Sot Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me Tereza Ribeirën, përfaqësuesen e OSBE-së për lirinë e medieve.
Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për realizimin e këtij takimi, duke e pasur parasysh angazhimin dhe përkushtimin shumë të madh të OSBE-së në rritjen e përpjekjeve për avancimin e lirisë të medieve në rajonin e vendeve të OSBE-së. Kjo është sidomos me rëndësi në kohën kur Republika e Maqedonisë së Veriut përgatitet të ndërmarrë kryesimin me OSBE-në në vitin 2023, në kryesimin e së cilës si qëllim dhe projektim me prioritet është përfshirë edhe liria e medieve. Ai theksoi se rajoni i OSBE-së padyshim ballafaqohet me sfidën më të madhe nga ekzistimi i vet për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe roli i OSBE-së në zvogëlimin e pasojave afatgjata nga kriza, të cilat gjithsesi kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi mediet. Nevojitet luftë e vazhdueshme kundër sfidave në rritje në lidhje me ndikimin e dezinformatave, fjalës së urrejtjes si edhe lirisë së shprehurit dhe pluralizmit të medieve. Kryetari po ashtu theksoi se edhe siguria e gazetarëve është sfidë e madhe, për çka nevojitet ndërmarrje e masave plotësuese për mbrojtjen e tyre, me ç’rast e informoi mysafiren se ndryshimi i rregullativës ligjore mbi këtë çështje është në procedurë parlamentare.
Në vazhdim të takimit, Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kuvendit dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, me qëllim të përforcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik dhe promovimit të barazisë gjinore.
Znj. Tereza Ribeira theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka përparim në më shumë fusha dhe vendi gjendet në pozitë më të mirë në raport me periudhën e kaluar. Maqedonia e Veriut e harmonizon legjislacionin e vet për lirinë e medieve me standardet ndërkombëtare por sërish ka hapësirë për përmirësimin e punëve në këtë sferë. Krahas nevojës për përmirësimin e legjislacionit dhe implementimit në fushën e lirisë së medieve, ajo nënvizoi se nevojitet sigurimi i pavarësisë së vërtetë të shërbimeve publike, për çka nevojitet që ato të kenë kushte më të mira për kryerjen e detyrave të veta.
Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se liria e medieve dhe liria e të shprehurit është esenca e demokracisë dhe nevojitet kuptim i mirëfilltë i lirisë së medieve përmes vendosjes së sistemit të rregullave dhe parimeve të strukturuara me qëllim të avancimit të raporteve në këtë sferë.