E kam të vështirë të merrem me njerëz të politikës dhe të elitës intelektuale që nuk kanë njohuri bazë për punën e tyre.
Sepse ata kanë fituar pa asnjë meritë një status të privilegjuar në shoqëri, i cili nuk ka vend në asnjë kriter modern profesional, etik, moral, edukativ, shkencor e pedagogjik.
Për të gënjyer veten dhe të tjerët, ata duhet të gënjejnë vazhdimisht se e meritojnë këtë status dhe të improvizojnë përgjigje që shpesh janë jo vetëm të gabuara, por edhe qesharake.
Njerëzit që më njohin e dinë shumë mirë që shumë rrallë e kam kritikuar Vetëvendosjen sa ishte në opozitë, sepse nuk ka kuptim të kritikosh opozitën, e cila nuk ka funksion drejtues apo përgjegjës në asnjë institucion shtetëror, por vetëm detyrën për të gjetur alternativa më të përshtatshme për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara, se sa pushteti.
Por duke qenë se ne kemi një opozitë të dobët, që mbart hipoteken e një qeverisje famëkeqe maratonike, unë jam i detyruar ta mbush këtë vakum.
Ajo që më shqetëson më së shumti është edukimi dhe njohuritë e dobëta politike, etike, morale, pedagogjike, demokratike dhe arsimore të anëtarëve dhe simpatizantëve të Vetëvendosjes.
Duke qenë se nuk e kuptojnë se lideri dhe partia nuk duhen dashur më shumë se kombi dhe shteti, ata po ashtu nuk e kuptojnë as rëndësinë e madhe që ka kritika e shëndoshë dhe e dendur në argumente, për zhvillimin e dialogut racional qytetar dhe vlerave demokratike të shoqërisë në tërësi.
Sjellja e tyre dëshmon qartë edukimin e tyre sektar dhe uniform, i cili nuk është as harmonik dhe as koherent me mënyrën e të menduarit, të perceptuarit dhe të sjelljes sipas nevojave të shoqërisë dhe shtetit në shekullin e 21-të.
Dhe këtu është burimi dhe baza e shqetësimit dhe dyshimit tim për drejtimin në të cilin kjo qeveri po e çon shoqërinë dhe shtetin.