Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar fjalimin e ish-udhëheqësit komunist të Shqipërisë në plenumin e KQ të Partisë Komuniste të datave 18-20 dhjetor 1946, menjëherë pas vizitës së tij në Beograd dhe nënshkrimit me jugosllavët të marrëveshjes për doganat e përbashkëta. Në atë fjalim Enver Hoxha kërcënon të gjithë ata që nuk e kuptojnë “vijën e Partisë” për miqësinë me Jugosllavinë dhe deklaron se kosovarët e Kosova gëzojnë të drejta në Jugosllavi.
Citoj: “Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi jonë është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive! Pra, në këtë situatë duhet të bëjmë ç’është e mundur që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi” – deklaronte Hoxha.
Më pas ai vazhdon fjalën e tij në dobi të Jugosllavisë së Titos dhe veç të tjerash thekson: “Ne do ta shpjegojmë! (Pikërisht atë që thotë më lart. Shënimi im). Kush nuk e kupton ne kemi për detyrë ta luftojmë. Kur ne bëjmë një akord, (është fjala për marrëveshjen. Shënimi im) hapim doganat, është një hap drejt socializmit e marrëdhënieve të Kosovës me popullin shqiptar. Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq më të mirë, forcave e argumenteve tona është më e madhe”!
Vetëm këto dy paragrafe mjaftojnë për të dëshmuar se sa patriot, atdhetar e nacionalist ka qenë diktatori shqiptar i periudhës së komunizmit. Ata që projektojnë nacionalizëm te ai, si p.sh Rexhep Qosja apo dhëndri i tij, Pëllumb Xhufi, duhet të mbajnë parasysh se ky fjalim po mbahej vetëm një vit e gjysmë pas masakrës së Tivarit, kur mijëra shqiptarë të Kosovës u asgjësuan edhe në territorin e Shqipërisë nga forcat ushtarake të Jugosllavisë, kuptohet Serbisë. Ky fjalim I takon kohës kur masakrat sapo kishin përfunduar në Drenicë, Ferizaj, Gjilan e qytete të tjera të Kosovës. Rreth 40 mijë shqiptarë u asgjësuan në këtë periudhë prej çetnikëve dhe partizanëve serbo-jugosllavë. Ndërkaq Enver Hoxha fliste për atë që “miqtë” kosovarë të vëllazëroheshin me vëllezërit jugosllavë, kupto ata serbë.
Kjo është një anë! Çështja tjetër lidhet me dramën e madhe të përsëritjes së historisë sonë fatkeqe. Nëse merrni të dashur lexues dhe i shihni fjalimet e kryeministrit të sotëm, Edi Rama, të cilat ai i mban në prezencë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Beograd, Shkup, Ohër, Nish, Tiranë a Novi Sad, do vini re se thelbi i fjalimit të vitit 1946 i diktatorit shqiptar shprehet në të gjitha fjalë-mbajtjet e Edi Ramës! Kjo ndodhi dhe ditën e sotme, kur Edi Rama i thoshte një gazete austriake se vënia e sanksioneve kundër Rusisë nga ana e Serbisë do të ishte vetëvrasje politike e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Kësisoj Serbia dhe presidenti i saj mbrohen e ngrihen lart, ndërsa Kosova anatemohet dhe qortohet e madje fyhet! Enver Hoxha fliste për vëllazërimin e kosovarëve me jugosllavët! Ndërkohë për vëllazërimin e kosovarëve dhe shqiptarëve me serbët flet edhe Edi Rama. Dhe deri diku të dy kanë pasur sukses. Asokohe brohoritej për Titon nga shqiptarët e Shqipërisë, sot ka jo pak shqiptarë që e respektojnë dhe e ngrejnë shumë lart Aleksandër Vuçiq. Madje shprehen entuziastë për lidhjen e ngushtë Rama-Vuçiq.
Kur Edi Rama nga Ohri në qershorin e vitit 2021 kërcënonte se “Kush nuk vjen me ne në Open Balkan, ne do ta luftojmë” të kujton pikërisht Enver Hoxhën e vitit 1946, i cili gjithashtu kërcënonte se do luftonte ata që nuk e kuptonin politikën e tij të afrimit me Jugosllavinë! Arroganca e Enver Hoxhës dhe e Edi Ramës për të diktuar marrëdhënie të ngushta me Serbinë dhe për ta injoruar Kosovën e të drejtën e saj, janë të ngjashme. Të përafërta janë qëllimet, mjetet, tonalitetet, dhe deri diku edhe rrethanat politiko-shoqërore.
Thashë se fjalimi i Enver Hoxhës në atë plenum të Partisë Komuniste në mbrojtje të interesave të Jugosllavisë-Serbisë po mbahej në rrethanat kut Serbia e Jugosllavia kishin asgjësuar fizikisht mbi 30 mijë shqiptarë. Fjalimet e Edi Ramës pro Serbisë dhe presidentit të saj aktiv në ushtrimin e gjenocidit në Kosovë mbahen gjithashtu në një kohë që ende nuk janë gjendur viktimat e terrorit serb kundër shqiptarëve në Kosovë.
Por ka dhe paralelizma të tjera: – Enver Hoxha u mbështet te Tito për ruajtjen e pushtetit të tij absolut në Shqipëri dhe në momentin kur pa se ky pushtet po i rrezikohej, ai iu bashkua Stalinit. Edi Rama ende beson se miqësia me Vuçiq i zgjat atij jetën në pushtet. Ndaj dhe e mbron atë nga “vetëvrasja politike”! Ai e kupton se po iku njëri, ikën edhe tjetri! Dhe në fakt mandatin e katërt Edi Rama e fitoi edhe me ndihmën e Aleksandër Vuçiq. Deklarata e presidentit serb kundër Berishës dhe pro Edi Ramës e 20 prillit 2021 ishte shprehje e interesit serb për ta patur pikërisht kreun e Rilindjes si partner në rajon. Ajo deklaratë erdhi në ndihmë të Ramës, madje duke kërcënuar bashkësinë ndërkombëtare, se nëse, sipas Vuçiq, lejohej të vinte Berisha në pushtet, ndonëse kryetar i opozitës ishte Lulzim Basha! Intriga e asaj deklarate ishte menduar mirë, për të realizuar “fitoren” e rilindjes dhe nëpërkëmbur opozitën!
Megjithatë, ka ende naivë që vazhdojnë të besojnë se Edi Rama po bën politikë kreative në marrëdhëniet me Serbinë! Kreativiteti i këtyre marrëdhënieve është i bazuar në politikat e dikurshme të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha! Nëse ato politika të diktatorit konsiderohen kreativitet, atëherë edhe Rama është po aq kreativ sa paraardhësi i tij i viteve 1944-1948!