Nga opozitarja OBRM-PDUKM janë “zemëruar” me kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, e cila sot gjatë një ngjarjeje në komunën e Gazi Babës, nuk e ftoi kryetarin e komunës së Gazi Babës, nga radhët e OBRM-PDUKM-së.
“Kryetarja Arsovska sot promovoi projekt në komunën e Gazi Babës i cili ishte mbështetur nga shumica e këshilltarëve të OBRM-PDUKM-së dhe koalicioni në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ndërsa në të cilin për shkaqe të pakuptueshme nuk ishte ftuar kryetari, Bobi Stefkovski me bashkëpunimin e të cilit punohet në projekt”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Si rrjedhojë, nga OBRM-PDUKM thonë se të gjithë kryetarët e komunave nga kjo parti do të bojkotojnë ngjarjet ku do të jetë prezent Arsovska.
“Për shkak të mospasjes së komunikimit adekuat dhe normal të cilin duhet një kryetar i Qytetit të Shkupit ta ketë për të mirën e qytetit, si dhe për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të premtuara nga programi “Për Shkup modern”, për të cilin edhe i ishte dhënë besimi kryetares Arsovska, por edhe përfshirjes së saj të fuqishme në afera të dyshimta dhe kriminele, OBRM-PDUKM në tërësi distancohet nga sjellja e Arsovskës dhe kryetarët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në asnjë ngjarje të kryetares Arsovska. Urime koalicioni i ri i Arsovskës së shantazuar dhe dezertorit Kovaçevski”, thuhet në reagimin e partisë.