Të hetohen të gjitha krimet e kryera të natyrave të ndryshme, të para dhe pas luftës!
Krimet e supozuara dhe të faktueshme të periudhës qershor’99 – dhjetor 2000, janë të mundshme të trajtohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Edhe pse në lexim të parë, kuvendi i Republikës së Kosovës, me shumicën e thjeshtë, përligj krimet e periudhës së pasluftës Qershor ’99 deri Dhjetor 2000, duke i trajtuar si krime lufte që i faturohen luftës.
Me votat e mazhorancës dhe votat e deputetëve prezent të partive opozitarë LDK, kjo nismë mori 58 vota PRO, kurse katër votat e deputetëve prezent të AAK, KU8NDËR, e bënë kuorumin e nevojshëm prej 62 votash/deputetësh. Ndërkohë që PDK nuk mori pjesë në votim që të mos e përligjim as në lexim të parë këtë tendencë të rrezikshme ndaj vlerës sublime të vendit dhe kombit tonë UÇK dhe luftën për liri.
Instituti për hulumtimin dhe dokumentim të krimeve të kryera gjatë luftës, hap mundësinë për ndërtimin e memories së luftës në një aspekt, ndaj meriton të përkrahet.
Se, edhe kjo nismë hyn në vazhdën e pretendimeve patopsihofantastike për ti dhënë autorësi çdo zhvillimi e funksionalizimi institucional, tregon edhe fakti se po e promovojnë duke mohuar se në këtë ide është punuar tashmë që nga viti 2011 e në vazhdimësi. Kurse në vitin 2019 vet kryetari i PDK, e prezantonte konceptin për këtë institut.
Uroj dhe kërkoj që edhe kjo nismë të mos kthehet në mekanizëm që duke dashur ta përqafoj çështjen, do “ta kafshoj” ta dëmtoj procesin, siç ndodhi me marrëveshjet e më hershme, si ajo për “Hapjen e arkivave” të shteteve reciproke Kosovë – Serbi.
Uroj po ashtu, e kërkoj që edhe kjo të mos bëhet një pretekst që Serbia të nxjerrë kohë shtesë në procesin e zbardhjes së krimeve të luftës siç ishin preteksti me “shtëpinë e verdhë” dhe monstruozitetin e pretenduar për trafikim organesh përmes Raportit të Dick Martit, e tjera si kjo.
Nuk qëndron pretendimi se askush nuk ka bërë diçka për të zbardhur e dokumentuar krimet e luftës që pushteti serb e regjimi i Millosheviçit ka kryer në Kosovë ndaj shqiptarëve para, gjatë e pas luftës.
Ka shumë asociacione e individ që kanë grumbulluar dëshmi, shembull, avokati Jahir Bejta, pastaj KMLDNJ, QIK, etj.
Një komision të tillë faktmbledhës, e ka krijuar edhe LDK-ja gjatë luftës.
Mbi këto të dhëna e dëshmi, janë gjetur me mijëra të zhdukur në varrezat masive nëpër Serbi.
Megjithatë, përkrahja personale dhe besoj edhe partiake si grup parlamentar nuk do të mungojë.
Por, ka një shqetësim! Vazhdimisht është pretenduar që UÇK dhe lufta për liri të njollosen, duke gjeneralizuar veprat e individëve ndaj tërë UÇK si organizim luftarak.
Dëshmi e kësaj është vetë krijimi i TS (Tribunalit Special), në Hagë për krimet e luftës të UÇK.
Mirë! Nëse ka pretendime, ja ku janë DHS (Dhomat Speciale) dhe eksponentët kryesorë të UÇK-së po përballen me drejtësinë për padrejtësinë ndaj drejtësisë së luftës sonë.
Ajo që mbetet e ndjeshme në vendimin për themelimin e këtyre dhomave, është pikërisht periudha që përkufizohet si periudhe e luftës, 5 marsi 1999 deri në Dhjetor 2000!?
Parimisht, periudha e luftës konsiderohet koha sa je i mobilizuar në uniformë dhe nën armë e vepron në struktura luftarake. E kjo periudhë është: Marsi 1999 deri në Qershor 1999. Edhe pse agresioni i regjimit serb veç kishte intensifikuar dhunën, represionin deri gjenocidal vite më parë.
Kurse, 19 shtatori, 1999, shënon ditën e pushimit zyrtarë të Misionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prandaj periudha e pretenduar, që përfshinë edhe kohen pas qershorit 1999 deri në Dhjetorin 2000, përligjë pretendimet serbe që tashme imponuan krijimin e TS në Hagë, mbi bazën e Raportit të europarlamentarit Dick Marti.
Ky TS, u krijua nga Raporti i Dick Martit, i miratuar në KE, i stisur nga informacionet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe prokuroria serbe, në bashkëpunim me bashkëpunëtorë dhe argat vendor që tashmw dihen edhe me emra.
Ndaj ju thërras të mos rrëshqasim në të njëjtin krim politik ndaj vlerës sonë më sublime.
Të hetohet në aspekt kohor, nga 5 marsi ’99 deri në qershor ’99!
Të hetohen të gjitha krimet e natyrave të ndryshme, të kryera nga të gjithë akterët e përfshirë në luftë!
Të mos pretendohet ti faturohen luftës dhe UÇK-sw, krimet e kryera në periudhën Qershor ’99 deri në Dhjetor 2000, si krime të luftës që njollosin luftën!
Të hetohen të gjitha krimet e kryera të natyrave të ndryshme, të para dhe pas luftës!
Krimet e supozuara dhe të faktueshme të periudhës qershor ’99 – dhjetor 2000, janë të mundshme të trajtohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.
Nëse kjo iniciativë për themelimin e këtij instituti, miratohet me këtë fokus periudhë kohore hulumtimi e dokumentimi të krimeve të luftës, atëherë po i përligjim pretendimet e shërbimit sekret serb dhe prokurorisë serbe nga raporti i Dick Martit.
Nga mesi i Qershorit 1999, në Kosovë nuk ka pasur ushtri tjetër përveç UÇK-së që demilitarizohet me 19 Shtator 1999 dhe KFOR-i me mandat të KS/OKB. Apriori shtrohet dilema se kujt duhen faturuar krimet e kryera pas përfundimit të luftës në qershorin 1999?!
Jam dakord që të bëhen hulumtime të karakterit penal juridik dhe shkencor historik, si dhe dokumentimi i krimeve serbe në luftë por, të ndalet përpjekja për ta degraduar luftën e UÇK-së, për vepra e krime që bien në domenin e gjyqësisë dhe sistemit juridik të shtetit tonë.
Do duhej që në këtë Kuvend të shqyrtonim statusin e DHS, të cilat e kanë humbur kredibilitetin për të vendosur drejtësi.
Këtë e dëshmojnë, largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
Skandalet e Dick Marrit me shërbimet dhe vrasësit shtetëror serb;
Dështimi për ngritjen e aktakuzave mbi pretendimet e Raportit të Dick Martit;
Ndryshimi i aktakuzave në proces, e shumë gjetje tjera.
Krimet duhet të hetohen!
Krimet duhet të dokumentohen faktohen;
Drejtësia duhet të veprojë;
Por, të definohen qartë periudhat e krimeve të kryera, para luftës, në periudhën e luftës dhe krimeve të kryera në periudhën e pas luftës. Tashmë e bëra të qartë se çka konsiderohet periudhe e luftës.
Tendenca e pozitës që po përpiqen ta kamuflojnë qëllimin e errët të këtij ligji që fshihet në patriotizmin që përmban në frymën e tij populiste, duke ngritur kauzë fiktive në debat se gjoja opozita qenka kundër, me theks partia liderë e opozitës që ruan ADN-në e luftës për liri dhe UÇK, nuk qëndron.
Kuvendaret e PDK-së, po insistojnë në çështje të karakterit teknik, juridik, dhe doktrinar të ngritjes së instituteve publike, me strukturë dhe nivel akademik e shkencor, që do të prodhonin dëshmi të kualifikuara dhe referuese, e jo të instituteve të karakterit të agjencioneve të kryeministrit për të përmbushur mozaikun e patriotizmit patetik, për përkushtimin populist e bosh si me nismën e mëhershme për një komitet a grup pune për gjetjen e të zhdukurve që deri më sot nuk ka treguar ndonjë rezultat konkret dhe as është mbledhur më, përveç kur u themelua si adut elektoral.
Çështja e dytë për të cilën kuvendarët e PDK-së konsistojnë dhe jo vetëm, është edhe periudha e hulumtimit e faktimit të krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë luftës.
Nga mesi i qershorit ’99, nuk ka pasur luftë në Kosovë. Nga 19 shtatori 1999, nuk ka pasur më as UÇK. Pretendimi për t’ia faturuar luftës, krimet e kryera deri në dhjetorin 2000, është qëllimkeq dhe i rrezikshëm. Prandaj, duhet të ndahen qartë periudhat e hulumtimit, ose kjo qeveri dhe kjo mazhorancë duhet ta thotë hapur qëllimin e vërtetë, si dashje apo mosdije, me të cilën po e përforcon pretendimin serb ndaj UÇK-së dhe liderëve të luftës që po mbahen në Hagë.
Nëse këtë se bëni atëherë si duhet trajtuar vrasja e Selver Haradinajt, e 18 Prillit 212? Po katër fëmijët që u mbytën në lumin Ibri, kujt do ti faturohen?
Nëse për ju periudha e çlirimit apo çlirimi Kosovës ka ndodhur siç pretendoni me 14 shkurt 2021, siç ka deklaruar edhe kryementori i kryeministrit Kurti, atëherë jeni brenda normës dhe qëllimit tuaj për themelimin dhe përligjjen e një instituti të tillë me mision të kamufluar brenda një detyre fisnike që duhet ta bëjnë institucionet akademike dhe juridike të vendit tonë.
Ps. Fjalimi në seancën plenare të Kuvendit, 07 Tetor, 2022.