Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Numan Kurtulmush, i cili po qëndron për një vizitë treditore në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se filozofia themelore e Turqisë në lidhje me Ballkanin është garantimi, rritja dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, raporton Anadolu.
Kryeparlamentari turk vizitën e tij zyrtare në Shkup e filloi me një takim me homologun e tij Afrim Gashi, të cilët më pas u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.
“Synimi ynë është rritja dhe zhvillimi i miqësisë me të gjitha vendet e Ballkanit”, tha Kurtulmush.
Më tej, Kurtulmush tha se shërbimet e kryera nga Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA), Instituti Yunus Emre dhe Fondacioni Maarif në Maqedoninë e Veriut, kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e vendit.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve të rajonit nëpërmjet negociatave të bazuara në miratimin reciprok është një nga perspektivat kryesore të Turqisë”, tha Kurtulmush.
Për ecjen e Ballkanit me hapa më të shpejtë në proceset e zhvillimit, theksoi kryeparlamentari turk, “ne si Turqia jemi të gatshëm të bëjmë çdo detyrë që i takon një fqinji dhe miku”.
Pas takimit në shtëpinë ligjvënëse me Gashin, Kurtulmush gjatë ditës do të marrë pjesë në programin e organizuar me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.
Burimi: alfax.mk