Kumbaro: Vjosa “Park Kombëtar”, rezultat i një pune disa vjeçare

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se, shpallja e lumit Vjosa si “Park Kombëtar” ka ardhur si rezultat i një pune disa vjeçare.

Në fjalën e saj, gjatë aktivitetit të organizuar në Tepelenë, për shpalljen e lumit Vjosa si Park Kombëtar, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Kumbaro u shpreh se, ky park përbëhet nga plot 12 mijë e 727 hektarë, nga të cilat 47% janë sipërfaqe ujore, 36% bregore dhe pjesa tjetër shpate dhe kanione.

“Shpallja e këtij lumi “Park Kombëtar” ka ardhur si rezultat i një pune disa vjeçare, që nga shpallja park natyror në janar 2022, nga diskutimet e gjata për bashkëpunim me Patagonian, tek firmosja e marrëveshjes për bashkëpunim të vërtetë, që u pasua nga një punë shumë intensive e 30 ekspertëve vendas e të huaj në koordinim”, tha ajo.

Ajo tha se, “tashmë shpallja e lumit Vjosa “Park Kombëtar” nuk është përrallë, por është realitet i një pune të bërë nga disa dhjetëra ekspertë vendas e të huaj”.

“Është realitet i vizionit të qeverisë shqiptare që qartazi ka shpallur mjedisin prioritet duke bërë realitet atë model zhvillimi të qëndrueshëm që mediet e kanë quajtur përrallë ekologjike. Ky është edhe një realitet i një Shqipërie që rritet, emancipohet, i një shoqërie që piqet bashkë me rritjen ekonomike dhe me integrimin evropian. Shenjë emancipimi dhe kurajoje politike është edhe ky vendim i qeverisë shqiptare sot. Jo thjesht se kemi bërë punën studimore dhe thjesht kemi marrë një vendim, por sepse kemi sfiduar historinë. Me vendimin e sotëm kemi marrë përsipër të ndryshojmë rrjedhën e logjikës ekonomike të dikurshme të diktuar nga mangësitë e kohës, kemi sfiduar të shkuarën në emër të së ardhmes së qëndrueshme”, tha Kumbaro.

Në fund të fjalës së saj, ministrja falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët e huaj ku tha se, “erdhëm deri këtu falë një komunikimi intensiv, jo gjithmonë të lehtë, por arritëm të krijojmë një ekip bashkëpunues midis organizatave mjedisore dhe institucioneve shqiptare”.

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare, përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Edhe në Serbi i tremben emrit të Donjetës 

Story i radhës

SKYSHOWTIME KONFIRMON DATËN E PUBLIKIMIT PËR SERIALIN MUZIKOR GREASE: RISE OF THE PINK LADIES

Të fundit nga