Pas disfatës në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës, trajneri i Francës, Didier Deschamps tha se i duhej kohë për të vendosur të ardhmen e tij të cilën mund ta sqarojë vetëm në fillimin e vitit të ardhshëm.
Drejtuesit e Federatës i kanë dhënë mundësinë Deschamps ta vendosë vetë të ardhmen e tij, teksa si pasardhës i tij i mundshëm është gjithnjë Zinedine Zidane.
Legjenda e Francës është i papunë prej 27 majit të vitit 2021, kohë kur u largua nga Real Madrid teksa duket se pret pikërisht shansin për të drejtuar “Gjelat”. Ndërkohë, edhe ish-lojtari i tij, Toni Kroos mendon se pikërisht Zidane duhet të vendoset tashmë në krye të kombëtares duke e cilësuar atë si pasuesi më i mirë i mundshëm i Deschamps.
“Unë mendoj se jo vetëm Zidane është zëvendësuesi i duhur i Deschamps, por është më i miri i mundshëm që mund të marrë Franca. Por, pyetja në këtë moment është se çfarë dëshiron të bëjë Deschamps?
Nëse do të flisja me përqindje mendoj se me 70% Zidane mund të jetë trajneri i ardhshëm i Francës. Besoj se Zidane i mungon shumë puna e tij, i mungon fusha dhe mendoj se kërkon të rikthehet”, u shpreh Kroos.