Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës, nën moton “Ma kthe dritën”, duke ndezur qirinj si akt kujtese, solidariteti dhe zotimi për drejtësi.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, vlerësoi se dhuna seksuale gjatë luftërave ka qenë historikisht një instrument i nënshtrimit dhe terrorit, ndërsa në rastin e Kosovës, sipas saj, kjo dhunë u ushtrua në mënyrë të organizuar nga aparati shtetëror i Serbisë si pjesë e një strategjie për shkatërrimin e strukturës shoqërore.
Haxhiu: Kur themi sot “Ma kthe dritën”, flasim për dritën që i detyrohemi së vërtetës, dinjitetit që u mundua të nëpërkëmbet
“Sot sapo ndezëm qirinj në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Një simbolikë e thjeshtë në dukje, por e thellë në domethënie. Siç do të thoshte Martin Luther King, errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, këtë mund ta bëjë vetëm drita. Kur themi sot “ma kthe dritën” flasim për dritën që i detyrohemi së vërtetës, dinjitetit që u mundua të nëpërkëmbet dhe për jetën që u nda në dysh. Këtu i kemi Vasfijen, Shyhreten, Danin, të ndjerën Martë Tunaj dhe të mbijetuar të tjerë të dhunës seksuale, të cilët me zërin e tyre nuk ndryshuan vetëm diskursin publik, por vetë ndërgjegjen e këtij shteti. Falë atij guximi, Kosova nisi të ndërtojë një përgjigje institucionale, duke filluar nga njohja ligjore e statusit të të mbijetuarve, mekanizmat e verifikimit dhe mbështetjes si dhe përfshirjen e kësaj çështjeje në kalendarin tonë institucional”, tha ajo.
Haxhiu bëri të ditur se aktualisht janë në proces 12 aktakuza për raste të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa vetëm një vendim është i formës së prerë e dy të tjerë që po presin të marrin formën e prerë.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se megjithëse ka rritje të gjykimeve dhe dënimeve për krimet e luftës, ato mbeten të pamjaftueshme në raport me përmasat e krimeve të kryera.
Kurti: Kur në Kosovë po flasim për krime lufte, Kuvendi serb, pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës
“Kjo ditë është thirrje për mbarë shoqërinë që të mbështesë edhe gratë dhe burrat e tjerë të mbijetuar që përballen me paragjykime në kërkim të të drejtave që u takojnë.
Në vitet e fundit po rritet numri i gjykimeve dhe i dënimeve për këto krime lufte që nuk falen. Sot Kuvendi ynë nderon viktimat e dhunës seksuale, ndërsa Serbia, pak ditë më parë, u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës për krimet e luftës në Kosovë. Atje u organizua ekspozitë për njësitë e ushtrisë jugosllave dhe ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë, komandantët më të lartë të së cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë, pa u distancuar nga e kaluara e saj kriminale”, tha ai
Në emër të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, vuri në pah se për vite të tëra stigma dhe mungesa e mbështetjes kanë mbajtur shumë histori në heshtje, por sot, sipas saj, Kuvendi po shndërrohet në një hapësirë ku kjo heshtje thyhet dhe solidariteti bëhet veprim konkret.
Krasniqi: Çdo qiri është një mesazh se të mbijetuarat nuk janë vetëm
“Sot po dal para jush si e mbijetuar, por mbi të gjitha si një zë që nuk zgjodhi heshtjen kurrë. Qirinjtë që ndezëm sot nuk përfaqësojnë vetëm një moment ceremonial, por jetën tonë, kujtimet tona dhe forcën tonë për të vazhduar përpara. Sot ky Kuvend bëhet vend ku heshtja thyhet dhe zëri ndriçon një hapësirë ku solidariteti nuk është fjalë, por veprim i përbashkët. Çdo qiri është një mesazh se të mbijetuarat nuk janë vetëm”, tha ajo.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti theksoi rëndësinë e simbolikës së qiririt të punuar nga gratë, duke e cilësuar si një shenjë respekti dhe përkushtimi ndaj të mbijetuarve. Ajo vlerësoi guximin e individëve që kanë folur publikisht dhe kanë ndikuar në ndryshimin e diskursit shoqëror, duke përfshirë edhe thyerjen e tabuve për viktimat meshkuj.
Rushiti: Kur ndezim këta qirinj, e shohim si një zotim për të punuar për avancimin e kauzës për të mbijetuarit e dhunës seksuale
“Sot, kur ndezim këta qirinj, i shohim si një zotim prej secilit për të punuar për ligje që avancojnë kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, për të mbështetur politika që shërojnë dhimbjet e tyre. Një zotim për të qenë zëri i atyre që shpesh nuk janë dëgjuar.
Ky qiri nënkupton zotimin për të luftuar stigmat dhe për të krijuar hapësira të sigurta ku gra e burra të dëgjohen”, u shpreh ajo.
Sot me 14 prill nderohen të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Burimi: botasot.info


