Kur vendi i punës, shndërrohet në vendin e vdekjes

April 15, 2022
min lexim

Kronikës së zezë të lajmeve ditore, të enjten iu shtua edhe një i hidhur për natyrën dhe përmbajtjen e ngjarjes. Një qytetar nga fshati Grabaricë e Komunës së Klinës, nuk kishte mundur t’i mbijetojë plagëve të marra pas rrëzimit nga objekti i punës.

Rastet sikur ky i ditës së sotme, nuk janë thjesht ngjarje që ndodhin në baza mujore apo vjetore. Ky fenomen është shndërruar tashmë në një dukuri në shtetin e Kosovës.

Sektori i ndërtimtarisë, i cili ka marr hov të madh, në vitet e fundit për shkak të nevojës për të ndërtuar dhe investuar në infrastrukturë, po merr jetë njerëzish. Ky është një realitet i frikshëm, e që për fatin tonë të keq nuk po e merr vëmendjen e duhur e mbi të gjitha të merituar.

Sa për të qëndruar tek rastet e përvitshme, në mes të muajit mars, qyteti i Ferizajt u trondit nga humbja e jetës së Leotrim Dautit. Një djalë, afër të 30-ve, nuk arriti që t’i mbijetonte plagëve nga lëndimet në vendin e punës. Ai e kishte filluar punën në moshë të hershme i shtyrë nga nevoja dhe problemet financiare.

Të afërmit e përshkruan si një djalë, me shumë vullnet për punë dhe për jetë. Anipse i ri në moshë, ai kishte arritur që të përvetësonte punën dhe të shndërrohej në udhëheqës të grupit.

Humbja e jetës së të riut, Leotrim Dauti dhe rasti i ditës së sotme në Klinë, janë vetëm disa prej atyre që kanë goditur opinionin dhe ndjeshmërinë e qytetarëve të Kosovës. Zgjimi në mëngjes për të shkuar në punë dhe për t’iu siguruar familjes ushqimin, po përfundojnë duke mos u kthyer të gjallë në shtëpitë e tyre.

Kur realiteti është më i hidhur se gjithçka tjetër, kur vendi punës për shumë të rinjë, e që jo vetëm për të rinjë, po shndërrohet në vendin ku ata po e gjejnë vdekjen. Sektori i ndërtimit është bërë shumë i rrezikshëm për ta përshkruar si vend pune.

Zanati i ndërtimtarisë është një nga profesionet ku shumë qytetarë të Kosovës e kanë gjetur vetën, për shkak të qasjes më të lehtë për të gjetur punë. Nga nevoja për të mbijetuar në një ambient të vështirë për të jetuar, shumë njerëz orientohen aty ku e kanë më të lehtë që të marrin një rrogë në fund të muajit.

Nevoja po i shtynë këta njerëz për të mos menduar shumë rreth rreziqeve që mund të sjellë ky zanat, e që në rastet më ekstreme dhe në aspektin figurativ të fjalës është quajtur edhe “Zanati i vdekjes”.

Sipas statistikave në periudhën 2018-2021 në vendin e punës, përkatësisht vetëm në sektorin e ndërtimtarisë, janë aksidentuar më shumë se 660 punëtorë, ku mbi 50 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.

Krahasuar me shtetet tjera, Kosova e ka normën më të lartë për punëtorët e aksidentuar në vendin e punës.

Arsyet se pse janë këta numra aq të lartë janë prej më të ndryshmeve. Ne mund të fillojmë që nga mungesa e inspektorëve, konkretisht numri shumë i vogël që janë aktiv e që dalin për të inspektuar vendpunimet në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas Inspektoratit për Siguri në Punë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë janë gjithsej 30 inspektorë aktiv që punojnë dhe që merren me sigurinë e punëtorëve nëpër objektet punuese. Kjo është një sfidë në vetvete që është injoruar tash e 20 vite.

Me vetëm 30 inspektorë aktiv, me gjithë hovin në zhvillim që është duke e përjetuar sektori i ndërtimit, është krejtësisht e pamundur që këta inspektorë të kryejnë punën e tyre ashtu siç duhet. Qoftë edhe minimalisht, edhe nëse janë të përgatitur profesionalisht.

Arsye tjetër e dukurisë së vdekjeve në vendin e punës, është edhe fakti se pronarët e kompanive ndërtimore nuk u ofrojnë punëtorëve siguri aty ku punojnë. Mjetet e punës të vjetruara, e sidomos edhe metodat punuese shihen si shumë sfiduese dhe arsye e fortë e numrit të madh të të vdekurve në ndërtim.

Këtë qasje e kanë mundësuar edhe ligjet shumë të buta për pronarët e kompanive. Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’ua sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe shëndetit të të punësuarve, në të kundërtën shqiptohen gjoba.

Ndërsa butësia e dënimeve, për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas ligjit sillet nga 100 deri në 20 mijë euro.

Prandaj, është momenti i fundit që shteti i Kosovës, të intervenojë në këtë drejtim sepse kjo neglizhencë po i merr jetën shumë njerëzve. Familjet në Kosovë, po mbesin pa më të dashurit e tyre, profesioni po i humb punëtorët më të mirë, e për më tepër Kosova po tkurret dhe po e dëshmon mos aftësinë për të mbrojtur këtë sektorë dhe qytetarët e saj.

Duhet me patjetër rritja e numrit të inspektorëve në sektorin e ndërtimit sepse vetëm prezenca më e shpeshtë e tyre nëpër objektet punuese, do të ndikonte në evitimin e vdekjeve dhe rritjen e sigurisë së punëtorëve nëpër vendet e punës.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Putini: Nuk ka asnjë zëvendësim racional për gazin rus në Evropë tani

Story i radhës

Drejtori i Inspekcionit paralajmëron aksionin e radhës në Prishtinë

Të fundit nga

ShkoLartë