Kryeministri Albin Kurti do të marr pjesë në një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor që do të organizohet nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Lajmi u bë i ditur nga mediat greke.
Shqipëria e ftuar në nivel presidenti nuk do të përfaqësohet në këtë takim, ndërsa nuk bëhet e ditur nëse kjo është për shkak të ashpërsimit të gjuhës për rastin e kryetarit të Himarës, Fredi Beleri.
Agjencia e lajmeve ANA – MPA, raporton se nisma e kryeministrit Mitsotakis për të ftuar të hënën më 21 gusht në orën 20:15 liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, nënvizon rolin e Greqisë si shtyllë për stabilitetin, paqen dhe sigurinë energjetike në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis diçka që është sa thelbësore dhe simbolike.
Përpos Kurtit, nga liderët rajonalë do të marr pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Borjana Kristo si dhe presidenti serb, ish-ministri i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq.
Në darkën joformale do të marrin pjesë edhe liderët e vendeve që janë anëtare të BE-së si kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.