Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut viziton Suedinë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot ishte në vizitën e tij të parë zyrtare në Mbretërinë e Suedisë, vend-kryesues aktual i Këshillit të Bashkimit Evropian, me ç’rast u takua me homologun e tij suedez, Tobias Billstrom, transmeton Anadolu.

Siç theksohet në njoftimin e ministrisë, pjesë e delegacionit zyrtar ishte edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.

“Në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom, u rikonfirmua mbështetja e Suedisë për integrimin tonë evropian, njëkoherit duke u theksuar domosdoshmëria e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, me qëllim vijueshmërinë e procesit të negociatave dhe trasimin e rrugës për anëtarësim në BE deri në vitin 2030”, thuhet në njoftim.

Ministri Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet mbështetëse e fortë e anëtarësimit të Suedisë në NATO, e cila do të kontribuojë në forcimin e sigurisë së zonës euroatlantike.

“Integrimi i përshpejtuar i vendit tonë në BE dhe anëtarësimi sa më i shpejtë i Suedisë në NATO do të frenojë ndikimet dashakeqe të faktorëve të tretë që përpiqen të minojnë sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian. Prandaj sot edhe një herë u zotuam se bashkërisht do të ndihmojmë njëri-tjetrin për anëtarësimin në BE dhe NATO”, tha Osmani.

Osmani shprehi falënderime për angazhimin e vazhdueshëm të Suedisë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit zhvillimor, në kuadër të të cilit Maqedonia e Veriut është sërish në mesin e vendeve partnere-prioritare të ndihmës suedeze për zhvillim në fushat që janë më të dobishme për reformat nga procesi i anëtarësimit.

Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin me aktualitetin në lidhje me kryesimin me OSBE-në nën prizmin e prioriteteve të përcaktuara, në të cilat Ukraina mbetet prioriteti ynë kryesor dhe çështje kyçe e sigurisë në kuadër të OSBE-së 2023.

“Në takim u diskutua edhe për dinamikën rajonale, të cilën të dy ministrat e vlerësuan si thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, por edhe të Evropës. U vu në dukje presidenca aktuale e vendit tonë edhe me Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore dhe SHBA-në, Kartën e Adriatikut (A5), me çka u vlerësua pozitivisht roli i Maqedonisë së Veriut si një aktor aktiv në gjenerimin e stabilitetit dhe paqes në kontekst më të gjerë rajonal”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të vizitës, Osmani pati takim me kryetarin e Kuvendit të Suedisë, Andreas Norlen, në të cilin u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer parlamentar mes dy vendeve, si dhe me Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë Suedeze për Zhvillim (SIDA), Carin Jamtin.





Story i mëparshëm

Koreja e Veriut vazhdon testimet raketore teksa vijon stërvitja ushtarake e SHBA-Kore e Jugut

Story i radhës

Berisha akuza Ramës: Po mban peng rezolutën për gjenocidin serb

Të fundit nga