Studentët e Novi Sadit kanë vazhduar edhe sot protestën, edhe pse seanca e Kuvendit komunal, në të cilën donin të merrnin pjesë, u shty për herë të dytë.
Studentët u mblodhën në orën 10:00 dhe bllokuan kryqëzimin e bulevardit Car Lazar dhe Bulevardin e Çlirimit nga ora 10:20 deri 11:52.
Më pas, në orën 11:52 u mbajtën 15-minuta heshtjeje për viktimat nga rrëzimi i çatisë së hekurudhës më 1 nëntor. Ata njoftuan se të hënën do të jenë para ndërtesës së Kuvendit të Novi Sadit dhe do të kërkojnë të marrin pjesë në seancën komunale. Siç thonë ata, kërkesa e tyre për këtë tashmë është refuzuar dy herë.
Edhe në qytetet tjera të Serbisë, si çdo ditë, është mbajtur aksioni përkujtimor “15 minuta heshtjeje për 15 viktimat e aksidentit në Novi Sad”.
Studentët e Fakultetit Juridik në Beograd, një ditë më parë mbajtën një shëtitje proteste drejt Prokurorisë së Lartë Publike, ku në mënyrë simbolike i dorëzuan 1000 letra identike prokurores publike Zagorka Dolovac me mesazhin “të fillojë të bëjë punën e saj”. Në shëtitjen e protestës iu bashkuan studentë të fakulteteve të tjera.
Burimi: botasot.info