Në vitin 2020 kam shkruar “Albin Kurti është në rrezik të vritet”, nisur nga arsyet e shumta e që kryesisht kanë të bëjnë me prishjen e pazareve të tenderëve, ndaljen e luksit për ata që janë mësuar dhe kanë pandehur se gjithmonë do të jetë ashtu. Ka pasur kërcënime ndaj z.Kurti, e së fundi doli në pah se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas nga Shqipëria. Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.
Nga vijnë këto orkestrime, plane për të eliminuar Albin Kurtin. Pa dashur të futem në fushën e spekulimeve, në bazë të ngjarjeve kërcënimet priten nga Beogradi dhe nga ata që nuk janë në pushtet dhe të cilët z.Kurti bashkë me Vjosa Osmanin arritën t’i largojnë nga pushteti. Përballë kemi klanin “Pronto” njerëz të SHIK-ut, të cilët edhe vet KFOR-i në 2004 i cilëson njerëz të rrezikshëm. Këta njerëz ende janë pjesë e PDK-së dhe përgjithësisht ish-PAN-i. Këta njerëz kanë kapur shtetin në shumë drejtime, kryesisht me koncesione, dhënie të tenderëve, terminale të ndryshme dhe borde të rëndësishme. Pikërisht këto të fundit kanë filluar të shkunden nga kapësit e shtetit, të cilët nga humbja e privilegjeve të shumta janë në gjendje të bëjnë çdo gjë për të shmangur humbjen e komoditetit.
Këta njerëz fatin e tyre e kanë të lidhur me pozitë, pa të cilën ata nuk janë askushi, nuk janë të aftë për asgjë përveç zhvatjes, pasurimit pa djersë dhe eliminimin e kujtdo që u del përpara. E kuptoj se për shume njerëz që me vite të tëra janë adaptuar në pozita të mira, me paga të majme, me zhvatje të shtetit përmes tenderëve, pushime luksoze, vizita kudo në botë, etj., nuk është kollaj të kuptojnë se ajo periudhë po merr fund. Këta individë duke qenë edhe të egër nga natyra, nuk arrijnë të kuptojnë realitetin, përpos ngritjes së ndonjë kurthi për të gjithë ata që synojnë shtet të drejtë. Në këtë mes e rrezikuar duhet të ndihet edhe zonja Vjosa Osmani, e cila si z.Kurti kanë synim të ç’kapin shtetin nga klani “Pronto”, respektvisht PAN-i.
Nuk janë të paktë njerëzit që po u prishet strofulla e krimit, pa atë strofull nuk ndihen të rëndësishëm në shoqëri, më parë japin jetën se luksin, këta njerëz janë shumë të rrezikshëm. Prandaj, duhet ndërmarr të gjitha masat sa nuk është vonë, njerëzit që janë në krye të ç’kapjes së shtetit, të ndihmohen, të mbrohen nga e keqja. Këta njerëz janë të rrezikshëm, rasti i fundit i një qytetari që ofronte 10 milionë euro për kokën e Albinit, duhet të shërbejë si masë mbrojtëse që të mbrohet ai dhe zonja Osmani nga ata që nuk po e kuptojnë se shteti u takon qytetarëve e jo grupeve të caktuara. Në këtë logjikë, këta njerëz duhet të largohen që vendi të shoh dritë, por largimi i tyre i dhimbshëm mund edhe të prodhojë kërcënime dhe mbase orkestrime që vetëm ata dinë t’i bëjnë. Kujdesi asnjëherë nuk është i tepërt, prandaj kujdes nga e keqja.
Albini është i rrezikshëm edhe për Beogradin, s’po arrin të realizojë ëndrrat për asociacionin, marrjen e shtetësisë nga brenda. Andaj, sa më shumë që i prishin planet Serbisë ndaj Kosovës dhe kriminelëve pazaret, aq më shumë Albini rrezikohet.