Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar Ekrem Rexhën, i njohur si “Drini”, duke e vlerësuar si një epror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me rol të rëndësishëm në çlirimin e Prizrenit dhe zonës së Pashtrikut, përcjell “Bota sot”.
Ai thekson se Drini nuk ishte vetëm strateg lufte, por edhe një kontribuues i rëndësishëm në periudhën e pasluftës për ndërtimin e institucioneve dhe rendit në vend.
Kurti e përshkruan atë si një figurë të respektuar, profesionist dhe përfaqësues dinjitoz të qytetarëve në kohë të vështira.
Postimi i plotë
Në ditët më kritike për vendin tonë, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkangjitë eprori i shkolluar ushtarak Ekrem Rexha, i njohur me nofkën Drini. Si udhëheqësi i zonës operative të Pashtrikut, mes popullit ai më së tepërmi kujtohet si njeriu kryesor i cili e hartoi dhe e realizoi planin për çlirimin e qytetit të Prizrenit me rrethinë. Mirëpo kontributi i tij madhor për vendin vazhdoi edhe pas përfundimit të luftës, duke u angazhuar në paqe për rindërtimin e institucioneve të para të vendit. Prandaj, pos si një strateg lufte, trim dhe atdhetar, qytetarët e vendit tonë, sot e kësaj ditë, 26 vite pas vrasjes së tij tinzare, komandant Drinin e kujtojnë edhe si mikun e vet kur kanë qenë në vështirësi, si njeriun e rendit dhe paqes, si një profesionist në secilën detyrë që ka ushtruar, e si një poliglot e diplomat i cili i ka përfaqësuar qytetarët tanë para administratës ndërkombëtare.
Përherë do të kujtojmë bujarinë dhe dinjitetin e komandant Drinit, karakteri emblematik i të cilit ka qenë shpresa e qytetarëve për rindërtimin e vendit pas luftës çlirimtare.
Burimi: botasot.info


