Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër për konstituimin e legjislaturës së re, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues. Megjithatë, njohësit thonë se sfida kushtetuese lidhet me pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit, meqë neni 90 i Kushtetutës përcakton qartë se kjo detyrë nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.
Nesër, në orën 10:00, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në sallë plenare për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për këtë proces.
Procedura nis me formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve. Pas paraqitjes dhe miratimit të raportit të këtij komisioni, deputetët bëjnë betimin, ndërsa më pas vazhdon procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ka shpjeguar Vullnet Bugaqku nga KDI.
“Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të fillojë procedura për formimin e Qeverisë, ndërsa më pas nisin edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.
Bugaqku paralajmëron se një tjetër sfidë kushtetuese lidhet me pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit. Sipas tij, neni 90 i Kushtetutës përcakton qartë se kjo detyrë nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.
“Ky afat përfundon më 4 tetor dhe, nëse deri atëherë nuk zgjidhet Presidenti i ri, vendi mund të përballet me një situatë të paprecedentë, pasi Kushtetuta dhe Ligji për Presidentin nuk parashohin një mekanizëm për tejkalimin e këtij kufiri kohor”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.
Ndërkohë, analisti politik Artan Muhaxhiri vlerëson se kriza aktuale është rezultat i mungesës së vullnetit politik për t’i siguruar 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.
“Në mungesë të kompromisit politik, vendi rrezikon të mbetet i bllokuar mes afateve kushtetuese, interpretimeve juridike dhe sfidave në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa skenari më realist mbetet ai i zgjedhjeve të reja”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik.
Legjislatura e re e Kuvendit doli pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Burimi: botasot.info


