kujtese historike per shqiptaret ne mal te zi 627b887292dbf

Kujtesë historike për shqiptarët në Mal të Zi

May 11, 2022
min lexim

Misionarë të ruajtjes së trojeve iliro-dardano-arbërore e identitetit kombëtar.
Luftëtarë të pamposhtur, qëndrestarë të paepur për përmbushjen e kauzës kombëtare.
Në shekuj’ e ruajtën të pashuar zjarrin e lirisë.
Dishepuj  të demokracisë e vlerave europiane, promotorë të finalizimit të endrrës nacionale.

Shqiptarët e Malit të Zi janë trashëgimtarë të drejtëpërdrejtë të iliro -dardano -arbërorëve, banorë prej mijëra vjetësh në trojet e tyre kur nuk kishte Rusi, Serbi e as Mal të Zi.

Në antikitet ai që sot quhet Mali i Zi ishte Mbretëria Ilire e Ardianëve, e cila është qeverisur nga Agroni, Teuta dhe Genti. 
Aty kanë banuar fiset e tjera të Ilirëve, labeatët dhe diokleatët, në zonën midis Zetës dhe Bjelopavliçit rreth tre-katër km në veripërendim të Podgoricës së sotme, ku bashkohen lumejtë Zeta dhe Moraça.

Ata ishin ngulitur aty që nga shekulli i tretë para lindjes së Krishtit

Pas vërshimeve romake e pushtimit të ketyre trojeve qyteti i Diokles ishte qyteti më i madh i kësaj krahine. Keshtu e cilëson historiani Kostantin Jiriçek, por ai thekson se këtu gjendej qyteza ilire.

Për të kanë shkruar edhe historiani, Plini në shekullin e parë pas Krishtit dhe gjeografi Ptolemeu në shekullin e dytë pas Krishtit. Në këto troje të ilirëve, që shtriheshin deri në Danub, nga fisi i diokles (dukles) lindi perandori i famshëm i Romës, Diokleciani.  Ai pasi i dha shkëlqim dhe lavdi Perandorisë Romake dha dorëheqjen dhe i kaloi vitet e fundit të jetës në pallatin e tij në Dubrovnik. 

Shprehja e tij e famshme se “E gjeta Romën me baltë e qerpiç dhe e lashë atë të veshur me mermer” është treguesi sinjifikativ i dijenisë shqiptare dhe i aftësisë së tyre qytetare qeverisëse. Shqiptarët e Malit të Zi janë të shquar historikisht për vokacionin e tyre perëndimor dhe kontributin e madh të dhënë në qytetrimin Europian. 
Që në shekullin e lll-të pas Krishtit, Shën Jeronimi i lindur në këto anë, në Dalmaci, me origjinë nga fiset ilire u bë një ndër njerëzit më të famshëm e më të ditur të Perandorisë Romake, me përkthimin integral të Biblës nga greqishtja e vjetër.

Ai u bë një ndër intelektualët më të famshëm në histori.  Në shekullin e shtatë pas Krishtit keto krahina dhe qyteti i Diokles u shkatërruan nga dyndjet sllave.
Dioklea është quajtur krahina dhe shteti që u krijua në shekullin e nëntë që përfshinte territorin e Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Drishtit. Në fillim të shekulit të trembëdhjetë Dioklea ra nën pushtimin serb, të Perandorisë së Stefan Nemanjes dhe mbeti nën kthetrat sllave deri në vitin 1355 kur vdiq Stefan Dushani, atëherë u përfshi në Principatën e Balshajve.

Në Mesjetë, pas çlirimit nga pushtimi serb, dinastia e fuqishme arbërore, Balshajt sundonin jo vetëm Malin e Zi të sotëm, por shtriheshin në kufijtë e një perandorie dhe kontrollonin një territor njëqindmijë kilometër katrorë. 

Pas rënjes së Balshajve principata e vogël e Zetës, siç quhej në atë kohë, në shekullin e katërmbëdhjetë, Dioklea, Mali i Zi i sotëm, u qeveris nga nipi i Gjergjit ll Balsha, nga Stefan Cernojeviçi.

 Nuk është rastësi që në Besëlidhjen e princërve shqiptarë, që u mbajt në Lezhë më 2 mars 1444, Stefan Cernojeviçi erdhi në këtë Kuvend historik bashkë me dy djemtë e tij.

 Ai ishte martuar me princeshën Mara, motrën e Gjergj Kastriotit, por dhe vet ishte me gjuhë e gjak arbëror dhe pinjoll i dinastisë së ndritur të Balshajve. 

Pas epopesë 25 -vjeçare të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut e pushtimit turk të Ballkanit, shqiptarët e Malit të Zi, përfaqësues të fiseve të fuqishme të Vasajoviçëve, Kelmendasve, Pipërit, Kuçit e Palabardhit e mbajtën të pashuar zjarrin e luftës për liri.

 Ata jo vetëm nuk i ulën armët, por u bënë iniciatorë të kuvendeve mbarëballkanike dhe hartuan strategjinë e luftës çlirimtare.  Nga korriku deri në shtator të vitit 1614-të u mbajt në Kuçin shqiptar, që ndodhet në Mal të Zi, Kuvendi i Kuçit i kryesuar nga prijësi i kësaj treve, Lala Drekali. 

Në këtë aleancë ballkanike antiosmane pati përfaqësues edhe nga Bosnja, Hercegovina, Maqedonia e Serbia.  Kuvendi vendosi për fillimin e luftës çlirimtare sipas modelit të strategjisë fitimtare të Skënderbeut në shekullin e XV dhe kërkoj ndihmën e Papatit e të Mbretërisë së Spanjës. 

Edhe në Kuvendin Ballkanik të Prokopit të vitit 1615-të e atë të Beligradit të vitit 1620-të krerët shqiptarë Lala Drekali, Gjeç Bardhi, Gjon Renësi e prelati Pjetër Budi, ishin jo vetëm truri e shpirti i këtyre ngjarjeve të mëdha, por edhe të ngarkuar si ambasadorë në Vatikan, Venedik, Spanjë e Francë për të siguruar armë e aleatë për luftën çlirimtare.

Për disa dekada me rradhë, këtu në Mal të Zi, qeverisën Bushatllinjtë. 

Kara Mahmut Pasha organizoj Kuvendin e Podgoricës në pranverën e vitit 1786-të ku morën pjesë prijësit shqiptarë dhe prijës ballkanikë, të cilët themeluan Konfederatën Ilirike.
 

Malazezët jo vetëm që nuk u treguan  mirënjohës ndaj të zotëve të shtëpisë, pra shqiptarëve etnikë, por që nga dalja në skenë e Rusisë si fuqi europiane në kohën e Pjetrit të Madh e të Katerinës së Madhe, me anë të popëve malazezë, me agjentë, para e dhunë u munduan të shkombëtarizojnë shqiptarët vendas e t’i kthenin në besimin ortodoks për t’i asimiluar.

Akti heroik i vetëflijimit të Oso Kukës në qershorin e vitit 1862, ku me shperthimin e kullës u vranë qindra forca malazeze deshmoi qartë se shqiptarët do të rezistonin e nuk do të thyheshin por do të mbronin me jetën e tyre trojet e veta dhe kauzën kombëtare.

Me krijimin e Principatës së Malit të Zi oreksi i shovinistëve të Knjaz Nikollës erdhi duke u shtuar. 

Në memorien historike të shqiptarëve dhe mbarë Europës kanë ngelur përjetë betejat legjendare të ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, të Hotit e Grudës, të Ulqinit e Tivarit, nga ushtritë malazeze të asaj kohe të udhëhequra nga Mark Milani.

Nëse Ulqini i Agronit, Teutës e Balshajve më 25 nëntor 1880-të ra në në kthetrat e përgjakshme malazeze, kjo nuk ndodhi për shkak të pazotësisë të tyre, por u desh një ushtri turke prej 20000 vetash dhe flota ushtarake e Fuqive të Mëdha për ta detyruar të dorëzohet qytetin krenar iliro–arbëror dhe u shua shpresa e shqiptarëve për ta mbajtur qytetin.

Në Ulqin u shua  edhe jeta e prehen eshtrat e Ymer Prizrenit, Kryetari i Qeverisë së Perkohëshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ushtria e të cilës kishte luftuar për mbrojtjen e tij por që nuk ia arriti dot ta shpëtonte nga pushtimi.

Ai kishte shkuar aty për të shpetuar nga perpjekjet e Portës së lartë për ta burgosur ku do të jetonte deri sa vdiq në mënyrë tragjike, larg familjes që ia kishte internuar Dervish Pasha në Turqi.

Në pranverën e vitit 1866, kur shqiptarët po përgatiteshin për një tjetër kryengritje i derguari i Portës së Lartë i shkoj në barakën ku jetonte në Ulqin Ymer Prizrenit dhe i kerkoj të ndikonte në Prizren, Dibër, Tetovë për të shuar këto përgatitje me qëllim shterrimin e një kryengritje të re në shkëmbim të faljes së jetës së tij dhe ofrimit të shume qeseve me flori.

Kësaj oferte komprementuese por shumë fyese për të burri i shquar i Kombit Shqiptar iu përgjigj atë kohë: “Shko nga ke ardhë se edhe sikur në fron të vet të më verë sulltani nuk dua t’ia di për Turqinë”.

Disa ditë me vonë u gjet i masakruar në mënyrë barbare në barakën e tij.

Ai e mbylli jetën në mënyrë tragjike por e nënshkroi emrin e tij në Panteonin e Kombit, përjetësisht në pavdekësi.

Gjatë një shekulli të pushtimit sllavë shqiptarët pësuan një genocid e dhunë të egër, spastrim etnik dhe mohim të të drejtave elementare e njerëzore, mohim të gjuhës e të kombësisë së tyre. 

Në vitin 1913 në Plavë e Guci, në Tuz e Ulqin, me një akt të pashembullt barbarie çetnikët serbo–malazezë me bekimin e eprorëve të tyre, masakruan qindra burra shqiptarë pasi nuk pranuan të ktheheshin me forcë në besimin ortodoks sllav me qëllim për të fshirë nga kujtesa qëndresën heroike dhe ngadhënjimin e shqiptarëve të udhëhequr nga Dedë Gjo’ Luli në vitin 1911 ku për herë të parë pas qindra vitesh u ngrit i lirë flamuri i simbolit të identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), në Kryengritjen e Deçiçit.

Akoma më e tmerrshme ishte masakra që u projektua nga Beogradi e u zbatua jo rastësisht në Tivarin shqiptar kur brenda një nate u ekzekutuan me mijëra djemë të Kosovës, në mars – prillin e vitit 1945-të, 75 vite më parë. 

Kjo barbari e Masakrës së Tivarit të kujton kohën e kanibalizmit të Çengis Khanit e të Timur Lengut , Vlad Dragulës [hungulësi], Erik qimekuqit të Vikingëve, apo Ivanit të tmerrshëm të Rusisë. 

Pas katër dekadash shqiptarët ranë nën diktaturën e Titos e të Millosheviçit, ku provuan një genocid të paparë dhe torturat më çnjerëzore mesjetare duke iu vendosur kryqin e hekurt të skuqur në shpinë, fytyrë e zemër. 

Por pasuesit e iliro-dardano-arbërorëve qëndruan të pamposhtur e të paepur në mbrojtje të trojeve të të parëve, për të siguruar vazhdimësinë dhe per t’i shpetuar asimilimit.

Me durim e sakrificë kristiane stërnipat e Gjergj Kastriotit u shnderruan misionarë të ruajtes së Identitetit kombëtar, dishepuj të demokracisë e vlerave europiane, promotorë të finalizimit të endrrës nacionale.

Shqiptarët e Malit të Zi janë qytetarët më të denjë në këtë republikë të vogël dhe artificiale. 

Ata me votën e tyre përcaktuan shkëputjen nga Serbia dhe i dhanë goditjen e fundit Sllobodan Millosheviçit në referendumin e vitit 2006. 

Falë vokacionit të tyre historik përendimor përcaktuan kursin euroatlantik të qeverisë malazeze, antarësimin e Malit të Zi në Nato dhe hapjen e negociatave për në BE.

Falë lidhjeve të ngushta me SHBA-në për shkak të diasporës së madhe që kanë në këtë vend mik, janë faktorë themelor për të sotmen e të ardhmen e bashkimit të natyrshëm të trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. 

Ata dhunë kontribut të jashtëzakonshm në mbështetjen e UÇK-së për çlirimin e Kosovës dhe iu imponuan qeverisë malazeze për njohjen e pavarësisë së saj.
Në shekuj shqiptarët nuk luftuan që tokat e tyre të qeveriseshin nën emblemën serbo-malazeze, por që në qiellin e kaltër mbi fortesat e tyre të fluturojë e lirë e krenare shqiponja Iliro-Arbërore dhe të valvitet flamuri i Kombit të tyre. 

Ky është flamuri i Lekës së Madh, Pirros, Teutës Agronit, Balshajve, Gjergj Kastriotit, Dedë Gjo’ Lulit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Hasan Prishtinës të cilin e mbrojtën simbolet e qëndresës shqiptare të shekullit të XX-të Adem Jashari, Ramush Haradinaj e Ali Ahmeti në betejat për liri në Kosovë, në betejat për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe çertifikimin e kësaj Kauze hyjnore në Hagë.

Dhe kështu ndodhi në marsin  e vitit 2019 kur shqiptarët e Tuzit jetësuan mesazhin e thuprave të Gjergj Kastriotit dhe korrën fitoren spektakolare në zgjedhjet e pushtetit lokal, ku pas një shekulli e një dekade u valëvit krenar Flamuri Kuqezi i Gjergjit të madh Oso Kukës dhe Ded Gjon Lulit.

E suksesi vazhdoj me miratimin e simboleve kombëtare e lirisë fetare dhe çpronësimin e zhupanëve serbë mbi kishat ortodokse të Malit të Zi.

Shqiptarët me herët kishin parandaluar grushtin e shtetit dhe me votën e tyre përcaktuan formimin e qeverisë propërendimore. Ata në shekuj ruajtën rrenjët iliro- dardane dhe me stoicizëm permes një sage të gjatë, në beteja shumëfrontëshe ruajtën identitetin kombëtar dhe shpëtuan nga asimilimi  e sot janë shembulli me i mirë i qendresës, durimit dhe i fitoreve të njëpasnjëshme.

Ata nuk kanë reshtur per asnjë moment duke punuar për finalizimin e endrrës nacionale.

Falë qëndreses, durimit, vizionit, largpamësisë, vokacionit perëndimor dhe mbeshtetjes nga aleati tradicional SHBA erdhi dita që sot shqiptarët të udhëheqin qeverinë e Malit të Zi me Dritan Abazoviçin.

Kombi shqiptar prej 10 milionësh në Ballkan është i ndërgjegjshëm të kryejë mirë rolin që i ka caktuar historia e Mileniumit të ri (Mijëvjeçarit të Tretë) dhe të mbrojë me vendosmëri të drejtat e bashkatdhetarëve të tij e të zgjidhë përfundimisht çështjen shqiptare dhe bashkimin e tyre, atë që kombet tjera e kanë kryer me kohë dhe krijimin e Shtetit Komb të shqiptarëve.

 

GAZETA.MK

MARKETING

RENT A CAR

vritet nje gazetare e al jazeeras ne bregun perendimor 627b886bd8987
Story i mëparshëm

Vritet një gazetare e Al-Jazeeras në Bregun Perëndimor

operatoret celulare pesimiste per nje shtrirje te shpejte te teknologjise 5g 627b88a7e9929
Story i radhës

Operatorët celularë, pesimistë për një shtrirje të shpejtë të teknologjisë 5G

Të fundit nga

Lezha hap zyrtarisht sezonin turistik 2025

Lezha ka hapur zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2025, në një aktivitet festiv që mblodhi vizitorë të shumtë, si dhe përfaqësues dhe autoritete vendore si dhe ato të ardhur nga Kosova, Maqedonia
ShkoLartë