Nuk dihet sa për qind reaguan vetëm për t’iu bashkangjitur turmës vulgare paragjykuese. Nuk dihet sa për qind shpreheshin plot mllef e sharje duke menduar se po dëshmonin moral dhe zhgënjim. As sa për qind e tyre me fjalorin plot dhunë po mundoheshin ta luftonin dhunën!
Nuk dihet as sa për qind reaguan nga empatia, pra jo pse e konsideronin aktin aq barbar, por sepse e imagjinon, e përkapnin nënën e vet në atë gjendje. Domethënë keqtrajtimin e asaj zonje nuk do ta quanin aq të ligë, sikur të mos e imagjinonin edhe nënë e vet. Reagimi emocional bëhej nga egoizmi i tepruar, duke njësuar veten me viktimën, por duke stigmatizuar ato vajza të reja, apo duke i trajtuar si e keqja më e madhe, që ekziston.
Pse empatia ishte egoizëm dhe shpërfaqte traumat e marra në shtëpi? Sepse ai që nuk ka përjetuar imazhe të tilla me nënën e vet, i mungojnë skenat për t’u zhytur dhe për ta përjetuar. Sepse ata dhe e ato, nuk ndiejnë empati kur dhuna më e madhe se ajo në video, ushtrohet nga djemtë.
Aty si drejtësi kuptohet veprimi mashkullor, por përkryeshmëria kërkohet, pritet, pretendohet nga vajzat, motrat, nëna dhe bashkëshortet, por jo nga burrat. Ky fakt tregon për hipokrizinë si normë sociale, për shtrirjen si moral dhe rrenën si virtyt: aty burrave u falet çdo gabim i madh, grave asnjë, as i vogli.
Sikur të ishin reagimet nga dhembshuria, jo nga empatia, atëherë nuk mund të shpërfilleshin vajzat e reja, sepse edhe ato ishin viktima të dikujt: nëse jo të familjes, atëherë të shkollës. Nëse jo të shkollës, atëherë të shoqërisë. Apo më saktë, ato janë rezultat i katër socializimeve të marra në atë popull dhe sistem.
Në shoqëritë patriarkale dhuna në komunikim dhe dhuna fizike konsiderohen si veprime normale të burrave dhe ato vajza, nuk kanë pikur nga qielli, por janë prodhim i një arsim të shkatërruar, i një shoqërie që kishte në shumë moral në komunizëm, sesa sot.
Akuzuesit gjoja po mbronin një nënë, po dëmtonin disa vajza të reja, që duhet të bëhen nëna. Thua se vetë nuk kishin gabuar kurrë, thua se shumica e tyre nuk ushtrojnë dhunë verbale apo fizike në shtëpi. Thua se këta ishin nga një planet tjetër dhe për herë të parë në jetë, kishin parë se një njeri, po goditej me shpulla.
Si reagon ajo shoqëri dyfytyrëshe dhe e korruptuar moralisht deri në palcë kur djali vret ose rrah babain?
Ajo shoqëri e konsideron akt normal vrasjen e babait ose nënës nga djali, por e bëjnë për psikiatri një vajzë, e cila ka gabuar. Turma nga nëna-viktimë, prodhoi disa viktima nga vajzat e reja, që nesër duhet të ikin nga vendi, sepse aty nuk do të mund të jetojnë.
Pse video nuk duhej bërë publike?
Sepse opinioni publik po sensibilizohej për një akt primitiv ndaj një zonje plakë, për të dëmtuar tërë jetën disa vajza të reja, që kishin gabuar. Në këtë botë njerëzit gabojnë herë pas here. Për kundërvajtje apo vepra penale ekziston gjykata. Zonja që e shpërndau këtë video, do të ndiejë tërë jetën fajin për fatin e atyre vajzave naive. Vajzat gabuan njëherë, ajo ka gabuar shumë herë, turma gaboi mijëra herë, si edhe të gjitha portalet, që e publikuan videon për klikime.
Video është parë miliona herë dhe u publikua në të gjitha gjuhët e botës!
Me atë video nisi ekzekutimi publik i zonjës, i familjes së saj dhe i atyre çikave të reja. Gati të gjithë imagjinon nënën e vet në atë gjendje, por askush nuk dëshironte të imagjinojë bijën e vet në atë gjendje. Pikërisht këtu qëndron bashkëfajësia në veprim dhe në zmadhimin e dramës: përmirëso pak në një anë, shkatërro shumë në anën tjetër. Dhembshuria, as keqardhja nuk duhet të jenë me një kahje!
Publikuesja e videos duhet të kërkojë ndjesë. Ajo nesër mund të traumtizohet nga dëmi që ka shkaktuar. Videoja duhej dërguar prokurorisë, jo popullit për gjykim. Populli nuk është Gjykatë! Ai pret derisa të shfaqet tragjedia e ardhshme për t’u shtirë se është më i mirë se tjetri! Ndjesë duhet të kërkojnë edhe ato që keqtrajtonin zonjën dhe që zgërdhiheshin aty. Për pjesën tjetër duhet të vendosë gjykata.
Prindërit e atyre të rejave duhet t’i mbrojnë bijat e veta. Fëmija ka nevojë për prindin kur ai rrëzohet. Tani ato janë përtokë! Me atë mbështetje u tregojnë bijave të veta si të sillen me ata prindër, kur ata do të jenë të pafuqishëm. Prindi nuk guxon t’i bashkëngjitet turmës vrasëse! As licenca e punës nuk duhet t’u hiqet, por të paguajnë gjobë, siç parasheh kodi penal. E as të mbyllet Shtëpia e Pleqve, sepse kështu tani „të mirët“ po ndikojnë në rritjen e dramës. Vajzat e reja gabuan, tani nuk duhet të gabojnë të gjithë! Nuk duhet tani të dënohen edhe pleqtë tjerë…
Vepra penale në vend të punës duhet parë në kontest tjetër. Njeriu ka dinjitet dhe Kushtetuta ia garanton çdonjërit atë dhe e mbron nga cenimi: edhe viktimës, edhe kriminelit. Edhe zonjës, por edhe atyre vajzave të reja, që u sollën me mendjelehtësi dhe kundër të cilave u ngrit populli me agresivitet të paparë!
Sjellja e turmës ishte tipike për shoqëritë patriarkale: për një gabim të vogël, i dobëti, më i vogli, dënohet me një dënim dhjetëfish më të madh. Gabimi i të dobëtit apo i vajzave, ka si pasojë traumatizimin. Djemtë mund të rrahin sa të duan, ata mund të vrasin bashkëshorten, babain ose nënën, por shoqëria moralisht e korruptuar, e prishur, nuk acarohet kur bën vepër penale djali, as nuk del në protesta, por çmendet kur një vajzë bën një gabim, edhe të vogël.
Ja tituj e gazetave, të cilët dëshmojnë për amoralitetin e shoqërisë. Aty flitet për rrahjen e babait, jo nga një infermiere e huaj, por nga djali i vet:
„Djali rrah babain në Podujevë“, 12 Shkurt 2019 /
„GJILAN: DJALI RRAH BABAIN E BËN PËR SPITAL“,3 vite më parë
„Djali rrah babain me grushte në Ferizaj“, 18 Gusht 2021
„Gjakovë: Djali rrah babain dhe nënën“, 31/05/2021,
„Djali rrah babain e vet në Rahovec“, 19.03.22
„Djali rrah për vdekje babain“, , 06/07/2022
„Djali rrah babain natën e Bajramit“, 09.07.2022 ,
“Djali rrah babain, arrestohet nga policia“, Prishtinë| 17.09.2022.
A thua pse nuk u reagua si tani kur djali vrau të atin, por alarmohen në histeri për disa shpulla të një vajze të çorientuar? Pse shpulla qenka akt më tragjik sesa vrasja e babait?
Në kultura primitive drejtësia ka gjini! Çdo akti i pamoralshëm i falet burrit, asnjë gruas! Këto janë shoqëritë maskiliste patriarkale. Aty burrat shtypin gratë e veta: u kuptuam, në kultura primitive burrat shtypin gratë, çikat dhe motrat e veta! Dhe krenohen! Jo vetëm se mburren, por ata nuk ndihen xhelozë vetëm për bashkëshorten, por edhe për nënën, edhe për motrën!!! Madje edhe e kontrollojnë lëvizjet e tyre, nga frika, sepse nuk ndihen burra sa duhet.
Pse nuk u reagua kur djali rrahu nënën? Sepse krimin në shtëpi jemi mësuar ta fshehim dhe duke sulmuar krimin e huaj, mendojmë se perceptohemi si më të mirë sesa ndihemi apo sesa jemi. Kur shkruhet në google „Djali rrahu nënën“ në faqen e parë shfaqen këta tituj:
„DJALI RRAH NËNËN NË PEJË“, 5 vite më parë
„DJALI RRAH NËNËN“, 4 vite më parë
„Djali rrah nënën në Prishtinë“, , 3 vjet më parë
„Prishtinë, djali rrah nënën dhe vëllanë e tij“,14.2.2022,
„Prishtinë: Djali rrah nënën e tij“,22 Tetor 2022,
„Djali rrah nënën e tij“, 28 prill 2022
„Djali rrah nënën në Gjilan“ ,10.10.2022
„Djali rrah nënën në Mitrovicë“, 09.05.2022.
Ata tituj dëshmojnë për moralin e humbur, për hipokrizinë, për rrenën dhe shtirjen si normë morale. Ku ishte turma që tani gjoja revoltohet?
Pse kishte aq shumë reagime histerike? Sepse ishte në pyetje nëna. Në shoqëritë primitive patriarkale të gjithë ndihen të prekur në ndërgjegje kur është fjala për nënën. Pse? Sepse aty babai ua dhunon fëmijëve nënën vazhdimisht. Aty nëna shtypet e vuan tërë jetën.
Aty fëmija mëson rrahjen, dhunën psikologjike me piskama, se duke abuzuar me më të dobëtin, duke e shtypur dhe zvogëluar atë, bëhet i fortë, më i madh. Dhe, nuk çmohet dija dhe mësimi, por forca dhe besimi.
Ps.:
A do ta kisha dërguar unë prindin në Shtëpinë e Pleqve? Po! Sepse kështu do t’i tregoja edhe fëmijëve të mi ku duhet të më dërgojnë mua nesër. Të rinjtë duhet të kenë hapësirën e tyre private dhe intime për ta jetuar jetën e vet si duan ata.
*Titulli, Krishti turmës, që dëshironte të vriste një grua me gurë pse kishte tradhtuar burrin…
Letër burrave I dhe II te amazon, lulu etj.