Largime nga Rusia, çmimi i biletave arrin 9 mijë dollarë

min lexim

Rusia po kryen rekrutimet më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore. Vendimi për mobilizim i presidentit Vladimir Putin u përcoll me protesta e arrestime në 38 qytete ruse dhe interesim të madh të qytetarëve për për t’u larguar nga Rusia.

Të frikësuar se mos thirren për të luftuar në Ukrainë, një numër i madh rusësh nxituan të rezervojnë bileta një-drejtimshe për të ikur nga vendi.

Paniku erdhi pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm të rezervistëve për luftën në Ukrainë, i pari i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

300 mijë rekrutë pritet t’i bashkohen ushtrisë ruse. Menjëherë pas vendimit qytetarët nisën të marrin thirrjet, tha një avokat i të drejtave të njeriut.

Protestat shpërthyen në 38 qytete ruse ndërsa policia arrestoi rreth 1 mijë e 400 persona.

Çmimet e biletave të fluturimit arritën kulmin. Qytetarët frikësohen se Moska mund të ndalojë fluturimet jashtë vendit.

Të dhënat e platformës Google tregojnë një rritje të kërkimeve për “Aviasales”, faqja më e njohur ruse për rezervimin e biletave të udhëtimit.

“Air Serbia”, kompania e vetme evropiane përveç asaj turke “Turkish Airlines” që kryen udhëtime nga Rusia pavarësisht embargos të vendosur nga Bashkimi Evropian, shiti me shpejtësi biltetat për ditët e ardhshme, ndëra çmimet për fluturime nga Moska në Stamboll, ose Dubai kanë arritur deri në mbi 9 mijë dollarë, për një biletë një-drejtimshe të klasit ekonomik.

“Çdo njeri normal është i shqetësuar. Lufta është e tmerrshme. Është normale të frikësohesh nga lufta dhe vdekja”, tha Sergey, një rus që u largua drejt Beogradit.

Rusët mund të hyjnë në Serbi pa vizë. Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për të dënuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Ndërkohë, më shumë se 100 pasagjerë rusë mbërritën në Stamboll të enjten. Njëri prej tyre tha se vendimi i Kremlinit e shtyu të largohet nga vendi.

“Mobilizimi i pjesshëm është një nga arsyet pse jam këtu. Një vendim i gabuar që mund të shkaktojë probleme për shumë qytetarë rusë”, tha Alexi.

Ai udhëtoi i vetëm me një çantë dore në një fluturim të hershëm të kompanisë Turkish Airlines.

“Jam i shqetësuar. Nuk e besoja se hapi i radhës do të jetë mobizilimi dhe mendoj se jo shumë rusë duan të luftojnë, të mobilizohen dhe të shkojnë në ushtri”, tha ai.

Një qytetar tjetër rus arriti në Turqi me gruan dhe vajzën.

“Mobilizimi ishte i pashmangshëm sepse kishte mungesa në njerëz. Nuk jam i shqetësuar, sepse jam 59 vjeçar ndërsa djali im jeton jashtë vendit”, tha Vasiliy.

Kremlini nuk pranoi të komentonte nëse kufijtë do të mbyllen për ata që i nënshtrohen urdhërit të mobilizimit, ndërsa u kërkoi banorëve të jenë të duruar deri në sqarimin e ligjit.

Ministri rus i Mbrojtjes tha se ushtria po thërret njerëz me përvojë dhe specialistë.

Por ka pak qartësi se kush futet në këto kategori. Personat me aftësi mjekësore duket se janë më të kërkuarit pasi një numër i madh mjekësh në Moskë kanë marrë urdhëra mobilizimi./VOA

Story i mëparshëm

Dojna Mema zbulon pse ajo dhe Vlashent Sata e quajtën të birin Nolan Sol

Story i radhës

​Ja kur u prodhua çamçakëzi

Të fundit nga