Kryeshefi i IPK-së jep detaje për eprorët e Policisë që i shkuan në takim Vuçiqit

April 27, 2022
min lexim

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, bën të ditur për identifikimin e shtatë eprorëve të Drejtorisë Rajonale në Veri të Mitrovicës që morën pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë, krahë presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

I pyetur se pse nuk është bërë akoma suspendimi i tyre, Hodaj tha se eprorët e policisë janë në proces të intervistimit dhe për rastin janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Në një intervistë me shkrim, Kushtrim Hodaj flet edhe për aksionet që bënë bujë dhe rezultuan më arrestimin e dhjetëra zyrtarëve policorë,  “Pika 1” dhe “Pika 2”.

Kritikave se arrestimi i zyrtarëve policor u bë sa për shou, Hodaj u përgjigjet duke thënë se ky është “një nga rastet me të mëdha të realizuara suksesshëm në luftimin e korrupsionit në institucionet tona”.

Për të gjithë zyrtarët e arrestuar IPK posedon prova, dëshmi të faktuara me video-incizime që dëshmojnë përfshirjen e tyre në veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, shprehet Hodaj.

Hodaj: Gjatë vitit 2022 deri më tani, janë arrestuar 87 punonjës të Policisë. Ndërkaq në vitin 2021 numri total  i të arrestuarve ka qenë 38.

Intervista e plotë:

Pse nuk janë suspenduar akoma eprorët e policisë të nacionalitetit serb që kanë marrë pjesë në takim me Vuciqin, pasi dihet se janë duke u hetuar gati që një muaj.

Kushtrim Hodaj: Inspektorati Policor i Kosovës është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të identifikimit të eprorëve të Polisë, cilësisë së pjesëmarrjes dhe rrethanave tjera të ngjarjes. Të gjitha veprimet ndërmirrren konfrom autorizimeve ligjore dhe pas konsulltimeve me Prokorinë përkatëse, varësisht prej vlerësimeve për kualifikimin e veprës, do të ndërmerren hapat e nevojshëm procedural. Aktualisht jemi në proces të intervistimit të eprorëve që janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë takim.

Sa ka qenë numri i saktë e eprorëve që kanë marrë pjesë në takim dhe cilat janë pozitat e tyre në Policinë e Kosovës?

Kushtrim Hodaj: Deri më tani kemi identifikuar 7 eprorë të Drejtorisë Rajonale në Veri të Mitrovicës

Politikanë opozitarë e kanë kritikuar aksionin “Pika 1”, sidomos atë “Pika 2”, duke vlerësuar se arrestimi i tyre është bërë sa për shou, si i shihni këto deklarata?

Kushtrim Hodaj: Operacionet “Pika 1” dhe “Pika”, janë realizuar pas një punë disa mujore të një grupi hetimor në IPK që me autorizim të Prokurorisë Speciale kanë ndërmarrë veprime të shumta hetimore, në drejtim të argumentimit të dyshimeve për përfshirjen e një numri të madh të zyrtarëve Policor  kufitar në korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përmes realizmit të hetimit me masa fshehta dhe bashkëpunimit me agjenci tjera të sigurisë është arritur që të krijohet dyshim i bazuar për përfshirjen e këtyre zyrtarëve në korrupsion, për çka edhe është zhvilluar operacioni për arrestimin e tyre.

Nuk mund ti komentoj deklarimet që e cilësojnë si shou, por mund të them që realisht është  një nga rastet me të mëdha të realizuara suksesshëm në luftimin e korrupsionit në institucionet tona dhe sigurisht si një rast me numër të madh të të arrestuarve zgjon vëmendjen e opinionit, mediave dhe në përgjithësi qytetarëve, por asnjë veprim nga ana e zyrtarëve të IPK-së nuk ndermirët me qëllim të krijimit të ndonjë shou, por në zbatim efikas dhe profesional të autorizimeve ligjore.

A kishte mjaftueshëm prova për arrestimin e tyre, pasi në aksionin e fundit vetëm 14 zyrtarëve policorë iu caktua masa e arrestit shtëpiak, nga 26 sa ishin të arrestuar?

Kushtrim Hodaj: Për të gjithë zyrtarët e arrestuar IPK posedon prova, dëshmi të faktuara me video-incizime që dëshmojnë përfshirjen e tyre në veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Të gjitha këto pamje janë pjesë e kallëzimit penal të dërguar në Prokurorinë Speciale dhe tashmë nga Prokuroria edhe në Gjykatë. Vendimi për zhvillimin e procedurës hetimore në procedurë të rregullt ndaj tyre, është vendim i gjykatës, por ky vendim nuk e prejudikon fajësin e tyre, përkundrazi është argument që veprimet janë tashmë të faktuara dhe nuk ka rrezik që provat dëmtohen nga ana e të dyshuarve, tha për Express-in.

A pritet vazhdimi i aksionit “Pika” dhe a janë duke vazhduar hetimet ndaj zyrtarëve policorë?

Kushtrim Hodaj: IPK në vazhdimësi trajton informacione dhe raste ku dyshohen që janë të përfshirë zyrtarë policor.  Mbesim të përkushtuar që të angazhohemi më profesionalizëm dhe efikasitet në veprime që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor. Në bashkëpunim me qytetarët dhe partnerët strategjik të IPK-së, sukseset në luftimin e dukurive të tilla do të jenë edhe me të mëdha.

Sa zyrtarë policorë janë suspenduar këtë vit dhe sa vitin e kaluar, për cilat vepra penale dyshohen ata kryesisht?

Kushtrim Hodaj: Gjatë vitit 2022 deri më tani, janë arrestuar 87 punonjës të Policisë. Ndërkaq në vitin 2021 numri total  i të arrestuarve ka qenë 38. Veprat në të cilat përfshihen më shpesh zyrtarët policor janë: Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës etj.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Vendimi i Gazprom/ Kryeministri i Bullgarisë: Një shkelje e rëndë e kontratës

Story i radhës

Mitrevski: Mickoski nuk kërkoi falje për 27 prillin

Të fundit nga

ShkoLartë