Sindikatat kudo në botë formohen për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve kur ato shkelen nga punëdhënësit, posaçërisht në sektorin privat të ekonomisë, mbase shumë më rrallë kur punëdhënës është shteti, siç është rasti me punëtorët arsimorë, policorë, administrativë, etj., meqë në rastet kur shteti i shkelë të drejtat e klasës punëtore, atëherë e ka marrë djalli atë shtet dhe pushtet, i cili nuk mund të jetë më as i lirë dhe as demokratik..!?
Por, po ashtu, askund në botë nuk ka pasur as nuk mund të ketë sindikatë të pavarur, në cilin do sektor të ekonomisë dhe fushave tjera, e cila për çfarëdo arsyeje qoftë, del dhe e pengon fillimin e vitit të ri shkollor, atë fillor, të mesëm dhe të lartë, ngase së pari, arsimi është kategori vitale e një populli dhe një shteti, është sektor i veçantë shoqëror i cili funksionon jashtë ekonomisë dhe prodhimit kapital. Pra, është shtyllë kryesore e edukimit dhe e shkollimit të një populli, dhe së dyti, arsimi në Kosovë financohet kryesisht nga shteti, e shumë pak nga sektori privat.
Si i tillë, arsimi në Kosovë është në kompetencën dhe përkujdesjen e plotë të shtetit, nga i cili edhe paguhen mbi 85 mijë mësues dhe arsimtarë, dhe ku roli dhe ndërhyrja e sindikatave është e përkufizuar ekskluzivisht në mbrojtjen e të drejtave të tyre gjatë punësimit, të kushteve të punës, kujdesit për mos-diskriminim mbi baza etnike, gjinore, fetare, etj., por jo për shkak të mos ngritjes së pagave nga punëdhënësi, pra shteti, të organizon pa ndonjë arsye të madhe grevë të përgjithshme, duke e penguar fillimin e vitit të ri shkollor për 800 mijë fëmijë, nxënës dhe student të shkollave mesme..!?
Një sindikatë e cila e bënë një veprim të këtillë antikushtetues dhe antikombëtar, ajo më nuk mund të quhet organizatë sindikaliste e pavarur, veçse grup i orkestruar politik, i cili grevën dhe protestat i keqpërdorë për qëllime puro politike!
Ja si janë të definuar me ligj roli dhe detyrat e SBASHK-ut:
“Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) është organizatë e pavarur nga shteti dhe partitë politike, demokratike, jo-fitimprurëse, që përfaqëson interesat e të punësuarve në institucionet publike dhe private të arsimit, shkencës dhe kulturës, me anëtarësim vullnetar. Përkrahë dhe mbron interesat e tyre ekonomike dhe statusin social, të drejtat e punëtorëve dhe anëtarëve të saj. SBASHK-u operon brenda sistemit të Republikës së Kosovës, në frymën e Kushtetutës, konventave ndërkombëtare, ligjeve, marrëveshjeve kolektive, rregulloreve e akteve tjera normative të njohura si dhe Programit e Statutit të SBASHK-ut”.
Ndërsa kur sindikatat veprojnë jashtë ligjeve parashihet kjo masë ndaj saj:
“Nëse veprimtaria e një sindikate është në kundërshtim me Kushtetutën, kushtetutat (statutet) e subjekteve përbërëse, ligjet në fuqi, ajo (sindikata) mund të pezullohet deri në gjashtë muaj, ose të ndalohet me vendim të Gjykatës së Lartë, ose gjykatës përkatëse të subjektit juridik me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, ose të prokurorit të subjektit përkatës”
(Ligji Nr. 04/-L-011 Për organizimin sindikal).
Me një fjalë, kryetari tekanjoz i SBASHK-ut, Rr. Jasharaj, për shkak se me vetëdije ka bërë akt antikushtetues dhe anti-sindikalist, duke e penguar përmes grevës politike fillimin e vitit të ri shkollor, 2022-2023 në krejt Kosovën, në emër të gjoja rritjes së pagave për 100 euro për arsimtarët, ai do duhej menjëherë të merrej në përgjegjësi morale dhe penale nga prokurorët shtetëror të Kosovës, ndërsa sindikata e tij të suspendohet për gjashtë muaj nga veprimtaria e saj ilegjitime, për shkak të dëmit që ia kanë sjellë arsimit dhe shtetit, duke ua marrë të drejtën ligjore mbi 800 mijë nxënësve për shkollim dhe arsimim të garantuar me ligje dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës..!?