I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar një takim me Ndihmëssekretarin amerikan, Alexander Kasanof, në Washington DC, teksa mandati i tij po i afrohet përfundimit.
Në një deklaratë të publikuar pas takimit, Lajçak tha se diskutimi me Kasanof ishte gjithëpërfshirës dhe u përqendrua në çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Ai shprehu krenarinë për bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të tij.
“Misioni im i parë në 2025’ën më çoi në Washington DC, ku kisha një diskutim gjithëpërfshirës për Ballkanin Perëndimor me Ndihmëssekretarin amerikan, Kasanof. Jam krenar për bashkëpunimin e shkëlqyer BE-ShBA përgjatë mandatit tim”, ka shkruar Lajçak në rrjetet sociale.
Mandati i Lajçakut përfundon më 31 janar, duke shënuar fundin e një periudhe të ngarkuar me përpjekje për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Bashkimi Evropian ka thënë se është në proces të përzgjedhjes së pasuesit të Miroslav Lajçakut.
Ndër emrat që më së shumti vazhdojnë të përmenden janë ish-ministri i Finlandës, Pekka Havisto, dhe diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen.
Që të dy kanë përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Burimi: botasot.info