Lapraka është shpallur kampione e edicionit të dytë të kampionatit rajonal për femra U-14 në zonën e Tiranës. Ky kampionat u zhvillua nga Zyra Rajonale e Tiranës për gjashtë muaj me radhë, nga janari në muajin qershor, ku 13 skuadra vajzash u bënë pjesë e kësaj gare, që ka si synim argëtimin dhe afrimin e vajzave të vogla me sportin më popullor në Shqipëri.
Kampionati ishte i organizuar në dy grupe, ku njëri grup përbëhej nga gjashtë skuadra, ndërsa grupi tjetër nga shtatë skuadra, me ndeshjet që u zhvilluan me sistemin vajtje-ardhje. Dy ekipet më të mira të çdo grupi kaluan në fazën play-off, ku fillimisht u zhvilluan gjysmëfinalet, ndërsa në finale Lapraka kishte përballë ekipin e FC Ternit ku arriti të triumfojë me shifrat 4-1 në ndeshjen e zhvilluar në fushën sportive pranë shkollës Harry Fultz.
Kupa e kampiones së këtij edicioni iu dorëzua ekipit të Laprakës nga shefi i Zyrës Rajonale Tiranë, Agim Mone, dhe nga kapitenia e ekipit Kombëtar të femrave, Megi Doçi, të cilët përgëzuan vajzat për të gjitha ndeshjet e zhvilluara përgjatë këtij edicioni dhe i motivuan të vazhdojnë më tej me këtë sport.
Ky është një tjetër kampionat mjaft i rëndësishëm, ashtu sikurse kampionati U-16 i femrave që u zhvillua për herë të parë në këtë edicion, ku Vllaznia u kurorëzua kampione. Këto kampionate, së bashku me kampionatin e shkollave 9-vjeçare kanë si qëllim kryesor masivizimin e futbollit të femrave dhe argëtimin e vajzave të vogla.
Federata Shqiptare e Futbollit është dhe do të vijojë të jetë një mbështetje e madhe në krah të të gjitha vajzave që luajnë futboll, teksa ky është edhe një nga prioritetet kryesore në strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025”.