Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar komunitetin vllah me rastin e Ditës së Vllehëve, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre në shoqërinë multietnike të vendit.
Në mesazhin e tij, Gashi theksoi se kjo ditë paraqet “një mundësi të veçantë për të afirmuar vlerat e bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe ruajtjes së identitetit kulturor e gjuhësor të të gjitha komuniteteve”.
Ai nënvizoi se komuniteti vllah “ka qenë dhe mbetet pjesë e rëndësishme e mozaikut kulturor të vendit tonë”, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes së diversitetit dhe harmonisë ndëretnike në shtet.
Kryeparlamentari po ashtu riafirmoi përkushtimin e Kuvendit për avancimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike.
“Kuvendi mbetet i përkushtuar në avancimin e të drejtave të të gjitha bashkësive etnike, në frymën e barazisë, tolerancës dhe respektimit të diversitetit”, deklaroi Gashi në urimin e tij.
Në fund të mesazhit, ai uroi të gjithë pjesëtarët e komunitetit vllah me fjalët: “Urime Dita e Vllehëve!”.
Burimi: alfax.mk


