Kurti apelon për kursim të energjisë elektrike në janar e shkurt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është lavdëruar që masat e marra nga Qeveria e tij për krizën energjetike kanë dhënë efekt deri tash, por ka apeluar që kursimi nga qytetarët të intensifikohen për muajin janar e shkurt.

Në një konferencë për media të shtunën, Kurti ka thënë se me masat e marra për krizën energjetike kanë ulur me 8 për qind konsumin e energjisë elektrike në krahasim me vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2022, kemi ndarë 85 milionë euro për qytetarët në përballje me këtë krizë të madhe. Me subvencionimin e faturave për të gjithë, e kemi evituar rritjen e çmimit për familjen, komunat e institucionet publike që konsumojnë 800 kWh. Kemi mundësuar çmime më të lira se në rajon. Më subvencionimin shtesë për ata që kursejnë kemi ndihmuar mbi 161 mijë familje në shtator, mbi 212 mijë familje në muajin tetor. Është rritur numri atyre që kursejnë muaj pas muaji. Kemi bërë shpërblim për ata që kursejnë. Me këto masa, kemi balancuar nevojën e qytetarëve për të evituar rritjen e çmimit të energjisë dhe kemi vepruar në përputhje me strategjinë e energjisë. Kemi arritur të ulim konsumin e energjisë elektrike me 8 për qind krahasim me vitin e kaluar. Veçanërisht në amvisëri, në muajin nëntor kemi arritur deri në 15 për qind”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit falënderoi qytetarët që po kursejnë energjinë elektrike dhe ka thënë se falë kësaj u mundësua që të ketë furnizim të rregullt, pa reduktime.

Por ka bërë thirrje që në muajin janar e shkurt të kursehet edhe më shumë.

“Çmimi i një megavat për orë është mbi 500 euro, tetëfishi i asaj që paguani ju në fatura. Janari e shkurti do të jenë periudha të vështira, temperaturat bien dhe çmimet e energjisë ngrihen në tregjet ndërkombëtarë. Kërkojmë që ta intensifikoni kursimin”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ndërkohë ka pasur vërejtje për komunat dhe bizneset, për të cilat ka thënë se nuk ka parë ndonjë shenjë kursimi. I ka paralajmëruar se nëse vazhdojnë kështu, subvencionimi për ta nuk mund të bëhet në të ardhmen.

Story i mëparshëm

Dënimi i ish-komandantit të UÇK-së me 26 vjet burg, protestë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

Story i radhës

Pamje/ Parisi në ‘flakë’ pas masakrës me 3 viktima, kurdët e revoltuar protestojnë në Francë

Të fundit nga