata politikanë dhe pushtetarë të rrallë në botë, që “nuk i kupton në asnjë gjuhë” fjalën, praktikën dhe traditën “DORËHEQJE”.

Një detaj apo fakt fare të freskët se Edi Rama flet ndryshe në Berlin dhe në BBC e ndryshe në Tropojë na e dhuroi po ai vetë, jo më larg se dje, më 4 nëntor 2022, gjatë takimeve paraelektorale në Tropojë. Ai “avokati mbrojtës i flaktë i emigrantëve shqiptarë”, “i shqetësuari i madh” nga ikjet masive të shtetasve të tij në Gjermani, Francë, Britani…, deklaroi fare qetësisht në shqip, në mes të Tropojës dhe plot tropojanëve rilindas-edramistë se “kushdo është i lirë të shkojë (si emigrant) ku të dojë…”!!!???

“Mesazhi i nënkuptueshëm” nga Rama është: ikni, o djem e vajza, ku të dëshironi e keni mundësi, në Itali, Greqi, Gjermani, Angli, Francë, Holandë, Belgjikë, Suedi, Finlandë, Norvegji, SHBA, Kanada, Australi… sepse sa të jemi ne në qeveri, nuk gjeni punën që doni dhe jetë normale njeriu këtu në Shqipëri! Ikni e na e lini neve të mbretërojmë sa më gjatë e sa më të qetë, edhe pa shtet dhe demokraci të vërtetë, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa opozitë dhe shoqëri civile qeverisje-ndryshuese, pa mirëqenie as të standartit minimal në vendet e BE-së…!!! Për të zgjeruar këndvështrimin apo vizionin e trajtimit të kësaj çështjeje nga Lea, po vazhdoj, pa marrë lejen e tij dhe duke uruar të mos ketë kundërshtim edhe për një shkurtim të lehtë, me një shkrim brilant të mjekut dhe publicistit të mirënjohur Milaim Nela, me punësim e jetesë po në Londër, publikuar prej tij dje, më 4 nëntor 2022.

Milaim Nela

Pse po ikin shqiptarët?

I. Sot mu dha rasti të shoh intervistën e Edi Ramës dhënë programit “Newsnight” të gjigantit mediatik BBC! Ndjeva keqardhje që kryeministri i vendit tim të origjinës i paraqitet publikut këtu në pamje gjestikulaturë dhe gjuhë që nuk i shkon aspak një shtetari serioz! Nga vendi ku është dhënë (dukej si bunker i ndriçuar) veshja e tij dhe gjuha i ngjanin më shumë një kryegangsteri se sa një kryeministri që duhet të demonstrojë seriozitet në çdo paraqitje publike! Arrogant, që i shmangej pyetjeve dhe nuk jepte shpjegim pse shtetasit e vendit të tij ikin sikur në atë vend të ketë rënë bomba atomike dhe jo të jetë vend aspirant për në Bashkimin Europian!

Mjerim dhe keqardhje si e lejojnë shqiptarët një njeri të papërgjegjshëm që po çmend dhe boshatis vendin të ja nxjerrë bojën edhe në arenën ndërkombëtare! II. Shqiptarët nuk po ikin se krejt papritur po rrezikohen nga gjakmarrja apo arësye që pretendojnë një grupim i vogël se ju shkelen të drejtat identitare, por po ikin se ju është shkërmoqur SHPRESA! Shqiptarët po ikin se rregjimi diabolik nuk ju ka lënë asnjë mundësi zhvillimi e jetese! Shqiptarët po ikin se në Shqipëri Kupola që drejton vendin po realizon axhendën e zbrazjes dhe shpopullimit të Shqipërisë! Shqiptarët po ikin se nuk kanë më asnjë mundësi ta ndryshojnë pushtetin me forcën e votës pasi ajo e drejtë ju është marrë peng përmes sistemit KRIMINAL të PATRONAZHIMIT e rrjedhimisht ju është mohuar! Shqiptarët ikin se fëmijet e tyre nuk kanë mësues, nuk kanë shkollë, nuk kanë shërbim shëndetësor nuk kanë mundësi të edukohen me standarte bashkëkohore! Shqiptarët po ikin, sepse jetojnë në një vend ku polici jo vetëm nuk të mbron por është pjesë e rrjeteve kriminale e të vret! Shqiptarët ikin, sepse drejtësia ju është marrë peng nga kupola që duhet të ishte e paditur dhe dënuar nga kjo drejtësi dhe po ashtu nga interesa të huaja që një Zot e di se pse e mbështesin këtë klikë! Shqiptarët ikin, sepse shtetin dhe institucionet i udheheqin dhe drejtojnë sot njerëz që duhet të ishin jo në qeverisje por në burg pas hekurave! Shqiptarët e kanë humbur shpresën, sepse ata që po sundojnë dhe zhbëjnë Shqipërinë mbrohen me grushtin e hekurt të një ambasadoreje që në kundërshtim flagrant më ligjin ndërkombëtar vërtitet sa në kryeministri sa në Bashki e sa në gjykata në vend që të qendrojë në zyrë e të merret me interesat reale të shtetit të saj! Shqiptarët ikin, sepse ju është marrë peng edhe opozita nga një grup delenxhinjsh që falë mbështetjes që ju jep pushteti dhe ambasadat e huaja tallen në dritë tē diellit me dinjitetin dhe integritetin e shqiptarëve!

Dhe për fund!

Rrjetet kriminale në Britaninë e Madhe apo jashtë saj nuk janë shkaku i emigrimit masiv të shqiptarëve, por janë PASOJË e dhimbshme e këtij emigrimi! Shkaku i emigrimit është Edi Rama dhe enturazhi i tij sundues e jo gangot në Europë, që përfitojnë nga situata e krijuar prej tij! Merruni me shkakun, jo pasojat!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

RMV, në Shkup janë shqiptuar 197 gjoba në komunikacion

Story i radhës

Miqësia dhe dashuria: si të zgjedhim njerëzit me të cilët rrethohemi?

Të fundit nga

Si t’i pastroni ulëset e veturës?

Përgjigjet janë të fshehura në shtëpinë tuaj. Ulëset e veturave janë bërë nga pëlhura jashtëzakonisht të forta që mund të përballojnë ngarkesa të rënda. Megjithatë, ato janë të ndjeshme ndaj ushqimeve të
ShkoLartë