Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një statusi në rrjete sociale pasi dje mori pjesë në Kongresin themelues të VLEN-it në Shkup, duke e cilësuar bashkimin e pesë subjekteve politike shqiptare si një zhvillim të pazakontë dhe me peshë të veçantë.
Kurti theksoi se ndryshe nga praktika e zakonshme e përçarjeve në politikë, ky bashkim përfaqëson një model të ri bashkëpunimi dhe pjekurie politike.
“Jemi mësuar që në politikë më shpesh të shohim ndarje e përçarje, prandaj është shumë më e rrallë kur disa subjekte arrijnë të bashkohen në një trup të vetëm politik”, ka shkruar ai.
Në statusin e tij, ai e ndërlidhi këtë moment edhe me simbolikën e 9 Majit – Ditës së Evropës, duke theksuar rëndësinë e vlerave evropiane për rajonin dhe duke paralajmëruar për rreziqet nga ideologjitë përçarëse.
Kryeministri i Kosovës po ashtu vuri në pah bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke përmendur lehtësimet kufitare përmes sistemit “One Stop Shop”, si dhe projektet infrastrukturore që pritet të forcojnë ndërlidhjen dhe zhvillimin ekonomik.
Në fund, Kurti theksoi rëndësinë e integrimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe rolin e tyre në stabilitetin rajonal.
“Stabiliteti i Ballkanit nuk ndërtohet mbi përjashtimin, por mbi integrimin e drejtë dhe përfaqësimin e shqiptarëve në qeverisje”, ka shkruar ai, duke e vlerësuar bashkimin e VLEN-it si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
Burimi: alfax.mk


