Barrikadat e fundit, të vëna me urdhër të Vuçiqit në Kosovë, kanë pasur jehonë të madhe jo vetëm në opinionin botëror, po edhe në vetë Serbinë.
Kosovës me bekimin e Vuçiqit ia kishin mësyrë grupet kriminele Wagner dhe Ujqit e Natës nga Rusia. Po ashtu drejt Kosovës ishin nisur, të nxitura nga Vuçiqi, edhe të gjitha grupacionet nga Serbia, me urrejtje raciste ndaj shqiptarëve.
Kjo urrejtje ndaj shqiptarëve, pas demaskimit të qëllimit të tyre, i kishte indinjuar edhe forcat progresive nga mbarë Evropa. Çështja është, a mund të pritet një lëvizje brenda vetë Serbisë, në mënyrë që t´i kthehet asaj si një bumerang.
Derisa barrikadat po vlerësohen nga Vuçiqi, si shprehje demokratike e pakënaqësisë së qytetarëve, komunitetet e pakënaqura me gjendjen e tyre sociale dhe politike në serbi, shumë lehtë mund të vendosin që të zgjohen nga gjumi.
Në Sanxhakun e banuar me shqiptar dhe boshnjak, mund të mendohet që edhe ata të startojnë me barrikada, si shprehje demokratike, për përmirësimin e të drejtave sociale dhe politike të tyre.
Si kërkesë e tyre minimale mund të jetë, formimi i Asociacionit të bashkive të Sanxhakut, me kompetenca të plota.
Një lëvizje tjetër mund të paraqitet edhe në Luginën e banuar me shqiptarë. Edhe aty mund të dilet me kërkesa për themelimin e Asociacionit me kompetenca të plota, apo të dilet me barrikada, si shprehje e legalizuar nga presidenti i Serbisë Vuçiq.
Me barrikada mund të startojnë edhe bashkitë Hungareze në Vojvodinë. Edhe ato kanë arsye, sepse autonomia e Vojvodinës është suprimuar në të njëjtën kohë kur i ishte suprimuar edhe Kosovës më 1989.
Pasi kjo veprimtari e barrikadave në Serbi, po cilësohet si shprehje demokratike e qytetarëve, komunitete e ndryshme tash e tutje do të mund ta shfrytëzojnë këtë të drejtë legjitime, për t´i shprehur pakënaqësitë e tyre.
Po ashtu mendohet se në Serbi ka edhe komunitete të tjera përpos atij shqiptar, boshnjak dhe hungarez, që do të mund të paraqesin kërkesa e tyre për Asociacione me kompetenca të plota. Mjafton që me këtë iniciativë të startoi dikush, në mënyrë që të bëhet kërkesë zinxhirore.
Ne shpresojmë që të gjitha forcat demokratike në shtetet fqinje duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë, Bosnjen, Slloveninë etj. do t´i përkrahin këto të drejta të komuniteve në Serbi.
Po ashtu shpresohet se nuk do të mungoi solidariteti me to as nga vendet e EU dhe perëndimit, sepse edhe ata ishin të preokupuar dhe ballafaquar drejtpërdrejtë me këtë formë proteste në Veriun e Kosovës.
EU, SHBA dhe perëndimi kishin zhvilluar bisedime intensive me Vuçiqin për t´i larguar barrikadat nga Veriu i Kosovës, por vetëm pasi ia kishin plotësuar kërkesat Vuçiqit, kishte pranuar t´i largonte ato.
Ky është pra një rast i mirë që edhe komunitetet e Serbisë ta shfrytëzojnë tash e tutje këtë mënyrë, për t´i arritur qëllimet e tyre sociale dhe politike.
Atyre në ndihmë nuk shpresohet që do t´u vinin grupacionet terroriste Wagner dhe Ujqit e Natës nga Rusia, por duhet të nisen vetëm në forcat e tyre dhe solidaritetin e fqinjëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO