Laporta: Nuk duam të krijojmë iluzione të kota me Mesin

Këto ditë kur në Barcelonë po flitet gjithnjë e më shumë për një përpjekje titanike të klubit për të kthyer në skuadër Leo Mesin, ka qenë vetë numri një i katalanasve, Joan Laporta, që ka frenuar disi. Mediat spanjolle kanë raportuar se Laporta po bën çdo lëvizje për argjentinasin, tashmë edhe kampion bote.

Por gjatë një interviste të dhënë për kanalet e komunikimit të klubit, presidenti Laporta ka saktësuar se dëshira për të kthyer Mesin është njëra anë e medaljes dhe mundësia për ta bërë realitet një gjë të tillë është ana tjetër.

“Do të gënjeja nëse do të thoja se nuk dua që Mesi të kthehet. Do të isha i lumtur nëse ai do të vishte sërish fanellën e Barcelonës. Por duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të mos krijojmë iluzione të pabaza. Ai është një lojtar i Paris SG-së dhe ka një kontratë me ta.

Tani ka fituar dhe Kupën e Botës dhe ne jemi të lumtur për të. Ajo që nuk dua të ndodhë është që të krijojmë pritshmëri, të cilat në fakt janë tepër të vështira për t’u përmbushur. Nëse klubi do të nxjerrë aksione të tjera në shitje, këto do të përdoren për të rregulluar financat e klubit dhe jo për të blerë lojtarë. Lëvizjet financiare që kemi bërë kanë pasur për qëllim të shpëtonin klubin nga vështirësitë financiare ku ndodheshim. Tani La Liga na ka kufizuar edhe më shumë, ndaj nuk mund të bëjmë çmenduri”, ka thënë Laporta. Ai është vijuar të ngacmohet në lidhje me Mesin, duke e quajtur një barcelonas në gjak.

“Për ne, Lionel Mesi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. E kemi pasur këtu dhe jam i bindur se është një barcelonas i thekur, i ka në gjak ngjyrat “blaugrana”. Ai është një pikë referimi për klubin dhe do të jetë përjetë i lidhur me Barçën. E ripërsëris se do të dëshiroja që ai të kthehej këtu, por nuk mund të premtoj se do të vijë”.

Veç Mesit, presidenti i Barçës ka prekur dhe një sërë temash, përfshirë edhe trajnerin Ksavi, duke e quajtur atë si teknikun më të mirë në botë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ten Hag e konfirmon, ja kur rikthehet Sancho në skuadër

Story i radhës

Çfarë fshihet pas një “perfeksionisti”?

Të fundit nga