Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, dhe jo vetëm, opozita duke dalë jashtë renditi të ditës, kritikoi pamëshirshëm Qeverinë, e në veçanti kryeministrin Kurti. Opozita pa kurfar kriteri, krijon kauza të rrejshme, duke e paraqitur situatën aktuale ashtu si iu konvenon atyre, e jo ashtu siç është, respektivisht të tria partitë opozitare shqiptare, kritikuan kryeministrin Kurti për situatën në katër komunat e Veriut të Kosovës, duke pretenduar se Kurti ra në grackën e Vuçiqit dhe se ai nuk po bashkëpunon me faktorin ndërkombëtar.
Mirëpo, konsideroj se ka ndodhur pikërisht e kundërta, rrjedhimisht Kurti është ai që me veprimet e tij, e futi Vuçiqin në grackën, që ai ia përgatiti Kurtit, dhe së dyti, Kurti po dëshmon, gjithnjë e më tepër, bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Mirëfilli dihet se Kurti shpesh është kritikuar nga ndërkombëtarët për qëndrimet e tij të ngurta, por gjithnjë për zbatim të ligjshmërisë, kurse prsidenti i Serbisë ka qenë i përgëdheluri i tyre.
Mirëpo që kur kryeministri Kurti, pas kërkesave të SHBA-së dhe BE-së, shtyri afatin e konvertimit të tabelave ilegale, kjo situatë ndryshoi, që dëshmuan reagimet e ndryshme pozitive nga ambasadat e Kuintit në Kosovë dhe BE-së. Kur Vuçiqi në bashkëpunim me Listën serbe dhe struktura kriminale serbe, në shenjë proteste për arrestimin e zyrtarit policor serb të dorëhequr, si i dyshuari kryesor mbi sulmin e patrullës së policisë së Kosovës, me ç’rast u plagos një polic, bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Brnjak, bashkësia ndërkombëtare menjëherë reagoi duke e kritikuar presidentin e Serbisë Vuçiq, dhe duke kërkuar nga ai që të largohen sa më shpejt ato. Vuçiqi jo vetëm që nuk i largoi barrikadat, por ai shtoi edhe disa të tjera. Pas kësaj, shpërthyen kritikat e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, në veçanti kritikat më të ashpra ishin ato të Gjermanisë, që pasuan me replika kritike të ndërsjella, që kontribuan në acarrimin e marrëdhëniet mes Serbisë dhe Gjarmanisë.
Deklaratat dhe veprimet e Vuçiqit lidhur me situatën, që ai vet e krijoi në Veri, po kritikohet ashpër nga SHBA-të dhe BE-ja, që paraqet një kthesë evidente në qëndrimin kritik ndaj Vuçiqit. Gjykoj se, zhvillimet që do të pasojnë, nëse Kurti vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me faktorin ndërkombëtar, ai do të arrij t’a përballë me realitetin Aleksandar Vuçiqin. Edhe pse opozita, nga inati dhe « syndromi Kurti », mendon ndryshe, këto veprime të Kurtit, kanë filluar demontimin dhe zhveshjen e qëllimeve hegjemoniste të Vuçiqit, që kanë të bëjë me dstabilizimin, jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit, që faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër po e fakton, duke e fajsuar Serbinë. Kështu Kurti e futi në kurth Vuçiqin, që ai, ia kishte përgatitur Kurtit.
Me bllokimin e rrugëve në katër komunat e Veriut të Kosovës, Serbia është duke e « shënuar » territorin duke krijuar një situatë dhe realitet të ri për t’i fuqizuar ambiciet dhe pretendimet ndaj Kosovës. Të gjitha veprimet e serbëve të veriut nuk janë të rastësishme, ato analizohet dhe përgatiten në Beograd. Se sa fallso bëhet viktimizimi i serbëve lidhur me targat, do të theksoj një fakt, që çuditërisht opozita nuk e përmendi dhe nuk e komentoi, por aq më pak edhe mediat, respektivisht bëhet fjalë për rastin kur muaj më parë, Lista serbe me disa vetura udhëtoi në Beograd për « konsultime » dhe marrjen e direktivave nga Aleksandar Vuçiq, që me këtë rast, Lista serbe kishte udhëtuar edhe me automjete që kishin targat legale të Republikës së Kosovës.
Shembulli më eklatant që tregon pikëpamjet dhe kërkesat e njejta të opozitës me politikat e Serbisë, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Derisa Serbia në vazhdimsi dhe me këmbëngulje insiston themelimin e Asociacionit, fatkeqësisht, opozita po ashtu i bënë presion kryeministrit Kurti për formimin e saj. Dhe duke parë Serbia këtë pajtueshmëri me opozitën e Kosovës si një aleat, prandaj Vuçiqi dhe Daçiqi haptazi në publik deklarojnë se, më mirë dhe më lehtë e kishin të dialogojmë me Thaqin, se sa me Albin Kurtin. Opozita po insiston në mënyrë të turpshme dhe nënçmuese formimin e Asociacionit, të cilën ata vet, përmes aleancave të pista dhe dosieve kriminale, e hartuan dhe e miratuan në Kuvendin e Kosovës.
Fatkeqësisht, të gjitha vendimet dhe veprimet kriminale dhe antikombëtare që i miratoi mafia e PDK-ës, LDK-ës dhe AAK-ës, kur ata ishin në pushtet, e të cilat LVV-ja fuqishëm i kishte kundërshtuar, madje përmes protestave si në Kuvend ashtu edhe jashta Kuvendit, tani Qeveria Kurti padrejtësisht po përballet dhe po merret me pasojat e tyre, që cënuan dhe « cunguan » subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtara.
Dhe tani, po të njejtit politikan dhe parti politike, të cilat gjatë qeverisjes 20 vjeçare dëmtuan dhe shkatërruan imazhin e Kosovës, që penguan liberalizimin e vizave, që bllokuan njohjet reja, që formuan Gjykatën Speciale, që falën mbi 8 mijë hektarë tokë Malit të Zi, që formuan « Zajednicën », që u zhytën në korrupcion dhe krim të organizuar, fatkeqësisht edhe sot vazhdojnë t’a obstruojnë dhe bllokojnë punën e Kuvendit, duke penguar reformat, që janë të domosdoshme për integrimin e Kosovës nëpër institucione relevante ndërkombëtare.
Nëse i analizojmë diskutimet e opozitës në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, do të vërejmë se, opozita merret me shpifje, ofendime, manipulon opinionin, madje duke përdorur edhe gjuhë të papranueshme dhe sharje me fjalorë rrugaçrie, tregon mungesën elementare të edukatës, që fatkeqësisht, njëkohësiht n’a tregon se kush ka udhëhequr me Kosovën.
Është fatkeqësi e madhe, kur ndëgjon opozitën në Kuvendin e Kosovës apo nëpër televizione të ndryshme, duke kritikuar çdo veprim të Qeverisë dhe kryeministrin Kurti, sepse të jep përshtypjen se ndodhesh në parlamentin e Serbisë ose televizionet e Serbisë, që tregon se emruesi i përbashkët i opozitës dhe Serbisë është lufta kundër Qeverisë Kurti, e cila është njëra ndër Qeveritë më intelektuale, e pakorruptuar, e pashantazhuar dhe më me integritet.
Opozita në vend që t’a konsiderojë pozitën si kundërshtar politik, ajo pozitën e konsideron si armik politik, sikur të ishin në hasmëri, në rastin konkret, kjo i bie që armiku i armikut tim, është miku im, sepse politikat e opozitës me ato të Serbisë plotësisht konvergjojnë.
Prandaj, lirisht mund të them se, ajo pjesë jokonstruktive e opozitës dhe politikanët që zhvatën shtetin, që ishin në biznis të ngushtë me strukturat kriminale serbe, sikurse me Radojçiqin, Veselinoviqin ……, janë mjerana dhe turpi i Kosovës që duhet të largohen nga skena politike.
Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO