Vlora Çitaku thoshte para dy ditësh se “Kosova nuk është vetëm mëmëdheu i Albin Kurtit”! Ndërsa në rrjetet sociale tani gjen vetëm fjalimet patetike “për mëmëdhenë” të Edi Ramës, Hashim Thaçit e të tjerëve. Janë fshirë jo pak pamje filmike, ku kjo kategori liderësh shqiptarë kanë artikuluar deklarata anti-Kosovë e për pasojë anti-shqiptare! Madje po kërkoja edhe deklaratën e Baton Haxhiut kur thoshte se “duhet të falim krimet serbe në Kosovë, duhet t’i falim veriun e Kosovës Serbisë dhe duhet ta zhbëjmë pastaj Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, për t’u pajtuar me serbët”, po nuk e gjej dot.
Po ngrihet një kurth, që vetëm serbët dinë ta ndërtojnë
Të gjithë këta, përfshirë dhe Bekim Çollakun, i cili për herë të parë artikuloi në një farë mënyre ndarjen e Kosovës në janar 2018, janë zgjuar. Vlora e deri te Bekimi desh na lanë pa atdhe, ndërsa sot flasin e bërtasin “për mëmëdhe” dhe i japin këshilla kryeministrit e presidentes së vendit se si ato duhet të sillen kundrejt Kosovës! Këtë e bën edhe Skënder Hyseni, edhe Isa Mustafa! Të gjithë ata që u rreshtuan krah Thaçit e Ramës për ndarjen e Kosovës! Po pse nuk i thonë atdhe, por “mëmëdhe”?! Sepse kanë alergji nga fjala “atdhe”! Nuk duan ta përmendin. Shyqyr zotit që Çajupi i Madh përdori fjalën “mëmëdhe” dhe këta u rrekën ta përdorin këtë në vend të fjalës atdhe.
Por le mos merremi me këtë lloj retorike, e cila nuk përdoret rastësisht. Tani ka filluar të artikulohet ideja se “Çfarëdo të drejtash të kenë serbët në Kosovë, ato duhet të jenë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës”! Kurthi është i dukshëm, aq sa kam filluar të dyshoj pse Serbisë i konvenon një numër i madh shqiptarësh në Luginë! Sigurisht që numri i shqiptarëve në Luginë është shumë me rëndësi për kombin tonë. Sa më i madh ky numër, aq më shumë krijohen mundësitë për të rezistuar kundër politikave asimiluese të tyre nga ana e Beogradit.
Por, shoh se po ngrihet një kurth, që vetëm serbët dinë ta ndërtojnë. Ata janë të qetë edhe pse nga regjistrimi I popullsisë në Serbi shqiptarët dyfishohen në numër! Pikërisht në këtë moment Kosovë-ndarësit shqipfolës kanë filluar të artikulojnë “dashurinë për mëmëdheun”! Dhe kanë injektuar tezën e ekuivalencës së të drejtave të serbëve në Kosovë me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. D.m.th që Kosova ta pranojë edhe ndarjen e veriut të vendit në favor të Serbisë në këmbim të disa territoreve të Luginës, në Beograd do të jenë gati ta çojnë numrin e shqiptarëve të Luginës në 200 mijë, në këmbim të veriut të Kosovës, sepse këta shqiptarë do t’i regjistrojnë në perëndim të Luginës, jo në lindje të saj! Për pasojë gryka e Moravës nuk ka shans t’i bashkohet Kosovës në një skenar të tillë!
Në Beograd janë kësaj rruge.
Ta motivojnë Luginën e Preshevës që të kërkojë me çdo kusht bashkimin me Kosovën. Pastaj të nxisin disa shqiptarë që “të flasin për mëmëdheun” dhe ndërkohë në emër të “mëmëdheut” të kërkojnë edhe këta bashkimin e Luginës me Kosovën. Sapo të marrë udhë kjo formulë, Beogradi do të thotë: “Po, jemi dakord, por edhe ne duam të na jepni diçka dhe kjo diçkaja nuk është hiç më pak se Trepça e pasuritë e tjera të veriut të Kosovës, të cilat kanë mbajtur dikur Jugosllavinë!
Dhe ata që e kanë artikuluar tri-katër vite këtë teori bëjnë gjithçka që është e mundur për realizimin e këtij skenari! Qëllimi është të funksionojë plani serb e njëkohësisht t’u thonë atdhetarëve të vërtetë se “A e shihni që ne kishim të drejtë! Pra ne nuk jemi tradhtarët”! Ndoshta do të na bëjnë ne të tjerëve “tradhtarë”!
Kosova humb pasuritë e saj të çmuara
Thirrjet patetike se “tani që në Luginë ka mbi 100 mijë shqiptarë, ata duhet të kërkojnë të njëjtën zgjidhje si edhe serbët në veri të Kosovës” janë jo vetëm kurthi i radhës i skemave të Beogradit. Por, janë gjithashtu edhe rreziku më i madh që i kanoset Kosovës! Mëmëdhetarët e deshën këtë skemë ta implementonin në vitet 2018-2020. Nuk arritën! Por po duket se nuk kanë hequr dorë nga ky plan djallëzor! Ndërkaq ka shumë naivë në mesin e atdhetarëve të vërtetë, të cilët e besojnë këtë formulë. Por, nuk bëjnë llogari çfarë fiton e çfarë humb Kosova.
Nëse pranohet një zgjidhje e tillë, Kosova humb pasuritë e saj të çmuara, ndërsa Serbia vetëm disa territore që nuk i duhen të Preshevës. Por, qëllimi i Serbisë nuk është ta japë Luginën e Preshevës. Qëllimi i saj është të imponojë sërishmi diskutimin dhe idenë e shkëmbimit të territoreve. Pasi të niste ky proces, Serbia do ta kërkonte edhe Vushtrrinë e deri në Pejë e Deçan, me qëllim që të përfitojë gjithçka që ajo dëshiron në Kosovë. Do të kujdeset që tregimi i parë në dialog të jetë territori i Kosovës dhe pasi të vendoset për këtë, të diskutohet për territoret e Luginës së Preshevës. Në këtë rast do të rezistojë deri në atë pikë sa t’ia japë Kosovës spiunin e saj Shqiprim Arifi, por jo edhe Preshevën!
Bëni kujdes miqtë e mi dhe mos bini në kurthin e skenarëve të Serbisë, të cilëve u ndihmojnë jo pak shqiptarë!