Barcelona po përjeton momentin më të mirë që pas emërimit të Xavi Hernandez në krye të stolit. 11 ndeshje pa humbje në të gjitha kompeticionet kanë rikthyer sërish entuziazmin në kampin katalanas që tashmë e shohin veten në vendin e 3-të të La Ligas dhe në fazën e 1/8 të Europa League.
Ndihmesë e jashtëzakonshme për teknikun Xavi ishin afrimet e janarit si Ferran Torres, Adama Traore dhe Dani Alves. Sidoqoftë, rigjenerimi i skuadrës me emra të rinj nuk do të ndalet as në merkaton e verës.
Sipas raportimeve më të fundit, klubi “blaugrana” do të tentojë të joshë Erling Haaland për një transferim të mundshëm në Katalonjë dhe nëse një pistë e tillë dështon Barcelona e ka gati planin B.
Bëhet fjalë për Mohamed Salah. Egjiptiani nuk e ka zgjidhur ngërçin e rinovimit me Liverpoolin dhe me të ardhmen e tij që ka mbetur pezull, katalanasit mund të përfitojnë shërbimet e tij për vetëm 60 milionë paund.
Mo Salah është pjesë e ‘The Reds’ që prej vitit 2017-ës. Falë paraqitjeve mbresëlënëse, 29-vjeçari u kthye edhe në benjaminin e tifozerisë. Përgjatë këtij 5-vjeçari në “Anfield Road”, Salah ka korrur suksese të jashtëzakonshme.
Triumfi në kampionatin anglez, Champions League dhe Botërori i Klubeve nuk do të ishin të mundura pa kontributin masiv të egjiptianit që në aspektin individual ka koleksionuar dy herë ‘Këpucën e Artë’ në ishull, ku gjithashtu mban edhe rekordin për më shume gola të shënuar përgjatë një sezoni të Premier League, me 32 realizime në edicionin 2017-2018.