Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov të hënën tha se SHBA ndjek një politikë që çon drejt “fundit të historisë”, duke iu referuar librit të titulluar “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” nga politologu amerikan Francis Fukuyama, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nëse shikoni politikat që po ndjek administrata e (presidentit amerikan Joe) Biden, ata pikërisht duan këtë. Ata duan që fundi i historisë të ndodhë jo vetëm në veprat e analistëve politikë dhe politologëve, por që ai të ndodhë në jetën reale”, tha Lavrov gjatë një takimi me gazetarë dhe drejtues të mediave ruse.
Gjatë takimit, Lavrov gjithashtu theksoi se veprimet që janë ndërmarë në shkallë globale kundër Rusisë, të cilat ai tha se janë iniciuar nga SHBA-ja, pasqyrojnë përpjekjet e Washington-it për të vendosur “fundin e historisë”.
“Gjithçka që shohim tani në Evropë në aspektin më të gjerë, gjithçka që shohim në kontinente të tjera, ku lajmëtarët amerikanë kërkojnë që çdo shtet të marrë një qëndrim antirus, t’i bashkohet sanksioneve dhe të mos komunikojë me përfaqësuesit rusë, e gjithë kjo është reflektim i vetë kësaj përpjekjeje për të vendosur fundin e historisë, për të vendosur dominimin përfundimtar, të pakthyeshëm të po atij ‘miliardi të artë'”, tha Lavrov.
“Miliardi i artë” është teori konspirative që elitat globale grumbullojnë pasuri nga njerëzit duke shkatërruar jetën e pjesës tjetër të njerëzimit. Ky term është shumë popullor në vendet rusishtfolëse.
Lavrov më vonë argumentoi se përpjekjet e Washington-it për t’i dhënë fund historisë do të dështojnë sikur përpjekjet e mëparshme gjatë historisë njerëzore nga një ose më shumë fuqi për të “diktuar gjithçka”.
“Rrjedha e historisë nuk mund të ndalet, nuk ndalet dhe nuk do të ketë kurrë një fund të historisë, sepse njerëzimi tashmë ka kaluar nëpër përpjekje për ta nënshtruar atë më shumë se një herë nga një ose një fuqi tjetër që synon t’u diktojë gjithçka të gjithëve”, tha Lavrov.
Lavrov tha më tej se mundësitë e Perëndimit për të “drejtuar ekonominë botërore ashtu siç dëshiron” do të zvogëlohen, duke shtuar se Perëndimi do të duhet të përfshihet në negociata pavarësisht nga vullneti i tyre.
“Ne nuk do të vrapojmë pas Perëndimit… Ata prishën pothuajse të gjitha marrëdhëniet… Ne do të fokusohemi tek ata që nuk na kanë zhgënjyer kurrë dhe me të cilët kemi arritur kompromise shumë të vështira pa asnjë mashtrim… Me Perëndimin, gjithçka është pikërisht e kundërta”, tha Lavrov.
Libri i Fukuyama-s i vitit 1992 “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, të cilit i referohet Lavrov, argumenton se historia duhet parë si një proces evolucionar dhe se demokracia liberale është forma përfundimtare e qeverisjes për të gjitha kombet në fund të këtij procesi.